Sport

Debati rreth pagave, Flamurtari e ka marrë këtë vendim

Autori: Gazeta inFokus 19:29 | 09 April 2020

Pandemia që ka kapluar mbarë botën (koronavirusi) e ka goditur rëndë edhe futbollin, i cili aktualisht është “paralizuar”.

Skuadra të ndryshme, gjigantë botërorë, kanë hasur në probleme rreth pagave të futbollistëve dhe stafit në përgjithësi.

Për këtë problem, Flamurtari i Prishtinës e ka marrë vendimin që është përkrahur nga të gjithë në klub.

-Advertisement-

Drejtori Sportiv, Arbnor Morina, për Insportin ka treguar se është vendosur që pagat të jepen me 50 për qind. “Së pari duhet theksuar se Flamurtari deri më tani i ka kryer të gjitha obligimet ndaj futbollistëve, trajnerëve dhe të gjithë të punësuarve në klub”, është shprehur Morina.

“Sa i përket pagave për tash e tutje, tek ne është marrë një vendim, i cili pa asnjë hezitim është pranuar nga të gjithë. Dihet që i tërë financimi i Flamurtarit varet vetëm nga kryetari Imer Ademi. Prandaj, pas takimit që kemi pasur, unë, drejtori gjeneral Armend Ademi, drejtori menaxhues Agim Hasani, trajnerët, kapiteni dhe të tjerët, kemi vendosur që derisa situata të jetë e tillë, pagat të zvogëlohen për 50 për qind. Ky vendim është pranuar nga të gjithë dhe dua t’i falënderoj publikisht”, ka thënë Morina.

Ai është shprehur i kënaqur me gatishmërinë e të gjithëve për të pranuar këtë vendim, ndërsa ka shtuar: “Kryetari Ademi ka thënë se çdo ndihmë financiare që vjen nga Federata e Futbollit e Kosovës, do t’u shpërndahet futbollistëve dhe pjesës tjetër të stafit. Pra, te Flamurtari ekziston harmoni e plotë dhe vetëm lutemi që kjo situatë të kalojë sa më shpejt”, është shprehur drejtori i skuadrës kuqezi.

Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se futbollistëve rregullisht u shpërndahet programi javor i stërvitjeve dhe përmes aplikacionit të posaçëm përcillet puna e tyre.

Në fund, Morina e ka edhe një mesazh. “Uroj që  çdo qytetar i Kosovës dhe mbarë botës ta kalojë këtë situatë pa pasoja dhe sa më parë t’i kthehemi normalitetit”, ka uruar Arbnor Morina.

Pra, Flamurtari është shembull i mirë në këtë situatë delikate.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera