Lajme

Çka importon Kosova nga Rusia?

Autori: Gazeta inFokus 13:35 | 04 May 2018

Pretendimet e Rusisë për rritjen e ndikimit në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën, janë të shumta dhe shprehen në forma të ndryshme, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Edhe investimet, ndonëse në një përqindje të vogël krahasuar me vendet e fuqishme perëndimore, janë një prej këtyre përpjekjeve.

Por, sipas zyrtarëve në Prishtinë, shtrirja e ndikimit nga Rusia mbetet e vogël dhe kryesisht vjen përmes Serbisë.

-Advertisement-

Investimet e shtetit rus në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, janë të papërfillshme nëse krahasohen me shtetet tjera të Evropës dhe botës.

Aktualisht, nuk është bërë përditësimi i të dhënave të fundit, por sipas shifrave të vitit 2016, investimet ruse në Kosovë kanë qenë rreth 2 milionë euro. Kurse, vlera e importit të produkteve ruse në Kosovë, për vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare, ka qenë rreth 7 milionë euro, me 15 milionë kilogramë produkte. Përderisa eksporti i produkteve të Kosovës në shtetin e Rusisë është në vlera minimale.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se jo të gjitha produktet me origjinë ruse, vijnë në Kosovë drejtpërdrejt nga shteti i Rusisë.

“Çka është importuar nga Rusia? Realisht, është llamarina që ka pjesëmarrje 20 për qind të importit të përgjithshëm, pastaj pllaka zdrukthi, pije alkoolike, siç është Vodka që ka ardhur prej Rusisë”.

“Në tregtinë globale shumica e kompanive kanë depot në vende të ndryshme të Evropës dhe botës dhe malli jo gjithmonë blihet nga prodhuesi, por sigurohet nga distributorët që gjenden në Evropë. Por, origjina e atij malli është nga Rusia”, thotë Stavileci.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se sa i përket aspektit ekonomik, investimet e Rusisë në Kosovë janë të papërfillshme, kurse për investimet në komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, nuk ka transparencë dhe nuk ka ndonjë evidencë.

Zëvendësministri Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rusia nuk ka synuar në Kosovë të ushtrojë ndikim në aspektin ekonomik, por përmes metodave tjera, sidomos në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ka provuar që të jetë e pranishme nëpërmjet veprimtarive humanitare.

“Rusia është treguar me metoda tjera më shqetësuese se sa në aspektin ekonomik, sepse ata e vlerësojnë se në cilat zona dhe si duhet të operohet, por këtu më shumë është luajtur me sentimentin e mocionit të të ashtuquajturit ‘ortodoksizëm’ dhe të interesave strategjike ushtarake”, thekson Berisha.

Në komunat veriore të Kosovës, të banuara nga popullata shumicë serbe, funksionojnë të paktën dy organizata, të cilat janë të regjistruara në Beograd dhe angazhohen për fuqizimin e bashkëpunimit me Rusinë.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës më herët kanë thënë se në pjesën veriore, operojnë tri kompani që merren me derivate të naftës, porse nuk kanë ofruar informacione se nga furnizohen ato.

Njëra prej tyre është kompania me pronësi ruse “Nis Petrol”. Operimi i kësaj kompanie në veri të Kosovës, vlerësohet se përbën shkelje të embargos së Kosovës ndaj Federatës Ruse. Pasi kjo kompani është në listën e kompanive të ndaluara në Kosovë.

Qeveria e Kosovës në vitin 2014, kishte vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Në vendimin e Qeverisë së Kosovës ishin listuar një numër i kompanive dhe personave, të cilëve në mënyrë specifike u është ndaluar biznesi në Kosovë.

Qasja e institucioneve të Kosovës në pjesën veriore mbetet e kufizuar për shkak të mosshuarjes së plotë të strukturave paralele atje dhe afërsisë që këto komuna kanë me Serbinë, e cila vazhdon të ushtrojë ndikimin dhe kontroll në atë pjesë.

Në anën tjetër, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në fund të vitit të kaluar ka publikuar një hulumtim që flet në lidhje me “Ndërhyrjen e Rusisë në Kosovë”,

Hulumtimi konstaton se Kosova është e ekspozuar ndaj një fushate të gjerë ndikimi në rritje të ndërhyrjes ruse kundër modelit të shtet-ndërtimit perëndimor dhe vlerave të tij demokratike, veçanërisht që nga viti 2008. /REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera