Sport

Dardanët zhvilluan stërvitjen e fundit në Athinë para ndeshjes me Greqinë

Autori: Gazeta inFokus 20:29 | 13 October 2020

Kombëtarja e Kosovës sot në mesditë ka arritur në Athinë dhe është akomoduar në hotelin “Radisson Blu Park”, derisa në mbrëmje e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore në Stadiumin Olimpik në kryeqytetin helen para përballjes së nesërme me Greqinë në kuadër të grupeve të Ligës C në Ligën e Kombeve.

Përkundër faktit që në këtë ndeshje Dardanët do t’i kenë edhe tri mungesa tjera të rëndësishme, ngase për shkak të lëndimeve me ekipin nuk udhëtuan Arbër Zeneli, Valon Berisha dhe Edon Zhegrova, atmosfera në ekip është e mirë dhe të gjithë janë të motivuar për të dhënë maksimumin dhe për t’i dhënë fund serisë së rezultateve negative.

Para stërvitjes në konferencën për media, mbrojtësi Mërgim Vojvoda dhe përzgjedhësi Bernard Challandes dhanë opinionet e tyre për këtë ndeshje.

-Advertisement-

“Të gjithë jemi gati për lojë, nuk ka rëndësi se kush luan apo cilët lojtarë i kemi në dispozicion. Kjo ndeshje nuk do të jetë e lehtë, ngase po i luajmë tri ndeshje brenda 7 ditëve. Sidoqoftë secili prej nesh do të japë 100 përqindëshin në fushë nga minuta e parë e deri në të fundit. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë nesër. Askush më shumë se ne lojtarët nuk e do fitoren. Nuk kemi ardhur këtu për të fjetur, por për të fituar”, ka theksuar Vojvoda, i cili ka ftuar opinionin që të vazhdojnë mbështetjen e tyre edhe në këtë periudhë kur po mungojnë rezultatet pozitive.

Në anën tjetër, përzgjedhësi Challandes është shprehur i befasuar me kritikat e shumta në adresë të ekipit, duke pasur parasysh se tashmë luajmë në një ligë ku niveli i kundërshtarëve është shumë më i fortë se sa në Ligën D.

“Të gjithë e dinë që kjo nuk është një kohë e mirë për ekipin tonë. Kemi pasur shumë telashe, ku problemet kryesore kanë qenë lëndimet e futbollistëve. As rezultatet nuk ishin të mira. Ishim të zhgënjyer pas ndeshjeve me Maqedoninë e Veriut dhe Slloveninë, por duhet të qëndrojmë pas ekipit. Mos harroni se në kontingjentin tonë prej rreth 30 lojtarësh na mungojnë 10 prej tyre. Nuk po dua të justifikohem dhe të flasë për lojtarët që nuk janë me ne, por ky është një tregues i qartë se çfarë mungesash kemi. Një tjetër gjë me të cilën jam befasuar është fakti se kritikat ndaj ekipit kanë qenë shumë të rënda. As unë nuk jam trajner që dua të humbasë, por para se të analizoni e komentoni duhet të merrni parasysh edhe cilësinë e kundërshtarëve”, ka thënë Challandes.

Rreth ndeshjes së nesërme me Greqinë, timonieri i Dardanëve është shprehur: “Greqia ka traditë në futboll, ka prodhuar shumë futbollistë, ka klube të mëdha që garojnë në nivele të mëdha dhe nëse mendoni se është e lehtë gaboheni”.

Ndeshja Greqi – Kosovë zhvillohet të mërkurën në orën 21:45, sipas kohës lokale në Athinë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera