Lajme

Çudia në Parlament, VV dhe “Srpska” votojnë njëjtë për ligjin që prek veteranët, të enjten protestë

Autori: Gazeta inFokus 16:50 | 14 June 2022

Pavarësisht protestave të ashpëra të mbajtura nga veteranët javën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti nuk është zmbrapsur në synimin e saj për të shtyrë përpara miratimin në parim të Projektligjit për pagën minimale. Një gjë e tillë u bë sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pa i përfshirë në Projektligj fare veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E si për çudi, njëjtë sikur deputetët e VV-së kanë votuar edhe ata të “Listës Serbe” të cilët kanë qenë të pranishëm në Kuvend. Kjo gjë ka shkaktuar reagime të ashpëra nga partitë opozitare që e kanë akuzuar partinë e Kurtit për bashkëpunim me “Listën Serbe”, akuzë kjo që u mohua nga vetë deputetët te VV-së, derisa ka pasur edhe nga brenda grupit parlamentar të VV-së që s’janë pajtuar me atë çfarë ka ndodhur në Kuvend. Deputeti i VV’së, Fatmir Humolli, në shenjë proteste për votimin e VV’së sot në Kuvend, ka lëshuar sallën madje edhe ka goditur tavolinën me grusht. Ndërkohë veteranët e UÇK-së do të protestojnë përsëri të enjten.

Me veprime protestuese votimi u përcoll edhe nga deputetë të tjerë të opozitës. Gjatë kohës sa u ngritën duart pro u dëgjuan thirrjet “marre” nga ulëset e opozitës, ndërkaq jashtë Kuvendit u panë forca të shtuara të policisë në rast të ndonjë proteste të veteranëve.

-Advertisement-

Kryeparlamentari Glauk Konjufca para se të hidhte në votim këtë projektligj tha se të gjitha debatet kanë përfunduar për këtë çështje dhe se s’do t’i kthehen edhe njëherë temës së nxehtë. Megjithatë, fjala iu dha shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, i cili edhe njëherë bëri thirrje që të hiqet nga rendi i ditës dhe që projektligji të kthehet prapë në Qeveri.

Kjo thirrje e tij s’u dëgjua.

Me 68 vota pro, gjashtë abstenim dhe asnjë kundër u miratua në parim projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

Votat për i dhanë edhe deputetët e Listës Serbe – vota të cilët më pas e bënë edhe më të ashpër reagimin nga kundërshtuesit e kalimit të këtij projektligji.

I pari që e akuzoi Vetëvendosjen se gjeti gjuhë të përbashkët me Listën Serbe ishte vetë deputeti i kësaj partie. Fatmir Humolli i tha Gazetës Express se LVV-ja gjeti mbështetje te Lista Serbe për këtë projektligj, ndërsa tha se kolegët e tij deputetë që votuan pro “nuk flasin me tru të tyrin”.

“Unë kam thënë publikisht që jam kundër. Ligji i anashkalon veteranët e luftës. Sot Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë Listën Serbe konstruktive dhe e ka kaluar ligjin”, tha deputeti derisa njoftoi se po e shqyrton votën e tij pro Qeverisë Kurti.

“Edhe këtë vit kam thënë që me votën time nuk e rrëzoj këtë qeveri, vetëm për tradhti kombëtare… Tani do ta shqyrtoj këtë. Unë do të marr vendim si rezultat i rrethanave. Nëse e gjejnë gjuhën e përbashkët me Listën Serbe, nuk e gjejnë me mua”, tha deputeti Humolli.

Akuzë të ngjashme pati edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Por, me tone më të ashpra.

“Sot është një ditë e çuditshme për Parlamentin e Kosovës. Jam i bindur që edhe Rrahman Morina sot do ia kishte lakmi Glauk Konjufcës dhe Albin Kurtit sa larg kanë shku! Sot pamë një fitore të fëmijëve të UDB-së, e përkrahur edhe me votat e Listës Serbe e cila përjashton veteranët e UÇK-së nga Ligji për Pagën Minimale”, tha Haradinaj në një konferencë për media.

Në konferencë doli edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, veçse ky para se të mbahej seanca për të treguar se në shenjë proteste nuk do të jenë prezentë në sallën e Kuvendit kur të votohet për këtë projektligj. Ai e akuzoi Qeverinë Kurti për një qasje shpërfillëse ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me vendimin për të mos e përfshirë kontributin e veteranëve të UÇK-së në ligjin e ri që përcakton pagën minimale, Kryeministri Kurti është duke u përpjekur të lëkundë themelet e dinjitetit të këtyre burrave e grave, që janë më meritorët për lirinë që e gëzojmë sot. Kjo nuk është vetëm padrejtësi ndaj veteranëve, por edhe përpjekje për të tjetërsuar të vërtetën historike mbi të cilën qëndron themeli i lirisë dhe pavarësisë sonë”, tha ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës ishte brenda në sallë, por s’dhanë votë pro.

Derisa deputeti i VV-së, Armend Muja, ka reaguar pas akuzave se kanë bashkëpunuar me “Listën Serbe”, duke thënë se e kanë pasur kuorumin edhe pa votat e deputetëve serbë.

“Paga Minimale: 74 deputetë kanë marrë pjesë në votim për pagën minimale, 68 vota ishin PËR. VV paraprakisht kishte siguruar kuorumin dhe votat për kalim të ligjit. Kur opozita e kanë parë që e kemi kuorumin edhe pa Listën Serbe, ata kanë qëndruar në sallë, pikërisht që t’ia japin një këso spin-i se kinse Lista Serbe ishte vendimtare. Gënjeshtër e qartë, dhe sigurisht plan i ligë, që dështoi. Edhe pa votat e Listës Serbe do të kalonte. Urime kalimin në lexim të parë të pagës së re minimale 264 euro që paraqet rritje për 55% përkatësisht 103%!”, ka shkruar Muja.

Tensione në tone e veprime pati edhe në protestën e javës së kaluar të veteranëve që u organizua nga OVL e UÇK-së. Ata javën e kaluar kishin kaluar rrethojat e objektit të Kuvendit me tentimin për t’u futur brenda dhe për të parandaluar miratimin e projektligjit, i cili të hënën e kaluar edhe ashtu dështoi për shkak të mungesës së kuorumit. Aty u pa të hidhet edhe gaz lotsjellës, për të cilin Policia e Kosovës tha se e bëri dikush nga protestuesit. Për të shpërndarë ata u përfshi edhe Njësia Speciale. Sipas Policisë, dy zyrtarë policorë janë lënduar në protesta dhe një qytetar ka kërkuar ndihmë mjekësore, për shkak të gazit lotsjellës në ato ambiente.

OVL e UÇK-së dje doli me një deklaratë ku tha se për sot nuk kanë mundur të organizojnë protestë për shkak të kohës së shkurtë, por i la në gatishmëri veteranët të thirrjes për një protestë me pjesëmarrje masovike.

“Nesër do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës dhe si pikë është përsëri miratimi i projektligjit për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit ky pushtet po do që t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale. Nuk mund të organizojmë protestë për nesër, sepse është kohë e shkurtër. Ju duhet që të jeni në kontakt me degët tona në mënyrë që kur ju thërrasim të dilni sa më masovikisht. Nëse ky pushtet e ndryshon ligjin, ne ju thërrasim për protestë ku do të qëndrojmë aty deri në realizimin e të drejtave tona”, kishte shkruar dje Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të OVL UÇK-së.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, pati deklaruar se çështje me veteranët dhe pakënaqësitë e tyre janë të trashëguara nga qeverisjet e mëhershme. Ajo përmendi edhe fryrjen e listave të veteranëve, për të cilën tha se duhet trajtuar me seriozitet.

“Situata me veteranët është situatë e cila tashmë ekziston që shumë vite, nuk është situatë e cila është krijuar vitin e fundit, nuk është qeveria Kurti që ka përkeqësuar rrethanat ose ka përkeqësuar pagën ose gjendjen e veteranëve të luftës në Kosovë, mos të harrojmë, krejt çka janë siguruar më herët qeveritë është që në procese ose para zgjedhjeve si të rriten listat e veteranëve që ta të mundet t’i shfrytëzojnë pastaj ato për vota, por jo që realisht ata veteranë të cilët me të vërtetë meritojnë shumë trajtim më dinjitoz të përmirësohen kushtet. Është një e vërtetë gjithashtu që e kemi një deformitet në listat e veteranëve që është konsideruar se duhet të trajtohet me seriozitet, që ka ndodhur ndër vite, natyrisht dhe që gjithë veteranët e meritojnë trajtimin shumë më dinjitoz sesa që e kanë pasur deri më tani”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera