Lajme

Çollaku për planin evropian: Në thelb të tij është Asociacioni, e jo njohja reciproke

Autori: Gazeta inFokus 16:29 | 10 February 2023

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në fillim të kësaj jave, deklaroi se në takimin me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Kurti u shpreh se propozimi evropian është një bazë e mirë për diskutime në të ardhmen dhe një platformë e mirë për të ecur tutje.

Në lidhje me pranimin e planit evropian nga ana e Kosovës, njohësi i çështjeve politike, Bekim Çollaku, tha se i njëjti nuk e përmban në thelb njohjen reciproke de jure dhe si rrjedhojë, sipas tij, plani evropian nuk mund të konsiderohet se i përmbush synimet dhe pritjet e Kosovës për një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme me Serbinë.

-Advertisement-

“Kosova ndodhet para një akti të kryer sepse kryeministri e ka pranuar planin evropian apo franko-gjerman, është i obliguar të kyçet në hartimin e planit zbatues, sepse mundësitë për të negociuar për këtë plan, tani duket se kanë përfunduar. Mendoj që gabimi esencial është bërë qysh në fillim nga qeveria e jonë e cila e ka pranuar këtë plan pa e lënë të hapur mundësinë për negocim dhe përmirësim”, është shprehur Çollaku.

Ai tha se në planin evropian është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

“Në thelb të planit evropian është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Ndërsa, njohja reciproke, fatkeqësisht nuk është pjesë e planit”, tha Çollaku.

Më tej, Çollaku tha se plani evropian do të mund të konsiderohej si bazë e mirë për të nisur negociatat me Serbinë, mirëpo sipas tij, nuk do të duhej të pranohej pa pasur mundësi për t’u përmirësuar.

“Kryeministri udhëheq qeverinë e Kosovës dhe në vendimet e tij duhet të reflektojë vullnetin politik të kabinetit të tij dhe mazhorancës parlamentare. Për më tepër, ai do të duhej të udhëhiqej nga interesi shtetëror dhe qytetar në vendimet e tij. I tillë siç është pranuar, ky plan ka shumë implikime të vështira për Kosovën, ka shumë pikëpyetje lidhur me garancitë ndërkombëtare dhe përfitimet eventuale. Ndërsa, pika më e dobët e këtij plani është se nuk sigurohet marrëveshja përfundimtare dhe as njohja reciproke”, është shprehur Çollaku.

Më tej, ish-ministri i Integrimeve Evropiane u shpreh se është dëshprues diskursi ku nuk po përmendet marrëveshja finale me Serbinë, si fazë e fundit e diskutimeve, pasi në mes ka hyrë plani evropian dhe siç tha, BE-ja është përcaktuar për një marrëveshje tjetër e cila sipas tij, do të prodhojë një status quo të re.

“Kjo situatë është dëshpëruese dhe reflekton më së miri gjendjen në të cilën ndodhet procesi i dialogut. Tani është e qartë se në mungesë të vullnetit politik të Kurtit dhe Vuçiqit për marrëveshje përfundimtare, ndërmjetësuesi i bisedimeve, pra BE-ja është përcaktuar për një marrëveshje tjetër të radhës e cila do të prodhoj një status quo të re. Pra, nuk ka marrëveshje përfundimtare”, është shprehur Çollaku për Klankosova.tv.

Dje, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se së shpejti pritet një takim Kurti-Vuçiq në Bruksel, por nuk dha ndonjë datë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera