Lajme

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari që goditi për vdekje këmbësorin

Autori: Gazeta inFokus 17:40 | 06 January 2022

I akuzuari E.B është deklaruar i pafajshëm se në maj të vitit 2018 nga pakujdesia me veturë ka goditur këmbësorin, tani të ndjerin F.A., ku si pasojë e goditjes ka pësuar dëmtime të rënda me pasoja fatale, ashtu që në të njëjtën ditë ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Një deklarim të tillë, i akuzuari e ka dhënë të mërkurën në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ferdane Sylejmani, raporton “Betim për Drejtësi”.

“Nuk e ndjejë vetën fajtor por më vjen keq”, deklaroi i akuzuari Beka.

-Advertisement-

Mbrojtësi i të akuzuarit , avokati Haxhi Millaku ka thënë se do ta shfrytëzojnë të drejtën që të paraqesin një kërkesë prokurorit të shtetit për negocimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, të cilën kërkesë në afat shumë të shkurtër do ta paraqes edhe me shkrim.

I njëjti e ka arsyetuar duke pasur parasysh pasojën se i ndjeri F.A ka gjetur vdekjen në këtë çështje që konsideron se në mënyrë indirekte i mbrojturi i tij mban një përgjegjësi të natyrës objektive.

Ndryshe i njëjti tha se nëse nuk do arrihet marrëveshje me prokurorin atëherë i njëjti do të paraqes kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, si dhe propozimin për ekspertizën komunikacionit.

Avokati Millaku tha se ekspertizën e komunikacionit të cilën e kanë bërë privatisht do ia paraqesin edhe gjykatës për mundësinë e vlerësimit të ekspertizave dhe sqarimet e mbi bazën shkencore se si ka ardhur deri te shkaku i aksidentit.

Më pas, gjyqtarja Anita Krasniqi-Prenaj e ka njoftuar atë me të drejtën se brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtimet e tyre ndaj aktakuzës apo të ofrojnë marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, nëse e njëjta mund të arrihet në mes palëve në procedurë.

Ndryshe, sipas aktakuza të ngritur në janar të 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, E.B po akuzohet se me datë 9 maj 2018, në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë, ka qenë duke drejtuar makinën, nga pakujdesia ka shkelur ligjin mbi rregullat e trafikut rrugor duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.

Në aktin akuzues thuhet se pasi që i akuzuari ka arritur tek semafori, në atë moment semafori për kalim kishte qenë i ndezur për kalim, i akuzuari duke mos u përshtatur shpejtësisë e lëvizjes, me pjesën e përparme të veturës e godet këmbësorin tani të ndjerin F.A, i cili në ato momente kishte qenë duke kaluar rrugën nga ana e majtë në anën e djathtë.

Me ç’rast nga kjo goditje i ndjeri F.A është hedhur nga vetura duke rënë më pas në tokë në këndin e majtë të përparme të veturës tjetër që ka qenë duke lëvizur përballë, ku si pasojë e kësaj goditje këmbësori tani i ndjeri F.A ka pësuar dëmtime të rënda me pasoja fatale, ashtu që në të njëjtën ditë ka ndërruar jetë në QKUK në Prishtinë.

Me këtë, E.B po akuzohet se kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378, paragrafi 9 lidhur me par.1 dhe par.6 të Kodit Penal.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera