Lajme

Çka do të përkrahet me rreth 50 milionë dollarët amerikanë

Autori: Gazeta inFokus 08:42 | 01 July 2017

Korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit miratoi javën e kaluar një fond ndihmash prej rreth 50 milionë dollarësh për Kosovën.

Drejtuesja e ekipit të Korporatës për Kosovën, Sarah Olmstead thotë se ndihma që do të përqendrohet kryesisht në përmirësimin e energjisë elektrike dhe në projekte për transparencë dhe qeverisje të përgjegjshme.

“Korporata Sfida e Mijëvjeçarit pritet të sjellë një angazhim të konsiderueshëm të qeverisë amerikane në reformat që do të ndihmojnë rritjen ekonomike, investimet dhe qeverisjen e mirë në Kosovë. Korporata përqendrohet në rritjen ekonomike dhe investimet, si mënyrë për të zbutur varfërinë”, thotë Sarah Osmstread, drejtuese e ekipit të Korporatës për Kosovën në Washington.

-Advertisement-

“Ne besojmë se duke u përqendruar tek biznesi, tek motori i rritjes ekonomike, vjen ulja e varfërisë dhe punësimi”, thotë Osmstread.

Përmes një procesi intensiv dhe analitik, Korporata Sfida e Mijëvjeçarit dhe qeveria e Kosovës kanë indentifikuar pengesat kryesore me të cilat përballet, komuniteti i biznesit, qytetarët e thjeshtë, dhe sipërmarrësit në Kosovë.

“Identifikuam energjinë dhe sundimin e ligjit si dy nga pengesat kryesore për Kosovën. Nga këto dy objektiva rrjedhin edhe dy projektet kryesore”.

Projekti për një energji të qëndrueshme do të inkurajojë investimet në burimet më pak të kushtueshme dhe do të nxisë metoda efikase për të pakësuar përdorimin e energjisë nga familjet kosovare që përbëjnë 60 për qind të konsumatorit.

“Pjesë e problemit është se shumë shtëpi janë të vjetra, pa izolim të mirë dhe pajisje jo efiçente. Për familjet e varfra është e vështirë të bëjnë një investim fillestar prej 500 apo 1000 dollarësh për të bërë disa riparime bazë të shtëpive që mund t’u kursejnë 100 dollarë në muaj në fatura”, thotë ajo.

Projekti i dytë, ai për transparencë dhe qeverisje të përgjegjshme synon të përmirësojë përdorimit analitik të të dhënave në sistemin e drejtësisë për të nxitur transparencën dhe besimin e publikut tek qeveria.

“Ky projekt kërkon ta bëjë informacionin që tani e kanë vetëm gjykatat dhe gjyqtarët të mundur të shihet nga qytetarët për të pasur qasje ndaj informacionit dhe për të ndjekur procedurat. Kjo krijon më shumë besim dhe konfidencë në sistemin e drejtësisë”.

Programi do të përqendrohet gjithashtu në problemin e pjesëmarrjes së ulët të grave kosovare në fuqinë punëtore.

“Sipas statistikave qeveritare, kjo pjesëmarrje është në shifrat e 18 përqindëshit, që i radhit ato në një nivel me gratë në Afganistan dhe Gazë. Pra është shumë e ulët. Ne po bëjnë një studim për këtë çështje për të gjetur dhe identifikuar pengesat që nuk i lejojnë gratë të hyjnë në forcën punëtore në mënyrë që të mund t’i adresojmë ato përmes këtij programi”, tha Sarah Osmstread.

Fondi prej 49 milionë dollarësh do të administrohet nga zyra kombëtare e Sfidës së Mijëvjeçarit në Kosovë e cila do të shndërrohet në një entitet përgjegjës për prokurimet dhe mbarëvajtjen e projekteve. Shpërndarja e fondeve megjithatë do të varet nga forma përfundimtare që do të marrin projektet e identifikuara./VoA/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera