Lajme

“Deklarata e Vulinit për botën serbe nuk është politikë zyrtare e Beogradit”

Autori: Gazeta inFokus 16:29 | 12 July 2022

Ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, tha se deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, se për stabilitetin e Ballkanit duhet që të gjithë serbët të jetojnë në një shtet, nuk është qëndrim zyrtar i Qeverisë së Serbisë.

Duke iu përgjigjur kërkesës së gazetarëve për të komentuar deklaratën e Vulinit, Mihajlloviq tha: “Nuk mund të ikim nga e kaluara, por duhet të bashkëpunojmë për hir të brezave që vijnë pas nesh”.

“Ajo deklaratë [e Vulinit] nuk është politikë zyrtare e Qeverisë së Serbisë, pa marrë parasysh se Qeveria është me mandat teknik. Si qytetar, ai ka të drejtë t’i shprehë të gjitha dëshirat e tij, aspiratat dhe ëndrrat, por një gjë e tillë nuk është qëndrim zyrtar i Qeverisë së Serbisë”, u tha Mihajlloviq gazetarëve në Sarajevë, ku edhe mori pjesë në një forum për energjinë.

-Advertisement-

Mihajlloviq tha se politikanët duhet të punojnë në projekte të përbashkëta, të cilat do të përmirësojnë ekonominë, e jo të merren me të kaluarën.

“Është koha të gjejmë mënyra të përbashkëta për bashkëpunim dhe të gjejmë interesin më të vogël të përbashkët, e ai është ekonomia dhe energjetika”, tha Mihajlloviq.

Vulin, në një intervistë për gazetën serbe, Politika, më 10 korrik, ka thënë se “mënyra e vetme që Ballkani të mbetet stabil, është që serbët të jetojnë në një shtet”.

“Të gjitha konfliktet në Ballkan fillojnë me diskriminim e serbëve. Aty ku i respektojnë të drejtat e serbëve, nuk kanë problem me ‘botën serbe’”, ka thënë Vulin.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Serbi, e cila ka thënë se ajo nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit apo aspiratat evropiane të Serbisë.

“Marrëveshja për Paqe e Dejtonit ruan paqen dhe stabilitetin. Të gjitha qeveritë dhe presidentët e Serbisë e kanë mbështetur deri më tani. Komentet e ministrit të Punëve të Brendshme për bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet nuk janë në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe bien ndesh me integrimin e Serbisë në strukturat evropiane”, ka shkruar Ambasada amerikane në Twitter, më 11 korrik.

Marrëveshja e Dejtonit është nënshkruar zyrtarisht më 14 dhjetor të vitit 1995 në Paris. Marrëveshja është nënshkruar nga udhëheqësit e atëhershëm: Alija Izetbegoviq i Bosnje e Hercegovinës, Franjo Tugjman i Kroacisë dhe Sllobodan Millosheviq i Jugosllavisë.

Kjo nuk është hera e parë që Vulin përdor termin “botë serbe”.

“[Presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq duhet të krijojë ‘botën serbe’. Beogradi duhet t’i mbledhë të gjithë serbët brenda dhe rreth vetes, ndërsa presidenti i Serbisë është president i të gjithë serbëve”, ka thënë Vulin më 26 shtator të vitit 2020.

Edhe më 18 korrik të vitit 2021, Vulin ka thënë se “detyrë e gjeneratës aktuale të politikanëve në Serbi është që të krijojë ‘botën serbe’ dhe t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”. /REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera