Opinione

“Deklarata Kushtetuese – Gur themel i pavarësisë së Kosovës”

Autori: Arsim Bajrami 09:14 | 02 July 2025

(Me rastin e 35 Vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtuese 2 korrik 1990)

Njëqind e katermbëdhjetë delegatët e Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, para platofrmës së ndërtesës së Kuvendit miratuan dhe publikisht shpallën Deklaratën Kushtetuese.

Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës dhe të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe, në të njëjtën kohë, paraqiste hyrje në një periudhë tejet të rëndë për shqiptarët, të cilët po trajtoheshin jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por gjithashtu po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.

-Advertisement-

Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990 miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.

Një moment politik me rëndësi në ato rrethana ishte fakti se në Kosovë tashmë po vepronte një lëvizje e fuqishme demokratike shtetformuese në krye me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Ishte kjo koha kur në horizont tashmë dukej shpërbërja e qartë e ish-RSFJ-së, krijesë kjo artificiale dhe krejtësisht antishqiptare e dominuar kryesisht nga ambicjet dhe politika hegjemoniste serbe.

Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.

Por, sikundër pritej edhe në ato momente dramatike, Serbia menjëherë pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga Kuvendi dhe Këshilli Ekzekutiv i tij, deri te të gjitha institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore.

Nuk ka asnjë dyshim se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës, që do të shpjerë deri në ditët e sotme, kur Kosova tashmë gjendet në prag të përfundimit të shtetëndërtimit të saj. Në rrethanat e tanishme dhe pas përfundimit të luftës, gjenocidit, të masakrimeve, të eksodit masiv të popullit të Kosovës dhe të shkatërrimeve të tmerrshme, mund të thuhet se ekziston një kontinuitet i fuqishëm i përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri, për pavarësi dhe për shtetësi.

Ky kontinuitet nuk mund të mohohet nga askush dhe ajo që po përjeton tani Kosova është meritë e popullit, e atyre që për lirinë e Kosovës u angazhuan politikisht dhe ushtarakisht, e atyre që u sakrifikuan dhe dhanë jetën për lirinë, për demokracinë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Ka kaluar një kohë e gjatë nga 2 korriku i vitit 1990. Shumë ngjarje kanë pasuar pas saj, në atë kohë kishin filluar të shiheshin shenjat e para të dekompozimit të ish-Jugosllavisë dhe, siç bënin të gjitha ish-republikat e ish-Jugosllavisë, edhe ne aspironim për njësi federale; po ashtu ishim të detyruar të ndërmerrnim hapa mbrojtës kushtetues, juridik dhe politikë, në mënyrë që të jetësohej vullneti i popullit shqiptar. Qysh atëherë ishte fare e qartë se Kosova do të ishte shtet sovran dhe i pavarur. Ishte një kohë e karakterizuar edhe me një lëvizje jashtëzakonisht të fuqishme politike, që filloi në Kosovë me paraqitjen e partive të reja politike, konkretisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të partive të tjera, të cilat artikulonin vullnetin e popullit të Kosovës. Natyrisht, delegatët e Kuvendit të Kosovës e përcillnin në mënyrë shumë të përpiktë vullnetin e popullit për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Ishte kjo faza e parë e një veprimi të tillë legal të institucioneve legale në mënyrë që vullnetit të popullit t’i jepej forma kushtetuese juridike.

Nuk duhet harruar se me propozimin e Akademik Gazmend Zajmit ( autori i Deklaratës Kushtetuese) së pari është paraqitur Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës me deklaratën për pozitën kushtetuese juridike të Kosovës dhe për pozitën e shqiptarëve në kushtet e reja të krijuara. Në deklaratën e ASHAK-ut ishte formuluar shumë qartë pozicioni politik, kushtetues e juridik që kërkohej për Kosovën dhe për popullin e saj. Mund të themi se rëndësia e Deklaratës Kushtetuese për atë kohë ka qenë se ka filluar përfundimisht që Kosova ta marrë një rrugë të mëvetësisë për ta përcaktuar fatin e saj dhe të popullit të vet.

Të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur më pas kanë një lidhshmëri dhe janë pjesë e një procesi, e cila, , do të përfundojë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 me pranimin e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur nga bashkësia ndërkombëtare.

Deklarata Kushtetuese atëherë dhe sot ka një rëndësi të veçantë, sepse e definon shumë qartë vullnetin e popullit të Kosovës. Ky ishte një mesazh shumë i qartë sa i përket faktorit ndërkombëtar dhe ishte një akt që i bashkoi qytetarët e Kosovës në rrugën e tyre për pavarësi dhe për krijimin e shtetit sovran dhe të pavarur.

Natyrisht që shqiptarët e kishin një fat që filluan një vetorganizim në konceptin e rezistencës aktive-paqësore të dizajnuar nga Presidenti Rugova.  Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës ishte një nga arkitektet kryesor të projektit kombëtar për pavarësinë e Kosovës.

Lufta heroike e UÇK-së gjatë viteve 1997-1999 përfundimishtë e mundësojë përmbylljen e një epoke historike të përpjekjeve të kombit tonë për liri dhe pavarësi.

Deklarata Kushtetuese ishte edhe një akt politik-pragmatik sepse duke e shpallur Kosoven njësi e barabartë brenda federatës-konfederatës jugosllave shmangi Gjenocidin e Serbisë në fillim të procesit të shpërbërjes së federates jugosllave, që do të kishte pasoja shumë të rënda për Kosoven. Më vonë me Kushtetuten e Kaçanikut të dt. 7 shtator 1990 dhe amandamentet kushtetuese të vitit 1991 si dhe referendumin e këtij viti u përmbyll projekti i pavarësisë së Kosovës.

Lavdi të gjithë delegatëve që shpallen Deklaraten Kushtetuese të 2 kortikut 1990.

Urime të gjithë qytetarëve të Kosovës 35 Vjetori i Deklaratës Kushtetuese!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home nis epokën e franshizës në Belgjikë
-Advertisement-

Të tjera