Opinione

Ç’orkestër kundër çlirimtarëve!!!

Autori: Gazeta inFokus 10:37 | 07 November 2020

Që prej se ekziston njerëzimi ekzistojnë dhe luftërat. Në luftë nuk shkojnë të gjithë, por vetëm ata që munden dhe kanë guximin të shkrepin armën kundër armikut. Lufta nuk pyet në të jesh bujk, intelektual, i urtë apo agresiv, ajo do njerëz që janë të gatshëm për të. Llojet e luftërave kanë qenë gjithmonë të ndryshme duke filluar nga ato çlirimtare e deri tek ato pushtuese. Luftërat pushtuese bëhen për të nënshtruar apo shfarosur popuj, siç ka ndodhur jo rrallëherë në histori, për dominim e primat si dhe për të pushtuar toka e resurse të huaja. Ndërkohë që luftërat çlirimtare, përpos që gjithnjë imponohen nga pushtuesit, bëjnë pikërisht të kundërtën e luftërave pushtuese.

Shqiptarët historikisht bënë vetëm luftëra çlirimtare. Nëse si popull shqiptar nxjerrim një bilanc mbi 2500 vjeçar, atëherë nuk është e vështirë të vërtetohet fakti se fatkeqësia apo madhështia më e madhe e shqiptarëve – për dallim prej popujve evropianë – është se gjithmonë bëmë luftëra çlirimtare dhe vetëm çlirimtare, asnjëherë nuk patëm projeksione pushtuese apo zgjeruese në kurriz të popujve tjerë siç patën pothuaj të gjithë popujt evropianë. E pushtuesit, që prej se ekziston njerëzimi, problemin e kanë pikërisht me çlirimtarët, sepse janë çlirimtarët ata që i kthejnë armën pushtuesit. Kjo nuk do të ndryshojë as në të ardhmen.

Parandoria Romake sulmonte pikërisht ata prijës të fiseve ilire që i kthenin shpatën, kujtoni Luftërat Iliro-Romake. Perandoria Osmane sulmonte Skenderbeun me patriotë tjerë shqiptarë, sepse ishte pikërisht ai që po i prishte planet pushtuese. Serbia, Greqia dhe sllavë tjerë të Jugut që 150 vite luftojnë ato forca të shumta shqiptare, që me armë në dorë, për aq sa mundnin, po prishnin planet pushtuese të tyre. Jugosllavia përndiqte, luftonte e vriste pikërisht ata shqiptarë që po bënin plane për kryengritje të armatosur kundër saj. Të njëjtin avaz e vazhdoi Serbia deri në luftën e vitit 1998-1999.

-Advertisement-

NATO intervenoi ushtarakisht pikërisht për të ndëshkuar strukturën ushtarake, forcat policore dhe paramilitare serbe, të cilat po zbatonin projektin gjenocidal të polikikës serbe kundër popullit shqiptar. Gjithsesi që Serbia dhe sllavë tjerë të jugut, sikur të gjithë pushtuesit në Evropë dhe botë, përpos që ndiqnin dhe vrisnin pa asnjë mëshirë shqiptarët që kishin rrokur armët kundër tyre, nuk kursyen kurrë nga terrori as gra, as fëmijë e as pleq, kjo për të shfarosur shqiptarët kudo që ishin.

Derisa populli shqiptar edhe sot vazhdon të mbetet populli më i varfër, më i ndarë, më i nëpërkëmbur, më i përçarë dhe pse jo më i papërkrahuri në Evropë, siç deri dje ishte më i terrorizuari dhe gjenociduari në Evropë, asnjëherë brenda vetes – pavarësisht rrethanave të rënda historike si popull – nuk pranoi antivlera evropiane siç ishin luftërat pafund pushtuese (përfshirë luftërat e tmerrshme fetare) që popuj të ndryshëm të Evropës kishin bërë brenda dhe jashtë saj. Populli shqiptar edhe pse i pushtuar nga Perandoria Osmane – me aq sa pati, diti dhe mundi – i kryesuar nga Skenderbeu, po bënte luftë çlirimtare për vete dhe për tërë Evropën. Të njëjtat përpjekje titanike po i bënte populli shqiptar dhe kundër Perandorisë Romake, e cila me pushtimin e saj zhduku gjurmë e gjurmë të ilirëve e pellazgëve, paraardhësve të drejtëpërdrejtë të shqiptarëve. Njëjtë vazhdoi dhe Perandoria Romake e Lindjes, pra Bizanti.

