Sport

Demir Avdic flet për gjyqin ndaj Ballkanit, kontratën dhe problemet që kishte në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 21:21 | 21 January 2021

Klubi Futbollistik “Ballkani” u penalizua ditë më parë nga FIFA për shkak të një detyrimi ndaj futbollistit Demir Avdic, i cili ishte pjesë e ‘portokallinjve’ dy vite më parë. Suharekasve i’u bllokua për disa ditë sistemi për kryerjen e transferimeve ndërkombëtare “TMS”, derisa klubi i’a pagoi plot 17,000 mijë euro futbollistit nga Novi Pazari.

Përmes një komunikate për media, klubi njoftoi për zhbllokimin e ‘merkatos’, derisa konfirmoi shlyerjen e detyrimeve ndaj futbollistit Avdic, të cilin e prezantuan si futbollist i cili ishte në ‘prova’.

Por, e vërteta qëndron ndryshe. Kështu të paktën ka deklaruar lojtari në fjalë, i cili e fitoi gjyqin me klubin e Ballkanit në FIFA dhe dëshmoi se kontrata e tij ishte valide.

-Advertisement-

Në një intervistë ekskluzive dhënë Gazetës “Sheshi”, 30 vjeçari ka rrëfyer gjithë situatën, që nga ardhja në Suharekë, problemet me tifozët për shkak të nënshtetësisë serbe, bisedat me drejtuesit e klubit dhe deri te gjyqi në FIFA.

Faleminderit së pari që jeni përgjigjur interesimit tonë për të zbuluar gjithë të vërtetën, pasi që në opinion kanë qarkulluar disa versione, por asnjëherë pa e marrë edhe fjalën e futbollistit.

AVDIC: “Faleminderit edhe për ju për interesimin. Nuk kam dashur të flas deri më tani për shkak të gjyqit që kemi patur, por pasi që tashmë ka mbaruar i gjithë procesi mund ta tregoj të gjithë rrjedhën se çfarë ka ndodhur”.

Faleminderit edhe njëherë. Na tregoni gjithçka nga fillimi, si erdhe te Ballkani dhe çfarë ka ndodhur realisht?

AVDIC: “Me Ballkanin gjithçka ishte në rregull në fillim. Ata më ftuan për të qenë pjesë e projektit të tyre që kishin nisur dhe kështu ‘firmosa’ kontratë një vjeçare. Nuk kishte të bënte asgjë me provat, ashtu siç kanë deklaruar kështu të paktën. Çdo gjë po shkonte shumë mire në fazën përgatitore që zhvilluam në Durrës. Luaja rregullisht dhe isha në formë optimale. Mirëpo, gjërat ndryshuan brenda pak kohësh, pasi që disa nga tifozët nuk ishin të kënaqur për shkak që kisha pasaportë serbe dhe ata më konsideronin si lojtarë të tillë. Kështu klubi dëshironte të ma shkëpuste kontratën 3-4 ditë përpara se të mbyllej afati kalimtar i janarit. Natyrisht se unë nuk pranova, pasi që kam dy fëmijë, kam bashkëshorten dhe prindërit të cilët jetojnë nga paga ime që marr prej futbolli. Unë mendoj dhe bëj gjithçka për familjen time”.

Dhe, më pas vendose t’i ndjekësh rrugët ligjore për të kërkuar kompensimin e kontratës, apo si ishte puna?

AVDIC: “Klubi vendosi që të ma shkëpus kontratën në mënyrë të njëanshme dhe kështu unë e njoftova avokatin tim dhe ai e dërgoi lëndën në FIFA gjatë muajit shkurt të vitit 2019. Lënda mbaroi këtë vit dhe unë e fitova të drejtën time të marr paratë që më takonin, pasi që kisha një kontratë, të cilën ata nuk e respektuan. Faleminderit Zotit çështja tashmë është zgjidhur. Unë dhash 100% tim sa isha te Ballkani dhe rrezikova gjithçka. Ata nuk u treguan korrekt me mua dhe më lanë në rrugë. Sinqerisht kjo nuk ishte aspak e drejtë dhe aspak korrekte, sidomos për një klub që pretendon të fitojë kampionatin, apo edhe të luaj në Evropë”.

Cila është vlera e kontratës tuaj?

AVDIC: “Kontrata ime kishte vlerën e 17,000 eurove për një vit.

A është paguar kontrata juaj tani?

AVDIC: “Po, po. Avokati im më ka konfirmuar që më është paguar deri në centin e fundit”.

A keni provuar të bisedoni me klubin, për ta zgjidhur këtë çështje më ndryshe dhe jo për ta paditur klubin?

AVDIC: “Unë kërkova të bisedoja me drejtuesit e klubit dhe u kërkoja atyre të më paguanin të paktën gjysmën e kontratës time, pasi që unë kam dy fëmijë dhe kam familjen për të mbajtur, mirëpo ata nuk dëshiruan të dëgjonin për këtë gjë”.

Me kë keni kontaktuar dhe cila ishte përgjigja e tyre?

AVDIC: “Unë kam folur dy apo tri herë me zotëriun Arben Osmani dhe më pas i kam shkruajtur direkt presidentit të klubit. Nëse ata do të më kishin dhënë të paktën gjysmën e kontratës time, unë sigurisht që nuk do ta dërgoja klubin në gjyq”.

A të vije keq që klubi u penalizua shkaku i lëndës tuaj?

AVDIC: “Sinqerisht mua më vjen keq për këtë që ka ndodhur. Por, unë kam të gjitha mesazhet që ja kam dërguar zotëri Osmanit dhe presidentit. Unë nuk doja ta padisja klubin, por kjo ishte rruga ime e vetme. Unë jam i sigurt që presidenti i klubit (Arsim Kabashi) është një njeri shumë i mire dhe shumë i sinqertë, por ndonjëherë kam përshtypje që njerëzit që janë rreth tij nuk i tregojnë gjithë të vërtetën dhe mendon që të gjithë gjërat janë në rregull. Ata tashmë kanë një ekip shumë të mirë, me futbollist të ri dhe të talentuar. Gëzohem për ta dhe uroj që t’i arrijnë të gjitha sukseset”.

Po të shkonin gjërat në një rrjedhë tjetër, a do të ishit ende futbollist i Ballkanit?

AVDIC: “Unë jam bashkuar me Ballkanin sepse ata më prezantuan një projekt të cilin dëshironin ta shtyenin përpara. Nëse ata do të më kishin dhënë mundësinë, unë do të bëjë gjithçka për ta, duke nisur nga shënimi i golave dhe gjithçka tjetër. Por, gjërat nuk shkuan ashtu siç e kisha pritur. Mblodha gjërat e mia dhe u largova i dëshpëruar nga Kosova”.

Cili është mesazhi juaj për klubin dhe opinionin, të cilët e kanë pritur fjalën tënde?

AVDIC: “Dëshiroj në fund që të përqoj këtë mesazh jo vetëm për drejtuesit e Ballkanit, por për drejtuesit e gjithë klubeve. Të respektojnë futbollistët dhe marrëveshjet, pasi që kjo është rruga më e mirë që duhet ndjekur. Ne kemi familje për të mbajtur dhe jo rrallë herë gjendemi në pozita të vështira. Andaj, respektoni futbollistët dhe marrëveshjet, suksesi nuk ka se si të mungojë”.

Imazhi mund të përmbajë: 3 njerëz, njerëz që qëndrojnë dhe tekst

Aktualisht Avdic është pjesë e skuadrës indiane Chennai City, teksa në dy paraqitjet e fundit ka bërë një asistim. Ai ishte pjesë e Ballkanit për 14 ditë në janarin e vitit 2019.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera