Opinione

Çoroditja e politikanëve

Autori: Gazeta inFokus 19:14 | 11 August 2017

Kur ministrja e Drejtësisë ankohet për padrejtësi!

Shkruan: Lavdim Hamidi

Ende pa mbaruar lufta për pushtetin qendror në Kosovë, sapo ka filluar një luftë e re mes politikanëve për pushtetin lokal.
Si zakonisht në Kosovë beteja zgjedhore nis së paku dy muaj para kohe, ku drejtuesit e institucioneve qendrore dhe lokale braktisin detyrat institucionale, për të cilën kanë marrë besimin e qytetarëve dhe marrin detyra partiake.
Ata marrin për obligim që të akuzojnë me fakte ose pa fakte kundërshtarët politik, me një qëllim të vetëm: Të fitojnë më shumë vota në zgjedhje.
Kjo edhe po ndodhë me drejtues të shumë Ministrive dhe Komunave, të cilët dalin pothuajse çdo ditë në konferenca partiake për t’i akuzuar rivalët e tyre politik, ndonëse “dorën në zemër” shpeshherë po ia huqin cakut dhe po dalin joserioz para opinionit.

-Advertisement-

***
Rasti më i rëndë i kësaj fushate parazgjedhore më duket i ministres së Drejtësisë në detyrë, Dhurata Hoxha, e cila në konferencat partiake dhe në statuset e saj në “Facebook” fletë për padrejtësitë e sistemit të drejtësisë në vend.
Është e çuditshme se si ministrja e Drejtësisë së një shteti akuzon drejtuesit e opozitës që këto të fundit duhet të përgjigjen për arsyet e vetëvrasjes së Astrit Deharit dhe vëllaut të tij, Arbënorit!
Nëse një ministre e Drejtësisë e din të vërtetën e këtyre vetëvrasjeve besoj se e din edhe vendin e saktë se ku duhet të drejtohet dhe jo ta kontaminoj edhe më shumë ambientin politik me deklarata të tilla paradoksale për dy raste të rënda që i kanë shqetësuar më së shumti qytetarët në vend.
Ajo poashtu ankohet se nuk e kupton se si kryetari Shpend Ahmeti asnjëherë nuk dha llogari për vdekjen e dy fëmijëve në një gropë në Prishtinë.
Nuk besoj se dikush, qoftë edhe Shpendi, vullnetarisht jep përgjegjësi për raste të tilla të rënda, por institucionet e drejtësisë, në krye të së cilëve qëndroni ju ministre, duhet t’i kërkojnë llogari ligjore, nëse kanë fakte se vdekja e fëmijëve ka ndodhur për shkak të neglizhencës direkte të kreut të Komunës. Përndryshe, s’keni pse ankoheni.

***
Për mbushjen e institucioneve me militantë partiak nga partitë në pushtet më e zëshmja gjatë këtyre viteve të fundit ka qenë partia opozitare, lëvizja “Vetëvendosje”.
Por, me akuzat e opozitës në Prishtinë(PDK) se gjatë mandatit të Shpend Ahmetit në krye të Komunës më të madhe në vend janë punësuar qindra militantë të “Vetëvendosjes”, dikush nga kjo parti duhet të jap përgjigje.
Në të kundërtën është pranim i këtyre akuzave nga Shpend Ahmeti dhe tendencë politike e PDK-së që ta dëshmoj se nuk janë vetëm ata që kanë punësuar militantë partiak e familjarë në institucione, por është edhe lëvizja “Vetëvendosje”, e cila qeverisë më vetëm një Komunë në vend dhe ka bërë veprime të ngjashme.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera