Deklarohet e pafajshme zyrtarja e BE-së në Kosovë e akuzuar për korrupsion
Autori: Gazeta inFokus 14:11 | 16 November 2021
Zyrtarja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Albina Nura është deklaruar e pafajshme për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe konflikt të interesit.
Një deklarim të tillë, Nura e ka bërë gjatë seancës fillestare të mbajtur të martën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Pas leximit të aktit akuzues nga prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Naim Abazi, e akuzuara Nura u deklarua e pafajshme për veprat penale të cilat i vihen në barrë.
Pas deklarimit mbi fajësinë, gjykata njoftoi të akuzuarën dhe mbrojtësin e saj, avokatin Kujtim Kërveshi se brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Gjatë kësaj seance, avokati Kërveshi kërkoi nga gjykata që me qëllim të mbrojtjes së identitetit të të akuzuarës nga mediat dhe OJQ të raportohet vetëm me iniciale.
Sipas tij, lidhur me këtë përmes postës i është drejtuar gjykatës me kërkesën që të ndalojë incizimin dhe fotografimin nga mediet si dhe raportimi të bëhet me iniciale.
Mirëpo, një kërkesë e tillë meqenëse është dorëzuar përmes postës, nuk u vërtetua se e njëjta ka arritur në gjykatë.
Avokati Kërveshi shtoi se me qëllim të mbrojtjes së identitetit të të akuzuarës dhe të dëshmitares, në një rast të ngjashëm gjykata kishte vendosur që të kufizojë publikimin e identitetit.
Pas kësaj, gjykatësi Arben Hoti, tha se deri më tani nuk ka arritur një kërkesë e tillë në gjykatë, andaj mori edhe aktvendim me të cilin refuzoi propozimin e mbrojtësit të së akuzuarës Nura për mos zbulimin e identitetit.
Kjo u bë me arsyetimin se gjykata që në hapje të këtij shqyrtimi ka vendosur që seanca është e hapur për publikun dhe se kjo bazohet në parimin themelor të drejtësisë, atë të publicitetit.
Sipas tij, kufizimi i parimit të publicitetit është i paraparë vetëm duke u bazuar në kushtet e parapara me ligj.
Ndryshe, kjo lëndë ka kaluar tek gjykatësi Hoti, pasi që gjykatësja e ngarkuar me këtë lëndë, Albina Shabani -Rama ka marrë postin e kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Më 18 qershor ishte paraparë të mbahet seanca fillestare në këtë rast, mirëpo e njëjta kishte dështuar pas kërkesës së mbrojtjes për përkthimin e të gjitha shkresave në gjuhën shqipe.
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 maj 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Albina Nura po akuzohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 77, si dhe veprës penale “Konflikt i interesit” nga neni 424, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Siç thuhet në aktin akuzues, që nga mesi i vitit 2013 e në vazhdimësi deri më 13 nëntor 2017, e akuzuara Nura, në cilësinë e personit zyrtar-agjente vendore-zyrtare për reforma të administratës publike në zyrën e BE-së “EUOK” në Kosovë, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e saj duke i shkaktuar dëm material në shumën prej 500 mijë euro buxhetit të BE-së.
Sipas aktakuzës, e akuzuara Nura me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, gjatë implementimit të tenderit sipas projektit “Mbështetje për politikat dhe planifikimin strategjik të Kosovës”, në mënyrë të kundërligjshme ka përgatitur dokumentacionin për qëllim të rritjes së vlerës së kontratës nga 2 milionë e 85 mijë euro sa ka qenë vlera e kontratës, e cila ishte përcaktuar të përfundonte nga 3 shkurti 2014 deri më 29 prill 2016, në 2 milionë e 584 mijë e 800 euro.
Kjo pasi thuhet se zgjatja e kontratës në fjalë për tre muaj të tjerë, ka rezultuar me rritje të vlerës së kontratës për 500 mijë euro më shumë se që ishte vlera e kontratës.
Prokuroria pretendon se e akuzuara kishte angazhuar punonjës të administratës civile dhe punonjës tjerë shtetëror në cilësi të ekspertëve jo-kyç, në kundërshtim me kushtet e përgjithshme të kontratës, gjegjësisht neni 9, paragrafi 9.6 e përjashton një veprim të tillë pa aprovimin paraprak të Komisionit Evropian.
Në aktakuzë thuhet se e pandehura kishte ndihmuar, përgatitur dosjet dhe lejuar caktimin e personave, Ilir Reçica, Fisnik Rexhepi, Ilir Salihu, Gent Salihu, Florent Bakija, Ruzhdi Halili, Bernard Nikaj, Arianit Osmani, si ekspertë junior, nga stafi i shërbyesve civil dhe stafi tjetër i Administratës Publike të Kosovës dhe duke e ditur se të njëjtit ishin zyrtarë publikë, si dhe procedura për angazhimin e tyre ishte në kundërshtim me kriteret për caktimin e ekspertëve, personat e nivelit senior të emërohen si ekspertë junior.
Sa i përket projektit “Asistencë teknike për zhvillimin e mëtejshëm të politikës tregtare të Kosovës”, fitues i të cilit ishte “GFA Consulting Group” (drejtues), Cardo Emergin Markets, Belgjikë, si dhe “ACE International Consultants”, Spanjë, thuhet se në mes të datës 17-18 qershor 2014, ndërkohë që menaxherja e këtij projekti kishte munguar për dy ditë, e akuzuara si ushtruese detyre i kishte mundësuar Rron Dalladakut vazhdimin e angazhimit të tij për 205 ditë shtesë.
Po ashtu, aty thuhet se kërkesa e paraqitur u përpunua dhe u dorëzua për aprovim, ku u aprovua përmes urdhrit administrativ nr.49, në të cilën mënyrë e pandehura i mundësoi Dalladakut që të rriste numrin e ditëve si ekspert jo kyç nga 350 ditë në 513 ditë në total, apo rreth 25% të vlerës totale të buxhetit të ndarë për ekspertët jo kyç, duke i mundësuar atij përfitim prej 76 mijë e 950 euro.
Më këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Tutje, në dispozitivin e dytë të aktit akuzues thuhet se në kohën dhe vendin e lartcekur si në dispozitivin e parë, e akuzuara në cilësinë e menaxheres së projektit “Mbështetje për politikat dhe planifikimin strategjik të Kosovës”, në zyrën e BE-së në Kosovë, gjatë procesit të vlerësimit të projektit në fjalë si anëtare e komisionit, gjatë muajit gusht 2013 ka vendosur që oferta e konzorciumit në krye me “Corporate & Public Management Consulting Group” (CPM) ishte vlerësuar me pikët më të larta, ndërsa në mesin e pjesëtarëve të këtij konzorciumi ishte edhe biznesi “Sustainable Strategu and developement Consulting”(SSD), më vonë ndryshuar në “Strategy & Developement Consulting” (SDC) nga Kosova, me pronar Rron Dalladakun.
Ky i fundit, thuhet se kishte punuar së bashku me të pandehurën në zyrën e BE-së në Kosovë, si menaxher i njërit nga projektet e kësaj zyre gjatë vitit 2011.
Tutje, në aktakuzë thuhet se përkundër faktit se ajo ishte në dijeni se biznesi i Rron Dalladakut ishte njëri nga anëtarët e konzorciumit në projektin të cilin ajo e vlerësoi dhe më vonë e menaxhoi, i ka mundësuar të njëjtit të fitonte projektin, duke mos deklaruar konfliktin e interesit tek menaxhmenti i lartë ashtu siç kërkohej dhe ishte përcaktuar me Rregulloren “Procurement and Grants for European Union External Action”, Kodin e Mirësjelljes, Udhëzuesin për Etikë dhe Sjellje të Stafit Lokal të Komisionit Evropian, për faktin se Nura ka qenë pronare dhe aksionare e 19% të kapitalit me kompaninë “Agmia FRUITS”, e cila po ashtu ishte e lidhur me biznesin e saj “Ferma Kodra e Diellit”, ku ajo ishte themeluese-drejtoreshë e përgjithshme dhe pronare e 40% të aksioneve.
Gjithnjë sipas aktakuzës, kompania “Agmia Fruits”, më 21 mars 2017, kishte fituar projektin e financuar nga BE-ja me titull “Upgarde of Local Orchards”, në vlerë prej 218 mijë e 664 euro e 56 centë, ku e akuzuara kishte dështuar të deklaronte biznesin e saj, bizneset tjera në të cilat ishte aksionare, si dhe faktin se biznesi i saj dhe biznesi “Agmia FRUITS” ishin të lidhura, kishin të njëjtin numër telefoni si dhe adresë të njëjtë.
Sipas prokurorisë, verifikimi i shpenzimeve të këtij granti të BE-së ishte realizuar nga “Baker Tilly Kosovo”, e menaxhuar nga dy nga bashkë-aksionarët e biznesit “Ferma Kodra e Diellit”.
Për këtë ajo akuzohet se ka kryer veprën penale të “Konfliktit të interesit”. /BetimipërDrejtësi
Të tjera
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...
-
Takohen gruaja më e shkurtër dhe ajo më e gjatë në botë, fjalët që thanë për njëra-tjetrën pas takimit
Jyoti Amge dhe Rumeysa Gelgi, janë pjesë e librit të rekordeve “Guiness”. E p...
-
Moti i keq, Policia thirrje vozitësve: Kujdes, ka aksidente nëpër rrugë të vendit dhe autostrada
Orëve të fundit mbi vendin tonë kanë vazhduar të reshura të shiut të shoqërua...
-
“Përgaditu se unë jom karatist”- Momenti kur moderatori shpërthen në të qeshura, pasi Jahja Koka ia thotë këtë gjë
“Përgaditu se unë jom karatist”, ishte një nga fjalitë dhe momentet që bëri m...
-
LAJMI I FUNDIT/ Vetura godet për vdẹkje një këmbësor në Krushë të Madhe
Një këmbësor është goditur nga një automjet në fshatin Krushë e Madhe, më sak...
-
Peci ngriti kallëzim penal ndaj tij, reagon Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK’së: I ka kapë panika
Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK’së, Paris Guri, ka dalë me një reagim pas...
-
Moti i keq në vend, KESCO del me njoftim për ndërprerjet e rrymës
KESCO përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se për shkak të kushteve atmos...
-
Shi i madh e erëra të forta në Prishtinë, lagjen Lakishte e “merr” uji
Shi i madh e erëra të forta e ka kapluar mbrëmjen e sotme në Prishtinë, shkru...
-
Sërish tërmet në Shqipëri, epiqendra shumë pranë Gjirokastrës
Një tërmet me magnitudë 3.6 i shkallës Rihter është shënuar pak minuta më par...