Lajme

DASH kritikon sulmin e Vuçiqit ndaj Josephit

Autori: Gazeta inFokus 08:55 | 10 January 2023

Nuk ka vend në shoqëritë demokratike për taktikat e njollosjes kundër qytetarëve, sikurse ato që janë përdorur ndaj Edward Joseph, shkroi në Twitter Departamenti amerikan i Shtetit për Evropën dhe Azinë.

Përveç këtij njoftimi, Joseph e publikoi edhe deklaratën ku ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë akuza serioze dhe të pabaza ndaj tij gjatë një paraqitjeje të ligjerit serb në një televizion në Serbi më 30 dhjetor.

Departamenti amerikan i Shtetit shtoi se zërat e pavarur dhe organizatat e shoqërisë civile promovojnë llogaridhënien dhe transparencën.

-Advertisement-

“Ne vlerësojmë ata që ndërtojnë shoqëri paqësore në Ballkanin Perëndimor”, tha DASH-i.

Ky postim në Twitter u shoqërua me një fotografi të Josephit me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar.

Çfarë tha Vuçiqi?

Më 30 dhjetor, gjatë një paraqitjeje në televizionin Prva, Aleksandar Vuçiq, e quajti Edward Josephin, – ligjërues në Universitetin Johns Hopkins dhe ish-kreu i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – “bot shqiptar” lidhur me atë që Joseph kishte deklaruar një ditë më parë në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë.

Duke e quajtur “bastard” Josephin, Vuçiq po ashtu deklaroi për televizionin serb se ky ekspert i Ballkanit merr “shumë para nga lobi shqiptar”.

Presidenti serb nuk ofroi dëshmi për këto pretendime.

Çfarë tha Joseph në intervistë dhe pas deklaratës së Vuçiqit?

Gjatë intervistës për REL-in, mes tjerash, Joseph potencoi se sa i përket barrikadave të ngritura nga një grup i serbëve lokalë në veri të Kosovës, që bllokuan rrugët për pothuajse tri javë, Vuçiq “po manipulonte Shtetet e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian”.

Ai po ashtu tha se qetësia në Kosovë, pas heqjes dorë nga barrikadat, do të zgjasë “deri kur Aleksandar Vuçqi të vendosë se i duhet një krizë e re në Kosovë”.

Pas akuzave të Vuçiqit, Joseph shkroi në Twitter se ato janë “krejtësisht të rreme” sa i përket lidhjeve të pretenduara financiare mes tij dhe “lobit shqiptar”.

“Alekskandar Vuçiq nuk ka dëshmi për t’i mbështetur këto akuza serioze sepse lidhje të tilla nuk ka dhe nuk ka pasur asnjëherë. Qëndrimet e mia janë produkt i dhjetëra viteve në terren – në të gjitha konfliktet në Ballkan, përfshirë edhe vitet e luftës”, shkroi Joseph.

Ai shtoi se duke e ofenduar dhe sulmuar personalisht atë, Vuçiq tregoi edhe një herë karakterin e tij.

“‘Nepristojan’ është një fjalë e sjellshme serbe për sjelljen ngacmuese të Vuçiqit. Diplomatët duhet të respektojnë zyrën e presidentit serb. Banorët? Jo dhe aq”, theksoi Joseph./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera