Demarkacioni mbetet pezull për dy-tri vota
Autori: Gazeta inFokus 17:43 | 09 March 2018
Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme të deputetëve për ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh edhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës, që është subjekti më i madh brenda koalicionit qeverisës, megjithëse, tri ditë më parë, kishte deklaruar se gjatë kësaj jave pritet ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit në ditën e premte, ka theksuar se kjo nuk do të ndodhë gjatë kësaj jave.
Veseli ka paralajmëruar se legjislativi gjatë javës së ardhshme do të trajtojë 52 pika të ndryshme në tre seanca të ndara parlamentare. Por, megjithatë, asnjë nga këto seanca të javës së ardhshme nuk kanë të bëjnë me çështjen e ratifikimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Lidhur me ratifikimin e kësaj marrëveshje, sipas tij, grupet parlamentare po punojnë për arritjen e një konsensusi dhe siç ka thënë ai, nevojiten edhe disa vota.
“Presim që të punojmë edhe më shumë që të realizojmë atë që presin shumica absolute e qytetarëve, që ta ratifikojmë edhe atë marrëveshje, e cila ka mbetur pa u ratifikuar. Shumë shpejt presim reflektim edhe të kolegëve opozitar. Ka shenja të mira. Po besojmë se do ta arrijmë shpejt konsensusin. Është në interes të qytetarëve, është në të mirën e shtetit dhe besoj që do ta kemi shpejt një vendimmarrje, e cila vërtetë me të drejtë i ka zhgënjyer qytetarët nga ky Kuvend, për këto tri vjet”, tha Veseli.
Bilall Sherifi, shef i Grupit Parlamentar nga Nisma për Kosovës, gjithashtu parti kjo brenda koalicionit qeverisës, ka theksuar se nuk mund të pritet seancë për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, pas sigurimin e dy të tretave të votave të përgjithshme të deputetëve të Kuvendit.
“Është sekret publik që mungojnë edhe dy apo tri vota. Ato, siç duket, nuk janë siguruar ende dhe përderisa ato nuk sigurohen, nuk mund të thirret vazhdimi i seancës apo së paku, nuk ka gatishmëri që të thirret seanca para se të ketë siguri se po atë ditë edhe do të votohet”, tha Sherifi.
Ndryshe, partneri në koalicionin qeverisës, Lista Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, më herët ka theksuar se nuk do të votoj në favor të ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacionin. Deri më tash, ky subjekt nuk ka dhënë shenja të ndryshimit të këtij qëndrimi.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt politik më i madh opozitar, vazhdon të mbetet e betonuar në qëndrimin e saj kundër ratifikimit të Marrëveshjes aktuale për demarkacionin me malin e Zi. Lideri i këtij subjekti, Albin Kurti, në një tryezë të organizuar nga ky subjekt për temën e Demarkacionit, ka theksuar se pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët të dy presidentëve, të Kosovës dhe Malit të Zi, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanoviq, për korrigjimin e gabimeve eventuale në shënjimin e vijës kufitare, Qeveria e Kosovës po bën gabim në hapa.
“Kur ka gatishmëri nga Mali i Zi për të biseduar dhe kur ka gatishmëri nga presidenti Thaçi për ta pranuar gabimin, së pari vjen korrigjimi e pastaj ratifikimi. Ratifikimi para korrigjimit është gabim në hapa dhe do t’i minonte zhvillimet pozitive që kanë ndodhur”, tha Kurti.
Ndërkaq, Abdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti po ashtu kjo opozitare, është shprehur optimist për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se ky ratifikim mund të ndodhë vetëm sepse Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështetë këtë proces dhe ka krijuar konsensusin e nevojshëm brenda Kuvendit, për ta kaluar këtë çështje.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështetë plotësisht këtë marrëveshje. Ne presim tash që koalicioni qeverisës të sigurojë 61 vota (përveç votave të LDK-së). Pas votimit të Demarkacionit, qeveria duhet të japë dorëheqje, parlamenti duhet të shpërndahet dhe ne duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, që të formohet një shumicë parlamentare që udhëheqë Kosovën në integrimet euroatlantike”, theksoi Hoti.
Hoti ka shtuar se qeveria aktuale, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, është krijuar me premtimin për të marrë vendime të mëdha, por, sipas tij, deri më tash nuk është marrë asnjë vendim i tillë.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.
Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova nuk do të marrë liberalizimin e vizave.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...