Lajme

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari se e quajti putë “Nënën Terezë” dhe iu gëzua dëmtimit të shtatores së saj

Autori: Gazeta inFokus 15:06 | 09 June 2023

Të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Noli Zhita është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për nxitje të urrejtjes.

“Jam plotësisht i pafajshëm”, tha i akuzuari Zhita, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Zhita po akuzohet se në vitin 2014, në cilësinë e anëtarit të kryesisë nga Forumi i të Rinjve Mysliman ka publikuar një artikull në të cilën kishte shprehur gëzimin për dëmtimin e shtatores së “Nënës Terezë” në Mitrovicë, duke e quajtur atë “puta”. Sipas fjalorit, puta e ka kuptimin e idhullit.

-Advertisement-

Paraprakisht, gjykatësi i rastit Eroll Gashi deklaroi se në seancën e kaluar ishte lexuar aktakuza dhe i akuzuari Zhita ishte njoftuar me të drejtat e tij, e po ashtu të njëjtit i ishte caktuar mbrojtës sipas detyrës zyrtare, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku.

Mirëpo, në këtë seancë, i akuzuari Zhita deklaroi se nuk dëshiron të përfaqësohet nga asnjë avokat dhe lidhur me këtë gjykatësi Gashi në bazë të nenit 56 paragrafi 5 të Kodit të Ri të Procedurës Penale mori aktvendim me të cilin avokaten e caktuar sipas detyrës zyrtare Keqekolla-Sadiku, e shpalli “avokat në gatishmëri”.

E me qenë se i akuzuari Zhita u deklarua i pafajshëm, gjykata e ka njoftuar atë me të drejtën se brenda afatit ligjor prej 30 ditësh mund të paraqes kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Gjykatësi Gashi tha se, lidhur me kërkesat eventuale nuk do të mbahet shqyrtimi i dytë, por për to gjykata do të vendosë jashtë seance.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 17 shtator 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Noli Zhita po akuzohet se më 21 janar të vitit 2014, në cilësinë e anëtarit të kryesisë nga Forumi i të Rinjve Mysliman – FRM (LISBA) ka publikuar një artikull- komunikatë, në të cilën kishte shprehur gëzimin për dëmtimin e shtatores së “Nënës Terezë” në Mitrovicë, e cila kishte ndodhur më parë, dhe “ishte lutur që në Kosovë të gjitha putat e Terezës të rrëzohen dhe të fundosen sikur në Ukrainë që është rrëzuar puta e Leninit pak javë më parë”.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se i njëjti në artikullin e tij kishte shkruar se “FRM i përkujton publikut shqiptar që në Shqipëri në vitin 2005 qytetarët trima të Shkodrës rrëzuan në mënyrë publike putën e Terezës që Jozefina Topalli kërkonte ta vendoste në hyrje të Shkodrës”.

E me këtë, Zhita po akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” nga neni 147 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së), vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BLACK FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera