Lajme

Delta rritë infektimet e vdekjet, ku radhitet Kosova e ku Shqipëria

Autori: Gazeta inFokus 09:42 | 29 August 2021

Rastet me COVID-19 janë rritur ndjeshëm gjatë dy javëve të fundit në Shqipëri, ku sipas ekspertëve, kjo gjë i atribuohet më së shumti variantit Delta, i cili ka kapluar gjithë botën.

Në vetëm pak ditë, incidenca javore në Shqipëri është rritur ndjeshëm me rreth pesë fish më shumë nga sa ishte në fillim të gushtit.

Por, përtej këtij fakti, nëse krahasohet me rajonin, apo edhe me një pjesë të Evropës e botës, shifrat shqiptare janë më optimiste, sipas publikimeve që paraqet revista shkencore Our World in Data.

-Advertisement-

Në Ballkan, është Kosova ajo që mbart incidencën më të lartë javore të rasteve, me mesatarisht 1 mijë e 20 raste për milion banorë. Mali i Zi e ndjek nga afër atë, me 1 mijë e shtatë raste për milion banorë.

Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Serbia, kanë të gjitha incidencë më të lartë javore se sa Shqipëria. Ndërsa, për raste të reja, është Bosnjë dhe Hercegovina.

250 raste të reja për milion banorë, është mesatarja shtatë-ditore e Shqipërisë.

Kjo mesatare është edhe më e mirë se sa ajo e SHBA-ve, të cilët ndalen në shifrën 469. Bashkimi Evropian gjithsesi, ka një mesatare më të ulët, me 138 raste për milion.

Mbretëria e Bashkuar, me një fushatë shumë të mirë vaksinimi, ka një incidencë në shifra thuajse të dyfishuar krahasimisht me Shqipërinë.

Përtej rasteve të reja, me rëndësi shumë të lartë janë edhe vdekjet nga COVID-19. Sërish në shifrat e Our World in Data, Shqipëria renditet me numrin më të ulët të vdekjeve në rajon, madje më poshtë edhe se mesatarja e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian.

Maqedonia e Veriut është ajo me vdekjet më të larta për banor. Mesatarisht, 12.76 për milion banorë. Më pas ndjek Mali i Zi me 10.24 vdekje për milion.

Diagram ilustrues i numrit të vdekjeve për milion banorë gjatë javës së fundit
Kosova sërish është në shifra të larta. Vdekjet për milion banorë janë 7.10, rreth nëntë herë më të larta se në Shqipëri.

Diçka më ulët në rajon për vdekje janë Greqia, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia. Gjithsesi, Shqipëria është akoma më ulët, me vetëm 0.66 vdekje ditore për milion banorë.

Kjo shifër, është pesë herë më e ulët se sa SHBA-të. Thuajse tre herë më e ulët se Mbretëria e Bashkuar. Po ashtu, më e ulët se sa mesatarja e Bashkimit Evropian, që shkon në 0.99 vdekje ditore për milion banorë.

Në krahasim me gjithë botën, vdekjet nga COVID-19 në Shqipëri janë të përgjysmuara.

Madje, janë shumë të pakta shtetet, të cilat kanë numër kaq të ulët vdekjesh, ku radhiten Gjermania, Hungaria apo Sllovenia.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera