Lajme

Daut Haradinaj në gjykatë: Albin Kurti është veteran mashtrues, për të tjerët s’më kujtohet

Autori: Gazeta inFokus 16:39 | 26 February 2024

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”, Daut Haradinaj, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, në cilësinë e dëshmitarit, e ka quajtur Kryeministrin Albin Kurti ‘veteran mashtrues’.

Haradinaj, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit special Valdet Gashi, se meqenëse sipas përcaktimit ligjor përcaktohet se secili person i cili për shkak të veprimtarisë së tij si pjesëtar i UÇK-së është arrestuar gjatë periudhës ‘97-‘99 dhe është mbajtur në burg nga forcat e Serbisë, a ka pasur ndonjë kategori të tillë të personave që kanë aplikuar për veteranë luftëtarë, dëshmitari Haradinaj tha se “përpos Kryeministrit Kurti që është veteran mashtrues, për të tjerët nuk më kujtohet”.

Haradinaj ka deklaruar se te asnjë formular që është plotësuar nga kandidatët për veteranë pjesëtarë ose pjesëmarrës, anëtarët e komisionit qeveritar nuk kanë qenë të involvuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

-Advertisement-

Sipas tij, përgjegjësit kanë qenë në nivelet e dyta e të treta të komandantëve të kompanisë dhe skuadrës.

“Unë personalisht (mbaj) përgjegjësinë e komandantit të brigadës. I kam edhe me statistika. Prej krejt listës së aplikantëve, 24 janë përjashtu që nuk kanë qenë pjesëmarrës në luftë, ndërsa të tjerët në mënyrë kolektive e kom konfirmu që kanë qenë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Haradinaj,

Ai tha se prej luftëtarëve që kanë marrë pjesë më 24 mars 1998, të plagosur në Deçan janë 1 mijë e 264, kurse të vrarë 166 dëshmorë.

“Këtë e thash me qëllimin që me kuptu gjykata që shtabet lokale në nënzonat operative në rajonin e Dukagjinit kanë me qindra dëshmorë deri në krijimin e brigadave. Tash nëse ju nuk ju njihni veteranëve qysh e njohim statusin e dëshmorit ose invalidit të luftës, këta duhet me kuptu gjykata që pikërisht këtu është kontesti”, tha Haradinaj.

Tutje, i njëjti ka sqaruar se ai nuk kishte marrë pjesë në verifikim, por ka qenë i involvuar direkt dhe se mban përgjegjësi për të gjitha nivelet, prej komandantit të brigadës deri te ushtari i fundit se si ka shkuar procedura.

“Asnjë formular nuk është pranu në komision nëse nuk e ka pas nënshkrimin e udhëheqësve të njësive, po flasim në nivelin lokal, që i bie komandant të shtabeve lokale, komandant skuadre, shef logjistike, shef i policisë ushtarake apo secili në sektorin e vet e ka marrë përgjegjësinë për atë që i takon. Që i bjen që mban përgjegjësi secili për atë që e ka shkru e që e heq përgjegjësinë nga komisioni qeveritar”, ka thënë Haradinaj.

Ai tha se, meqenëse ka qenë një proces voluminoz, ka mundur të ketë lëshime apo shpërdorime në raste të kufizimeve të individëve.

“Por për këtë situatë, kemi njësi lokale të cilat merren me shpërdorimin e caktuar dhe qëndrimi im ka qenë që institucionet të bëjnë punën e vet, aty ku u bë shpërdorimi në nivele më të ulta, por jo te komisionet qeveritare”, tha Haradinaj.

Tutje, ai tha se jo vetëm Agim Çeku, por asnjë kryetar apo anëtar i komisionit nuk ka mundur të ndërhyjë në nivel të udhëheqësve lokalë.

Haradinaj tha se nuk është e vërtetë që ka nënshkruar ndonjë formular, por se ka qenë i inovluar indirekt prej ditës së parë derisa ka përfunduar procesi.

Ai tha se komandanti i brigadës e ka organizuar komplet funksionimin e strukturave për aplikim nga aplikantët, dhe se gjithçka në këtë drejtim është përgjegjësi e tij personale si komandat i zonës, i Brigadës 131, apo më saktësisht i rajonit të Deçanit.

Tutje, Haradinaj tha se në radhët e UÇK-së kishte të angazhuar edhe dhjetëra të mitur të cilët shërbenin në logjistikë, në mirëmbajtjen e objekteve apo në kuzhinë. Ai tha se njëri nga ata ka qenë ai vetë.

“Unë personalisht jam një prej veteranëve që kam qenë nën moshën 18-vjeçare aktiv në luftë”, tha ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera