Lajme

Çitaku porosit Kurtin: Shko në Washington!

Autori: Gazeta inFokus 19:31 | 02 December 2021

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet Bashkuara të Amerikës, tash nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, është deklaruar rreth procesit të dialogut me Serbinë. Ajo ka thënë se kryeministri Kurti duhet të udhëtojë në SHBA dhe të ketë takime me zyrtarë të lartë.

Çitaku në emisionin “Përpallje” në Telegrafi.com ka thënë se kryeministri Albin Kurti në raport me dialogun është peng i fjalëve të veta.

Megjithatë, nënkryetarja e PDK-së, tha se Kurti duhet ta dijë se kur është në Bruksel, PDK do ta mbështetë atë.

-Advertisement-

“Nuk është se kam parë konsistencë nga ana e Qeverisë në raport me dialogun, njëherë kanë thënë nuk e kanë prioritet fare, pastaj kanë thënë se është prioriteti i shtatë. Kështu që nuk është se kam parë konsistencë, kryeministri Kurti unë mendoj se në raport me dialogun është peng i fjalëve të veta.

Kryeministri duhet ta di se kur shkon në Bruksel, kur ulet përballë Aleksandër Vuçiqit, Partinë Demokratike të Kosovës e ka mbrapa. Ne do t’i bëjmë opozitë Kurtit për çështje të brendshme, mirëpo për disa pika të rëndësishme të politikës së jashtme, ne duhet të jemi në gjendje të ndërtojmë një konsensuse dhe të jemi bashkë”, ka thënë ajo.

Duke folur për procesin e dialogut, Çitaku ka thënë se kryeministri Kurti duhet të udhëtojë në SHBA, dhe të ketë takime me zyrtarë të lartë.

“Ne duhet ta kemi të qartë se status quo nuk na konvenon neve si Kosovë, ne duhet ta kemi ndjenjën e urgjencës, ne duhet të trokasim në Washington, edhe unë e ftoj kryeministrin që në vend se të debatojë publikisht me zyrtarë amerikanë, duhet të udhëtojë sa më parë në Washington. Ne nuk duhet t’i marrim të mirëqenia raportet me SHBA-në. SHBA nuk na kanë borxh të na qëndrojnë pranë, kur ka shumë sfida në nivel global, bota ka ndryshuar, është multipolare, ka qendra tjera gravitacioni në botë. Ne duhet të bëjmë shumë më shumë që ta mirëmbajmë raportet me SHHBA, dhe ne kemi parë një sjellje të tërësisht të papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës në raport me gaz-përçuesin”, ka thënë mes tjerash ajo.

Çitaku ka shtuar tutje se kyçja në gaz-përçuesin ka qenë në interes të Kosovës.

“Ajo çfarë na ka ofruar SHBA është kyçja e Kosovës, dhe kjo është në interesin strategjik të Kosovës’, deklaroi Çitaku gjatë intervistës për “Përballje”.

Ndër të tjera, Citaku tha se raportet me SHBA-në janë vitale për shtetësinë e Kosovës.

“Raportet me SHBA janë vitale për shtetësinë dhe fuqizimin e subjektivit ndërkombëtarë të Kosovës, ne jemi të fuqishme, po aq sa është e fuqishme aleanca jonë me SHBA-në, andaj unë e lus Kurtin të udhëtojë sa ma parë në Washington, të kërkojë nga SHBA që të emërojnë një të deleguar të posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë të përfshira drejtpërdrejtë në tavolinë dhe jo në rol mbështetës”, theksoi ajo.

Sa i përket Asociacionit, Çitaku ka thënë se duhet të bëhet mbi bazën e rekomandimeve që ka dhënë gjykata kushtetuese.

“Unë dhe PDK jemi kundër nivelit të tretë të pushtetit, kundër kompetencave ekzekutive të Asociacionit”, ka potencuar ajo.

Në intervistë, Çitaku ka folur edhe për pozicionin e PDK-së pas zgjedhjeve lokale 2021, për reformën në këtë parti dhe rolin e saj në opozitë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera