Sport

Dardanet mbizotërojnë dhe ngadhënjejnë ndaj Lazios C

Autori: Gazeta inFokus 20:30 | 18 February 2020

Në një ndeshje për mbamendje, ku çdo gjë ishte e menduar dhe studiuar me tru dhe e zbatuar me këmbë në fushën e gjelbër, Kombëtarja e Kosovës e femrave e përbërë prej vashave U16, U19 e U23, ka triumfuar ndaj Lazios C (përbërja nga rajoni i Lazios) me rezultat të thellë 8:0 në kuadër të turneut ndërkombëtar për femra “IL CALCIO E’ ROSA”.

Pas fitores 3:0 kundër Balzanos, vashat tona në këtë ndeshje dëshmuan edhe më shumë cilësi duke ngadhënjyer ndaj vashave të Lazios, të cilat me gjithë përpjekjet e vazhdueshme  nuk arritën të shënojnë të paktën golin e nderit edhe për fakton se gardiania e Kosovës Florentina Kolgeci ishte gjithmonë në vendin e duhur.

Dardanet e nisën serinë e golave qysh në minutën e 7-të përmes Laureta Lulajt. Për rezultatin 2:0 u përkujdes kapitenia Edona Kryeziu që shënoi në minutën e 30-të, ndërkaq në minutën e 33-të Verona Berisha shënon golin e tretë për ta përmbyllur pjesën e parë me rezultat 3:0.

-Advertisement-

Edhe pjesa e dytë nisi furishëm nga vajzat e Kosovës, të cilat shënojnë për rezultatin 4:0 në minutën e 44-të përmes Kaltrinë Biçkaj.

Futbollistja e cila shënoi edhe në ndeshjen kundër Balzanos, arriti të shënojë sërish në minutën e 48-të duke ngritur epërsinë në 5:0.

Futbollistet e Kosovës nuk u ndalen për asnjë çast por vazhduan të sulmojnë, kështu në minutën e 60-të Donika Graiçevci shënoi për 6:0. Ndërkaq, ishte Njomëza Osmani ajo e cila shënoi për epërsinë 7:0 dhe fundit në listën e shënueseve u regjistrua mesfushorja jonë më e mirë Blertë Shala e cila në minutën e 77-të përmbylli këtë ballafaqim me rezultatin përfundimtar 8:0.

Të kujtojmë se ndeshjet janë zhvilluar nga 40 minuta secila pjesë. Nesër vashat e kanë ditë pushim, ndërsa ndeshjen e radhës do ta zhvillojnë pasnesër më 20 shkurt kundër Uellsi C në orën 14.30.

Kosova – Lazio C  8:0 (3:0)

Stadiumi: “Luigi Ariola” Cave

Shikues: disa dhjetëra

Gjyqtarë: D. Galderisi, P. Biancili e L. Arrcidagono.

Shënuese: L.Lulaj(7), E. Kryeziu(30), V. Berisha(33), K. Biçkaj(43), F. Berisha(48), D. Graiçevci(60), N. Osmani(67) e B. Shala(77) për Kos.

K.V. E. Bajrami(Kos) e Onori e Zuzzi të Laz.

Kosova. F. Kolgeci, D. Halilaj(E. Barami), V. Berisha(L. Misini), L. Temaj, B. Shala, K. Biçkaj(N. Osmani), E. Kryeziu(D. Shala), D. Lajçi, F. Berisha(D. Graiçevci), L. Lulaj, B. Rexhepi.

Lazio C: Perigli(Scarpillino), Mantello, , Fioretti, Fabi(Zuzzi)(Proitetti), Moricheti, Valeri, Patierno, Onori, Gidici e Cosentino.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera