Opinione

Ç’mësuam nga sulmi i Iranit ndaj shqiptarëve?

Autori: Gazeta inFokus 17:57 | 09 September 2022

Vetë planet e errëta të Iranit ndaj popullit shqiptar e vërtetojnë faktin që bota s’ka pasur dhe s’do të ketë kurrë vëllazërira fetare.

Shkruan: Agron HOTI

Sepse po të kishte të tilla, Irani nuk do të sulmonte shtetin shqiptar me shumicë muslimane. Rastin më të freskët që s’ka vëllazërira fetare, e kemi agresionin e Rusisë ortodokse ndaj Ukrainës ortodokse. Si shembull do të marr Turqinë për të vërtetuar faktin që s’ka vëllazërira fetare dhe as që do të ketë, por ka vetëm interesa:

-Advertisement-

Turqia muslimane rrit prezencën në Lindje të Mesme muslimane në kurriz të Vendeve Arabe muslimane dhe Iranit musliman, gjersa e njëjta bashkë me Vendet Arabe ua pamundëson kurdëve muslimanë shtetin, popullit më të madhin në glob pa shtet. Fuqizimi i Turqisë në Ballkan bie ndesh me Vendet Arabe dhe Iranin që janë në aleancë me Rusi.

Serbia duke qenë e interesuar sot sikurse dje e historikisht t’i paraqesë shqiptarët si refuzues të perëndimit ua hap portat investimeve turke dhe arabe gjersa me shërbimin e saj ende të fuqishëm në Kosovë dhe hapësira shqiptare u krijon hapësirë Turqisë dhe Vendeve Arabe në fuqizimin e islamit politik në mënyrë që të bie proamerikanizmi i lartë mes shqiptarëve kundrejt rritjes së pro-orientalizmit siç në fakt është duke ndodhur.

Perëndimi duke e shfrytëzuar Turqinë si portë frenuese ndaj Lindjes së Mesme dhe Rusisë i ka lënë Turqisë duart e lira në Ballkan dhe jo vetëm. Edhe Turqia e sheh Ballkanin si zonë frenuese karshi Perëndimit që do qasje të lirë në Mesdhe, prandaj një Ballkan sa më i përçarë dhe pa perspektivë evropiane i lehtëson Turqisë manipulimin e tij sipas interesave të saj; një Ballkan në një BE të fuqizuar shihet si kërcënim për Turqinë në Mesdhe.

Shtrirja në rritje e Turqisë në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut e dekurajon BE-në t’i zgjidhë problemet në një rajon të kontrolluar nga Turqia.

Shtrirja e shpejtë e Turqisë në Lindje të Mesme, Azi Qendrore, Afrikë Veriore, Ballkan dhe Kaukaz dhe fuqizimi i flotës së saj detare i shoqëruar me ndonjë aleat të fuqishëm aziatik mund të përballet më të ardhmen me frenim të planeve imperiale turke nga ana e SHBA-së, e cila parandalon formimin e çfarëdo hegjemoni euroaziatik, i cili do të rrezikonte vetë SHBA-të.

Një hapësirë shqiptare antiruse por proamerikane edhe pse me investime turke në islam politik gjithsesi që i jep leva SHBA-së para botës si një vend që bashkëpunon ngushtë edhe me vende me shumicë muslimane siç janë Kosova dhe Shqipëria dhe kjo e ekspozon SHBA-në si mike të vendeve me shumicë muslimane e asesi si armike siç do të mund të përceptohej p.sh. nëpër Vende Arabe, Iran, Azi Qendrore, etj. Në këtë kontekst edhe Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës, për ta përçuar mesazhin gjithandej se Izraeli s’ka asgjë kundër vendeve me shumicë muslimane, përkundrazi bashkëpunon me to.

Për t’u kthyer prapë të Turqia. Pas rënies së komunizmit Turqia ua kishte hapur dyert pa viza të gjitha vendeve të Ballkanit, kurse BE ua kishte mbyllur duke ua vënë vizat. Kosova as sot s’ka nevojë për viza për Turqi, kurse për BE po. BE shitet që ka raporte tensioni me Turqinë, kurse e vërteta është se BE sikur me askë tjetër ka edhe Union Doganor me Turqinë që nga 1995 si dhe Marrëveshje Asociimi që nga 1963.

Fuqizimi i Turqisë në Lindje të Mesme frenon Iranin në atë zonë të nxehtë dhe kjo shkon në interes të Vendeve Arabe dhe Izraelit që duan sa më pak prezencë të Iranit në rajon, gjersa dy të fundit ngelen në armiqësi mes vete sa i përket Palestinës. Pastaj, frenimi i Iranit nga Turqia në Lindje të Mesme është interes i Izraelit dhe SHBA-së, gjersa bie ndesh me interesat ruse që duan një Iran të fortë.

Ndërkohë Irani investon në Vende Arabe për t’i përçarë, sepse përmes përçarjes dhe destabilizimit ul ndikimin amerikan dhe turk kundrejt forcimit të sigurisë kombëtare. Turqia nuk pajtohet me Izraelin për Palestinë, por bashkëpunon me Izraelin kundër Iranit, sepse të dyjat e shohin Iranin si rival rajonal në Lindje të Mesme.

Prandaj, shqiptarët duhet të bashkëpunojnë me të gjithë, por orientimin e tyre pro SHBA-së nuk duhet ta humbin kurrë. Sapo shqiptarët të ndërrojnë kursin e orientimit të tyre nga Perëndimi kah Lindja, atëherë do të rrëshqasin kah e kaluara e errët.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera