Lajme

Deklarohet TiBO: Ja si qëndron e vërteta me DigitAlb-in

Autori: Gazeta inFokus 17:24 | 12 October 2021

“Jemi njohur me deklaratën e ditës së hënë, datë 11 tetor, dhënë për Top-Channel – gjatë edicionit të lajmeve të orës 19:00, – nga drejtori i DigitAlb, Eglinor Ramaj, në lidhje me pretendimet e tij kinse “TiBO po piraton kanalet e DigitAlb” dhe se për këtë “është gjobitur””.

“Të gjendur përballë këtij pretendimi dashakeq, dhe detyrimit që kemi ndaj audiencës sonë besnike, informojmë se çështja në fjalë qëndron krejt ndryshe.

Për transparencë të opinionit publik sqarojmë se DigitAlb, që gjendet në një situatë të paqëndrueshme financiare, ka nisur prej muajsh të sulmojë publikisht shoqërinë TiBO me pretendime të stisura, kjo për të zhvendosur vëmendjen nga menaxhimi i dobët që po u sjell atyre falimentin”.

-Advertisement-

Çfarë po ndodh?

DigitAlb ka ndërprerë pa shkak, në mënyrë të njëanshme dhe të kundërligjshme kontratën 10-vjeçare të bashkëpunimit me TiBO-n, – 2019-2029. Ne i jemi drejtuar menjëherë gjykatës për:

Ndalimi i ndërprerjes së sinjalit sipas objektit të kontratës

Pagesë e penalitetit për prishjen e njëanshme të kontratës

“Edhe unë si sipërmarrës, jam rritur me ëndrrën Digitalb. Ne si sipërmarrës sollëm një risi që askush nuk e kishte në Shqipëri – TIBO-n, prandaj Digitalb u bë partner me ne, për këtë arsye kemi qenë partnerë këto vite.” – thotë z. Adnand Mahmuti, themelues dhe President i TiBO shpk.

“Duke konsideruar precedentët e kaluar kur Digitalb ka dëshmuar se është një partner jo i besueshëm dhe jo korrekt me abonentët, ne kemi nënshkruar një marrëveshje jo vetëm afatgjatë por edhe me garanci për abonentët tanë, garanci të cilën Digitalb sot e ka shkelur me të dy këmbët,” – vijon Presidenti i TiBO-s.

“Të gjendur në kushtet e një zgjidhjeje të njëashme të kundërligjshme dhe jashtë çdo lloj logjike biznesi, ne kemi paditur DigitAlb-in në Gjykatën e Tiranës dhe kemi besim se çështja do të zgjidhet në rrugë ligjore,” – tha më tej themeluesi i kompanisë TiBO.

Si qëndron çështja?

TiBO ka parapaguar detyrimet kontraktuale – deri në gjashtëmujorin e vitit 2022, – që i takonin nga kontrata dhjetëvjeçare e bashkëpunimit me DigitAlb, kontratë kjo që e shihte TiBO-n transmetues ekskluziv të përmbajtjeve të DigitAlb në platformën OTT të TiBO-s.

Gjoba e pretenduar:

Pavarësisht presionit mediatik dhe manipulimit të fakteve nga DigitAlb, nuk ka asnjë masë ndëshkimore ekzekutive ndaj TiBO-s. Kjo sepse TiBO është përgjigjur me fakte reale, të provuara.

Përveç kësaj, ligji parashikon që asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje që është duke u gjykuar në gjykatë.

Pse këto stisje ndaj TiBO?

DigitAlb ngre pretendime të stisura për “vjedhje buxhetit të shtetit” apo “konsumatorit” për të mbuluar mungesën totale të përgjegjësive kontraktuale me bashkëpunëtorët që i lë në baltë. Nuk është hera e parë që kjo kompani ndërpret në mënyrë të njëanshme kontratat duke tradhtuar audiencën apo besueshmërinë e krijuar në treg ndaj markës.

Me këtë qasje, ndër vite DigitAlb, ka humbur të drejtat për transmetimet e eventeve të shumë-kërkuara nga shqiptarët si Champions-League, Premier-League, La Liga, dhe së fundmi Serie-A-në.

Ngjashëm ishte dhe çështja me TV Klan, FSHF apo transmetues të tjerë dhe në të gjitha këto raste ata që janë lënë në baltë nga DigitAlb kanë qenë abonentët.

Pse audienca duhet të zgjedhë TiBO-n?

TiBO mbetet e përkushtuar si në fillim për t’u sjellë publikut shqiptar prodhimet mediatike përmes qasjes më në pararojë të teknologjisë. Sikurse edhe ish-bashkëpunëtori ynë DigitAlb e vlerëson në kronikën e Top-Channel, TiBO është një nga kompanitë që ka sjellë risi në mënyrën e transmetimeve dhe do të vijojë me të njëjtin përkushtim të ofrojë besueshmëri për ofertat dhe përmbajtjen e saj.

“Përgjigja ime në lidhje me kronikën e sotme të dhënë nga Top-Channel, dhe deklaratën e administratorit të radhës në DigitAlb, së bashku me stisjet dhe të pavërtetat e radhës, është detyrim për abonentët dhe partnerët tanë, të cilët kanë të drejtën të dinë të vërtetën. Më vjen keq për këtë shëmti të servirur nga një media e cila kërkon ende të na bëjë të besojmë se ka interesa madhore siç duhet t’i ketë realisht një e tillë. Ne i sigurojmë abonentët tanë të cilët kanë parapaguar shërbimet e TIBO se do t’i marrin ato deri në fund,” – zotohet Presidenti i TiBO-s.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera