Lajme

COVID-19 me shifra alarmente në Shqipëri, Pipero: Të shtrëngohen masat!

21:14 | 20 February 2021

Shifrat e të prekurve me Covid-19 sa vijnë e shtohen çdo ditë e më shumë dhe situata është bërë shumë alarmante. Ditën e sotme u raportua se 3 spitalet Covid janë drejt ezaurimit dhe nuk pranohen më pacientë të rinj, vetëm nëse ndërron jetë ndonjë apo shërohet.

Duke parë situatën, infeksionisti Pëllumb Pipero rekomandon që të merren masa të tjera shtrënguese. Në një interviste për “A2 Neës” ai është shprehur se deri në fund të marsit duhet të mbyllen shkollat dhe lokalet dhe numri i udhëtarve në transportin publik të jetë i limituar.

“Deri nga fundi i marsit masat duhet të ishin më të shtrënguara, orari i kafeneve më i shkurtuar, të mos shërbehet në tavolina, por “delivery”. Shkollat e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm të ishin mbyllur deri në fund të marsit. Edhe pse nuk është zgjidhje e problemit, është zgjedhje e detyruar për nga ritmet e pandemisë pasi nuk janë kështu vetëm në vendin tonë”, është shprehur Pëllumb Pipero.

Ai ka shtuar se përhapja e virusit po favorizohet nga temperaturat e ulëta dhe indiferenca e të rinjve që nuk tregojnë kujdes.

“Kemi raste të shtuara të sëmundjes dhe forma të rënda dhe humbje të jetës dhe tek moshat e reja. I këshilloj të jenë të kujdesshëm që do të thotë të mbajnë maskë, distancë dhe higjienë. Edhe një lutje kam për ta, të frekuentojnë sa më pak, kafenetë dhe mjediset e mbyllura”, shtoi mjeku.

Pak ditë më parë Pipero arriti të fitonte betejën me Covid-19. Si fillim u tha se mjeku e kishte kaluar shumë rëndë sëmundjen dhe se kishte shkuar për kurim në Itali. Ai është shprehur se sëmundjen e ka kaluar në shtëpi dhe jo jashtë vendit.

“Kam kaluar një formë nga e lehtë në të mesme të kësaj sëmundje. Kam pasur shumë pagjumësi dhe ankth për të cilat kam pasur ndihmën e kolegëve të mi. Jam trajtuar në shtëpi dhe jo jashtë vendit”, tregoi ai.