Edhe në aspektin fetar, nëse populli shqiptar – si pasardhës i drejtëpërdrejtë i pellazgëve dhe ilirëve – nuk ishte as katolik, ortodoks e as musliman, ishin pikërisht evropianët ata që na bënë katolikë e ortodoksë dhe osmanët ata që na bënë muslimanë. Pra, duke qenë populli më i vjetër në Evropë dhe duke bërë përpjekje titanike për të ruajtur origjinalitetin dhe autoktoninë, populli shqiptar nuk mori asnjë element nga lindja siç ishin krishterizmi dhe muslimanizmi. Kurse, Evropa sot është shumica e krishterë, një vlerë kjo që gjenezën e ka saktësisht në lindje.

Ishte vetë Greqia ajo që vinte nga Egjipti i lashtë dhe që në Evropë po instalonte vlera lindore dhe për këtë ka libra e libra. Duke mbetur historikisht origjinalë jo rastësisht mbeti Gjuha Shqipe si fosilja më e vjetër në Evropë, e një populli gjuha e të cilit është e veçantë nga të tjerat. Madje veçantësia, pastërtia, pasuria dhe begatia e saj kishte arritur ta guduliste edhe mendimtarin dhe dijetarin e shquar gjerman të kohës Gottfried Leibniz, fakt ky që e përmend shkrimtari i ynë i madh Ismail Kadare në librin e tij eseistik “Mosmarrëveshja”.

Nuk do mend që shqiptarët ishin shembull i të qenurit autokton, origjinalë, fisnikë, human dhe për më tepër kurrë pushtues. Se a ishte kjo madhështi apo fatkeqësi po jua lë juve të vendosni lexues të nderuar. Gjithsesi, edhe pse të krishterizuar nga Evropa dhe të muslimanizuar nga Perandoria Osmane, shqiptarët tradicionalisht kanë arritur ta kapitalizojnë dhe transformojnë trekonfesionalizmin si vlerë, si tolerancë dhe si akceptancë, diçka që Evropa dhe pothuaj askush në botë asnjëherë nuk ka mundur dhe ende nuk po mund ta bëjë. Ndërsa, kjo vlerë shqiptare trekonfesionale tolerante dhe akceptante, sado e injektuar nga Evropa dhe Perandoria Osmane, asnjëherë nuk i ka pëlqyer Serbo-rusisë, e cila, nga zilia, vazhdimisht është munduar dhe ende mundohet ta godasë pikërisht këtë harmoni trekonfesionale brendashqiptare si shembull dhe vlerë përmasash globale.

Të kthehemi te luftërat pushtuese si anti-vlerë evropiane dhe jo vetëm. Mos të harrojmë se Evropa vetëm me ndihmën e SHBA-së, edhe atë vetëm një herë si duhet në histori arriti që globalisht ta dënonte luftën pushtuese të Gjermanisë si anti-vlerë evropiane, përndryshe luftërat, si anti-vlerë evropiane, asnjëherë para dhe pas luftës pushtuese të Gjermanisë nuk morën përgjigjen e duhur evropiane. E kjo i konfirmonte luftërat pushtuese si antivlerë evropiane nga vetë Evropa. Ndërkohë që shqiptarët që mbi 2500 vjet dëshmuan se janë kundër vlerave anti-evropiane të Evropës, pra luftërave pushtuese, e që ishin mijëra të tilla (përfshirë luftërat fetare) nga Evropa brenda dhe jashtë saj, përfshirë kolonizimet e tmerrshme dhe terrorizuese nëpër botë. E absurdi është se shumë shtete evropiane këto kolonizime të tyre edhe sot i quajnë kulmi i qytetërimeve të tyre. Pra, lufta pushtuese si antivlerë tentohet të shitet si vlerë evropiane.

Dhe kur në linjë me antivlerat evropiane po bashkohej dhe Rusia me disa aleatë evropianë që po mbështesnin satelitët e tyre greko-sllavë për të marrë sa më shumë toka të shqiptarëve në kohën kur Perandoria Osmane po vdiste dhe ku për shkak të kësaj padrejtësie historike pati filluar vetë Lufta e Parë Botërore, shqiptarët edhe pse u munduan të mbroheshin nga fqinjët gllabërues sllavo-grekë, u dëmtuan në njerëz, territore e resurse më shumë se çdo popull në Evropë e ku paqja e brishtë evropiane po mbahej hëpërhë vetëm mbi kurrizin e shqiptarëve për të cilët Maurico Druon, Sekretar i Akademisë Frënge thoshte se “shqiptarët u përkasin popujve më të vjetër se vetë historia, dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e trojës, të udhëhequr nga Akili (në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)”. E kjo asnjëherë nuk i bëri përshtypje Evropës.

Ndërsa, derisa Evropa dhe bota gjatë Luftës së Ftohtë po armatoseshin si asnjëherë më parë në histori të njerëzimit, shqiptarët edhe ashtu të gjendur nën dhunë e terror sllavo-grek, po arrinin t’i dhuronin Evropës dhe botës dy gjigantë humanistë që paqen, lirinë, të drejtat e njeriut dhe humanizmin e kishin synimin e tyre global: ishin këta pishtari i paqes, lirisë dhe të drejtave të njeriut Adem Demaçi apo Ademi i Evropës dhe Gonxhe Bojaxhiu apo humanistja globale Nënë Tereza që po i jepnin leksion Evropës. Dhe derisa Millosheviqi po terrorizonte shqiptarët e Kosovës, drejtuesi politik, Ibrahim Rugova, në anën tjetër me aq sa mundej po e promovonte paqen, edhe pse të përkohëshme, pikërisht në Evropën që kishte nisur Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore dhe që përmes Millosheviqit po pranonte në djepin e saj luftërat pushtuese si anti-vlerë të saj.

Pra, nëse shtete të shumta në Evropë kishin shkaktuar luftëra pushtuese përmasash planetare me qindra miliona të vrarë, masakruar e zhdukur për të mos u gjetur kurrë, shqiptarët me Skenderbeun në krye, të koordinuar me Venedikun dhe me luftërat e tyre çlirimtare po mbronin pragun e shtëpisë dhe të Evropës. Ndërsa me Ademin e Evropës shqiptarët po i tregonin botës për sakrificën tërë-jetësore të një shqiptari të burgosur për bindje kombëtare nga regjimi kriminal jugosllav e që pavarësisht këtij terrori ky kolos shqiptar po bënte përpjekje titanike për paqe, liri dhe të drejta të njeriut në zemër të një Evrope që po mundohej kinse të bashkohej.

Kurse me humanisten Nënë Tereza dhe pacifistin Ibrahim Rugova, shqiptarët po i jepnin leksionin e radhës Evropës dhe botës se ç’përmasash mund të jetë humanizmi dhe pacifizmi i popullit shqiptar, popull ky i cili para syve të Evropës po terrorizohej dhe gjenocidohej nga Serbia historikisht fashiste. Ky humanizëm dhe pacifizëm i pashembullt evropian i popullit shqiptar dëshmon më së miri për rrënjët e vërteta fisnike të popullit shqiptar, padyshim më të vjetrit në Evropë, i cili logjikisht – duke marrë parasysh terrorin e pushtimet konstante që kishte përjetuar ndër shekuj – nuk do të duhej fare të ishte pacifist, fisnik e humanist siç historikisht ka qenë. Duke qenë historikisht i terrorizuar dhe duke përjetuar vazhdimisht sulme të pushtuesve për shfarosje, populli shqiptar me aq sa mundi, diti dhe e lejuan rrethanat e mori në mbrojtje popullin hebre, e ky i fundit, gjatë tërë historisë së tij sikurse shqiptarët, e sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore po rrezikonte shfarosjen përfundimtare.

Vetë karakteri i pastërt i luftës çlirimtare të Kosovës tmerronte Serbinë me aleatë, të cilët vazhdimisht mundoheshin, por pa sukses, që luftën çlirimtare ta paraqisnin si luftë fetare kundër vlerave evropiane, si luftë terroriste dhe si luftë kundër ekzistencës së popullit serb. Pra, shqiptarët i treguan Serbisë dhe botës që bëjnë vetëm luftë çlirimtare të imponuar nga vetë Serbia me aleatë, e nuk bëjnë kurrëfarë lufte fetare sepse fetë apo trekonfesionalizmi (katolik, ortodoks dhe musliman) që gjenezën e kanë në lindje, shqiptarëve iu mveshën si vlera joshqiptare dhe joevropiane. E duke qenë se tri fetë erdhën nga lindja, shqiptarët mirëmbajtën vazhdimësinë pellazgo-ilire si bazamentin e identitetit shqiptar të bazuar në gjuhë, traditë e kulturë e jo në fe siç ndodh me shumë popuj evropianë dhe jo vetëm. Në luftën e Kosovës po përballeshin drejtëpërdrejtë origjinaliteti dhe autoktonia paqësore shqiptare, përballë luftës pushtuese serbe si antivlerë evropiane.

Duke qenë se pas disfatës nga NATO, Serbia nuk po mund t’i godiste më tutje çlirimtarët, atëherë kaloi në mjete tjera më të sofistikuara përmes shërbimeve inteligjente duke u mbështetur fuqishëm nga Rusia. Ideja ishte dhe është edhe sot që Rusia ashtu sikurse Serbia e shihnin dhe ende e shohin Kosovën si projekt amerikan dhe kjo sipas Serbo-rusisë duhej goditur në të gjitha format e mundshme në mënyrë që ky projekt amerikan të dështonte, e duke dështuar projekti amerikan, pra Kosova, atëherë NATO dhe Amerika do të akuzoheshin si mbështetëse të terroristëve shqiptarë siç Serbo-rusia e quan vazhdimisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. E duke rrëzuar projektin amerikan, Rusia do të mund të arsyetonte veprimet e saj kriminale nëpër zona të ndryshme përreth saj, si në Ukrainë, Kaukaz, Krime, etj.

Sigurisht që për planet e Serbisë edhe prezenca e një shqiptari të vetëm në toka shqiptare është pengesë, prandaj rrokja e armëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me aq sa patën, ditën dhe mundën brenda atij terrori të paparë serb – e pengonte aq shumë Serbinë saqë solli mbi 100.000 forca policore, ushtarake dhe parashtarake vetëm e vetëm për të gjunjëzuar shqiptarët. Sikur të mos i mjaftonin të gjitha këto forca, Serbia armatosi deri në dhëmbë pothuaj të gjithë qytetarët serbë që jetonin në Kosovë. Jo pak shqiptarë u vranë e u masakruan pikërisht nga fqinjët e tyre serbë.

E për të sjellë buzë greminës projektin e Kosovës, pra projektin amerikan siç e sheh Serbo-rusia Kosovën dhe popullin shqiptar në përgjithësi, Serbo-rusia filloi t’i intensifikojë përpjekjet për të mbjellur përçarje, kaos, dekurajim dhe demoralizim gjithëkombëtar brenda popullit shqiptar dhe për hir të së vërtetës nuk është që nuk ia kanë arritur. Shikoni përçarjet dhe thyerjet e thella mes shqiptarëve kudo që janë. Shihni Shqipërinë, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, shqiptarët e Malit të Zi, shqiptarët e diasporës, Kosovën dhe Kosovën lindore. Dhe këtë Serbo-rusia po e bën pikërisht në kohën kur shqiptarët, edhe pse ende më të pazhvilluarit në Evropë, me ndihmën dhe mbështetjen konstante amerikane asnjëherë në historinë e tyre nuk kanë jetuar më mirë.

Duke parë Serbo-rusia që Kosova po shënonte mbi 100 njohje ndërkombëtare të pavarësisë së saj, duke parë që Kosova kishte filluar të ndërtonte infrastrukturë moderne dhe konkuruese, duke parë përafrimin institucional të Kosovës me Shqipërinë, duke e parë forcimin e ngadalshëm por të sigurtë të elementit shqiptar në Ballkan, Serbo-rusia u ngrit me tërë arsenalin e saj propagandistik për të paraqitur shqiptarët si agresorë të serbëve, si kriminelë, si fundamentalistë islamikë, si të paaftë për qeverisje dhe si mish i keq midis qytetërimit evropian. Ndërkohë që pasojat ruso-serbe ndaj Evropës askush më mirë se vetë Evropa nuk i njeh.

Të gjitha këto etiketime të rënda sigurisht që u mbështetën edhe nga shqiptarë të Kosovës nëpër kapacitete të ndryshme. Dhe nuk është fare rastësi që një pjesë e këtyre njerëzve në Kosovë, që janë thellësisht kundër krerëve çlirimtarë të UÇK-së, i urrejnë këta çlirimtarë po aq sa Serbo-rusia. Çfarë emëruesi fatal i përbashkët mes Serbo-rusisë dhe disave në Kosovë kundër djemve dhe vajzave më të mira të kombit shqiptar, të cilët të mbështetur fuqishëm nga NATO ia dolën të shkatërronin Jugosllavinë pushtuese dhe të çlironin Kosovën që po e gëzojmë të gjithë, por pavarësisht kësaj çlirimtarët urrehen nga një pjesë e shqiptarëve të Kosovës po aq sa nga serbët.

E Serbia, goditjen do ta bënte pikërisht ndaj çlirimtarëve, sepse ishin çlirimtarët që shkatërruan vëllazërim-bashkimin jugosllav dhe ata që në fakt shkatërruan Jugosllavinë dhe pothuaj tërë planet shfarosëse serbe. Serbo-rusia i godet çlirimtarët, sepse ashtu vepron çdo pushtues. Dhe tashmë, goditja ndaj shtetit vetëm 12 vjeçar të Kosovës nga Serbo-rusia është bërë fuqishëm dhe në shumë dimensione.

Ku tjetër mund të bëhej goditja e projektit të Kosovës sesa në Këshill të Evropës, institucion ky ku ndikimi i Rusisë është i madh pikërisht për shkak të shantazheve që u bën Rusia shteteve të ndryshme evropiane me gazin e saj dhe politikave tjera destruktive siç janë financimet e partive populliste anembanë BE-së. Duke qenë se Serbo-rusia dështoi në: Rambuje, në parandalimin e Pavarësisë së Kosovës, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në parandalimin e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës, në Këshill të Sigurimit, në NATO dhe në BE, atëherë e vetmja alternativë që i mbeti Serbo-rusisë për të prezantuar raportin e Dick Martyt të mbështetur dhe nga disa shqiptarë të Kosovës nëpër kapacitete të ndryshme.

Antishqiptarizmin e Raportit të Dick Martyt e shohim më së miri në ballinat e gazetave serbo-ruse dhe në media të ndryshme globale që tashmë bëjnë me gisht kah lufta e çlirimtare e UÇK-së duke u munduar ta kriminalizojnë atë, e duke u kriminalizuar UÇK-në sigurisht që kriminalizohet Kosova, e duke u kriminalizuar Kosova njëjtësohet lufta çlirimtare e Kosovës me atë pushtuese serbe. Prandaj, Gjykata Speciale është vetëm njëra goditje e fortë e super-orkestruar kundër çlirimtarëve dhe vetë shtetit të Kosovës, e cila edhe pse do të lë pasoja pas, do të dështojë siç kanë dështuar shumë orkestrime tjera.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera