Lajme

Cili është fati i marrëveshjes Kosovë-Serbi pas zgjedhjeve në SHBA

Autori: Gazeta inFokus 08:44 | 12 October 2020

Kur më 4 shtator, në Zyrën Ovale, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nënshkruan një marrëveshje për normalizimin ekonomik, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump e quajti atë “historike”dhe një shenjë të angazhimit të Uashingtonit në Ballkan.

Interesimi i administratës Trump për një nga problemet më të vështira të rajonit befasoi disa ekspertë të Ballkanit, të cilët kanë pritur që Departamenti amerikan i Shtetit të vazhdojë politikën e vjetër, sipas së cilës, Evropës i lihej në dorë udhëheqja e bisedimeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lokale dhe për t’i anëtarësuar vendet e reja në organizatat perëndimore.

Para së gjithash, Trump kishte pyetur më 2018 pse Shtetet e Bashkuara duhej të vinin në rrezik ushtarët e tyre për të mbrojtur Malin e Zi, një vend ballkanik që u bashkua me NATO-n një vit më parë. Komenti i tij ngriti shqetësim në lidhje me angazhimin e Uashingtonit në rajon.

-Advertisement-

“Shumë prej nesh kishim menduar, mirë ai thjesht do të injorojë rajonin dhe nuk do të bëjë dëm. Por, Trump patjetër kontribuoi për ta bërë marrëveshjen”, tha për Radion Evropa e Lirë, Tanya Domi, profesoreshë e Universitetit të Columbias dhe eksperte e Ballkanit.

Përfshirja e SHBA-së në vendet e rajonit, që ishin pjesë e ish-Jugosllavisë deri më 1991, ishte zbehur gjatë dy dekadave të fundit.

Vëmendja e Shtëpisë së Bardhë u zhvendos nga Evropa në luftërat në Afganistan dhe Lindjen e Mesme pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Aneksimi nga Rusia i Gadishullit të Krimesë në Ukrainë më 2014 dhe mbështetja e saj për separatistët në rajonin Donbas, e detyruan Uashingtonin të rrisë përfshirjen e tij në Evropën Lindore, përfshirë Ballkanin, ku mosmarrëveshjet e pazgjidhura për dekada, e bëjnë rajonin të ndjeshëm nga intrigat e Kremlinit.

Presidenti Trump ka sinjalizuar se angazhimi i tij në Ballkan do të vazhdojë nëse ai fiton një mandat të dytë më 3 nëntor. Ai u ka thënë Hotit dhe Vuçiqit se do të vizitojë të dyja vendet “në një të ardhme jo shumë të largët”.

Nëse e realizon vizitën, ai do të ishte presidenti i parë i SHBA-së që viziton Serbinë që kur Jimmy Carter mori pjesë në varrimin e udhëheqësit jugosllav, Josip Broz Tito më 1980.

Disa analistë rajonalë e kanë vënë në dyshim përkushtimin e administratës për t’u përfshirë më thellë në politikën e ndërlikuar të Ballkanit. Disa, madje e shohin ceremoninë e nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë të nxitur nga dëshira e administratës për t’i bërë jehonë një fitoreje të politikës së jashtme, përpara zgjedhjeve të nëntorit.

“Në të vërtetë nuk ishte një qasje apo planifikim i vërtetë strategjik për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi, përkundrazi ishte një lloj ngjarje e PR-it (Public Relations – Marrëdhënieve me Publikun) që ishte shumë e rëndësishme për fushatën”, thotë Majda Ruge, një analiste e Ballkanit në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë në Berlin.

Republikani Trump aktualisht po e pason rivalin e tij demokrat, Joe Biden në sondazhe. Këtë vit, pritet të jetë një garë e ngushtë presidenciale.

Marshall Harris, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit që ka shërbyer në ambasadat e SHBA-së në Ballkan dhe më vonë këshilloi senatorin Bob Dole, tha se marrëveshja ishte një hap në drejtimin e duhur, por nuk u ngrit në nivelin e një ceremonie në Zyrën Ovale.

“Nëse e analizoni marrëveshjen, nuk është ashtu siç e ka paraqitur administrata. Nuk është ky sukses i jashtëzakonshëm i politikës së jashtme”, tha Harris.

Marrëveshja parasheh angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore. Sipas marrëveshjes, Kosova obligohet të bëhet pjesë e një iniciative për lëvizjen pa pasaporta dhe detyrime tarifore, që do ta përfshijë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Por, marrëveshja nuk e arriti qëllimin e shpallur ndërkombëtarisht për të bindur Beogradin të njohë ish-provincën e tij, e cila ka qenë në qendër të më shumë se një dekade bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të cilat ishin të pezulluara për një kohë.

Kosova, e cila ka një popullsi më shumë se 90 për qind shqiptare etnike, shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008.

Megjithatë, marrëveshja e ndërmjetësuar nga administrata Trump shënoi hapin e parë të prekshëm të bashkëpunimit midis dy fqinjëve, që kur bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja u ndërprenë dy vjet më parë.

Në vitin 2018, Prishtina vendosi një tarifë ndëshkuese 100 për qind për mallrat e Serbisë për shkak të “fushatës së saj agresive kundër Kosovës”, përkatësisht politikën e saj të lobimit në vendet për të tërhequr njohjen e tyre ndaj Kosovës dhe për shkak të fushatës kundër anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, të tilla si IINTERPOL-i. Shtetet e Bashkuara e kishin kritikuar vendosjen e tarifës dhe ajo u shfuqizua në muajin prill.

Marrëveshja e 4 shtatorit përfshin një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e çnjohjeve të Kosovës nga ana e Serbisë dhe përpjekjeve të Kosovës për t’u bashkuar me organizatat ndërkombëtare.

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm presidencial për bisedimet e paqes Kosovë- Serbi dhe zyrtarë të tjerë amerikanë, udhëtuan në Kosovë dhe Serbi vetëm disa javë pas ceremonisë së nënshkrimit për të studiuar mundësitë e investimeve të SHBA-së dhe për të çuar përpara marrëveshjen ekonomike.

Në delegacion ishin zyrtarë të lartë nga Korporata Ndërkombëtare e Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), Banka për Zhvillim e Shteteve të Bashkuara dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se investimet në Kosovë dhe Serbi dhe përfshirja më e madhe e sektorit privat amerikan, që mundësohen nga marrëveshja e 4 shtatorit, do të ndihmojnë për të kundërshtuar ndikimin kinez dhe rus në ato vende.

Grenell ka thënë se ndërtimi i lidhjeve të fuqishme ekonomike dhe personale midis dy vendeve mund të bëhen themeli mbi të cilin mund të arrihet përfundimisht një zgjidhje politike.

Ai ka thënë se njerëzit e Kosovës dhe Serbisë për dekada kanë vuajtur në aspektin ekonomike derisa prisnin që liderët e tyre të arrijnë një zgjidhje politike dhe se ka ardhur koha për të “ndryshuar” skenarin e bisedimeve të paqes.

“Gjatë vitit të ardhshëm, ne mund të shohim krijimin dhe rritjen e vendeve të punës dhe pas një viti, na gjykoni se ku po shkon procesi politik”, ka thënë Grenell.

“Le të shohim nëse përqendrimi në ekonomi dhe krijimin e vendeve të punës mund të zgjidhë çështjet politike”, është shprehur ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera