Lajme

Deklaratat e Kurtit nga Brukseli, çfarë i tha Reutersit e çfarë zyrtarit të BE’së për Asociacionin dhe marrëveshjet me Serbinë

Autori: Gazeta inFokus 12:30 | 21 September 2024

Parakushti i Bashkimit Evropian që Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në kuadër të procesit të dialogut dhe të zbatojnë të gjitha obligimet nga marrëveshja Ohër-Bruksel dhe marrëveshjet e kaluara, në mënyrë që të mund të përfitojnë nga miliardat e Planit të Rritjes, ka shtyrë kryeministrin Albin Kurti që t’i zotohet Brukselit zyrtar për konstruktivitet dhe zbatim të të gjitha marrëveshjeve.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, të premten ka takuar Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, të cilit i ka dhënë zotime për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura me Serbinë në kuadër të dialogut për normalizim, ato që dalin nga Marrëveshja Bazike për Rrugën Drejt Normalizimit dhe gjithashtu edhe marrëveshjet e kaluara të Dialogut.

Kurti në këtë takim ka treguar se Kosova është e përkushtuar për të ecur përpara me procesin e normalizimit dhe është zotuar për angazhim konstruktiv.

-Advertisement-

“Në këtë kontekst, Kosova zotohet që plotësisht të zbatojë të gjitha obligimet respektive që dalin nga Marrëveshja Bazike për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Aneksi Zbatues i saj, përfshirë aty të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut. Detajet e implementimit do të diskutohen në dialog nën lehtësimin e BE-së”, ka thënë Kurti pas takimit me Koopman.

Megjithatë në një intervistë të dhënë të premten për “Reuters”, Kurti kur ka folur për Asociacionin, ka thënë se është i gatshëm të bisedojë për atë marrëveshje, por ka specifikuar se s’flet për diçka që do të cenonte Kosovën si shtet.

Kreu i Qeverisë së Kosovës gjithashtu ka qenë kritik për Perëndimin, për shkak të fokusimit të tyre vetëm tek çështja e Asociacionit, duke thënë se ka një gamë të gjerë marrëveshjesh mes Serbisë dhe Kosovës, e që Serbia ka dështuar që t’i zbatojë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera