Fokus

Çka po kurdisin Vjosa Osmani e Albin Kurti?

Autori: Halil Berisha 11:25 | 17 October 2019

Në numërimin e deritanishëm të votave, e që me gjasë nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh, fitues i zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit është Vetëvendosje e Albin Kurtit.

Menjëherë pas saj, parti e dytë është LDK, e cila kandidate për kryeministre e pati Vjosa Osmanin.

E si duket, këta të dy, ende pa u certifikuar rezultatet kanë filluar të “kurdisin” diçka.

Kjo, pasi sikur Osmani ashtu edhe Kurti, kanë filluar vizitat e takimet, jo veç me ambasadorë të vendeve mike që janë në Kosovë, por edhe në shtetet e tyre.

Vjosa Osmani në Amerikë e Albin Kurti në Angli, shkruan gazeta inFokus.

Kandidatja e LDK-së për shef qeverie, Vjosa Osmani, të martën u prit në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, nga Drejtori për Evropë, John Erath.

“Kënaqësi të pritem sot në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, nga z.John Erath, Drejtor për Evropë. Patëm diskutime shumë produktive rreth prioriteteve dhe sfidave që e presin Kosovën gjatë muajve e viteve në vijim. 🇽🇰🇺🇸”, ka shkruar Osmani.

Ndërsa, të mërkurën, Osmani u prit edhe nga një person shumë i rëndësishëm, zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit, Mathew Palmer.

“Sot në Departamentin e Shtetit u prita nga Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit, Mattheë Palmer, i cili është poashtu Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor. Diskutuam për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe punët e rëndësishme që na presin përpara. 🇽🇰🇺🇸”, ka njoftuar Osmani për takimin.

E po këtë ditë, takim Osmani, pati edhe me Kongresmenin, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Dean Phillips, shkruan gazeta inFokus.

“Diskutime shumë të mira sot edhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, me Kongresmenin Dean Phillips, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve. 🇽🇰🇺🇸”

E për Albin Kurtin, në Britani të Madhe, në godinën ku merren vendimet më të mëdha për këtë vend, u shtrua darkë.

Kjo, nga Grupi i Miqësisë me Kosovën, shkruan gazeta inFokus.

“Dje në Parlamentin Britanik në Londër u shtrua një darkë nga ana e Grupit të Miqësisë me Kosovën, John Grogan, deputet i Partisë Laburiste dhe Martin Vickers, deputet i Partisë Konservatore, për nder të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe të deputeteve Fitore Pacolli dhe Saranda Bogujevci”, është shkruar në njoftimin e Vetëvendosjes.

“Në darkë morën pjesë edhe Alex Sobel, deputet i Partisë Laburiste, Nick Dakin, deputet i Partisë Laburiste, Earl of Sandëich John Montag dhe Lordi Dykes. Në një atmosferë të ngrohtë e miqësore u shkëmbyen mendime e ide rreth situatës socio-ekonomike, politike e rajonale, si dhe për prioritetet e qeverisë Kurti. Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vazhdon me vizitën dyditore në Britani të Madhe”.

E para se të shkonin në këto takime me miqtë më të mëdhenj të shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani e Albin Kurti, patën edhe takim me njëri-tjetrin, ku diskutuan për mundësinë e një koalicioni e qeverisjeje të përbashkët./Gazeta inFokus/

Të tjera