Sport

Copa America/ Në fushë do të dalin Argjentina dhe Kolumbia

Autori: Gazeta inFokus 20:45 | 15 June 2019

Pas Brazilit, radhën për të zbritur në fushën e lojës e për të nisur aventurën në Copa America e kanë Argjentina dhe Kolumbia që do të përballen me njëra-tjetrën në mesnatë me orën evropiane, në një ndeshje që ka brenda saj minisfidën mes Lionel Mesit dhe Hames Rodrigez apo atë mes Agueros e Radamel Falkaos.

Argjentina, që në orët e fundit humbi shërbimin e Esteban Andradës për shkak dëmtimi, me shumë gjasa do të aplikojë skemën 4-4-2 në debutimin e saj në këtë kompeticion. Ideja është që në sulm të jenë pikërisht Mesi dhe Aguero, ndërkohë që ndryshime do të pësojë reparti i mbrojtjes.

Ndërsa Kolumbia, tek e cila do të bëjë debutimin e tij edhe trajneri Carlos Queiroz, do të besojë tek Radamel Falkao, Hames dhe Kuadrado. Për Argjentinën dhe Kolumbinë kjo përballje është një përsëritje e sfidës çerekfinale të zhvilluar në edicionin e vitit 2015 të Copa America të mbajtur në Kili me skuadrën argjentinase, që fitoi vetëm pas serisë së 11 metërshave.

-Advertisement-

Sfida e Argjentinës në këtë edicion të Copa America është që të fitojë këtë trofe pas dy finaleve radhazi të humbur kundrejt Kilit në 2015 e 2016. Për më tepër bardhekaltrit do të tentojnë të arrijnë këtë sukses pikërisht në shtëpinë e rivalëve historikë të Brazilit. Edhe Kolumbia ndjen presionin mbi të teksa i kërkohet që të përmirësojë rezultatin e vitit 2016 në Copa America Sentenario kur u rendit në vendin e tretë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera