Opinione

Cilësia parlamentare në rënie të lirë

Autori: Gazeta inFokus 14:38 | 05 March 2020

Njëra ndër zhvillimet më inovative institucionale në mesjetë ka qenë institucioni i Parlamentit. Me themelimin e këtij institucioni praktikisht kishte filluar kufizimi i pushtetit të kishës dhe mbretit, të cilët deri para kësaj kohe gëzonin pushtet absolut, duke e keqpërdorur atë jo rrallë në përmasa brutale. Prej vitit 1500 deri në vitin 1800 mbretërit shpesh gjenin rrugë për t’i ikur përgjegjësisë parlamentare, ashtu siç edhe shpesh përdornin forma të ndryshme për të kufizuar rolin e parlamentit. 

Deri në Revolucionin Francez parlamentet nuk gëzonin fuqinë që duhej ta kishin. Më pas, institucioni i parlamentit filloi të bëhet standard ndërkombëtar, si institucioni qendror i një shteti, duke u përhapur kështu në të gjitha kombet e botës dhe duke u bërë institucioni kryesor që do ta mbikëqyrte dhe kontrollonte punën e ekzekutivit. Është i paimagjinueshëm sot një shtet pa parlament. 

Përderisa demokracitë perëndimore kanë traditë mbi dyqindvjeçare në parlamentarizëm, përvoja e Kosovës nuk shkon më larg se sa Kuvendi i Kosovës gjatë sistemit jugosllav. Në fakt ky kuvend ishte vetëm në formë i tillë, sepse vendimet kryesore merreshin në Kuvendin Federativ dhe Qeverinë e Jugosllavisë. Me një fjalë, Kuvendit të Kosovës gjatë asaj kohe nuk i lejohej të luante rolin që duhej luajtur një Parlament normal. 

-Advertisement-

Gama e legjislacionit që dilte nga Kuvendi i Kosovës të asaj kohe ishte e paracaktuar nga pushteti i atëhershëm jugosllav. Diskutimet e atëhershme më shumë bëheshin për t’iu dhënë njëfarë legjitimiteti përfundimeve që dilnin nga ky kuvend se sa për t’i pyetur ata për nevojat e vërteta që qytetarëve të Kosovës. Kjo mënyrë e të funksionuarit pati vazhduar deri në heqjen e autonomisë dhe privimin e tërësishëm të shqiptarëve të Kosovës nga jeta institucionale në Jugosllavi, me ç’rast kishte pushuar së funksionuari jeta parlamentare në Kosovë, duke vazhduar kështu deri pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Meqë ai Kuvend ishte siç ishte, nuk mund të flasim për cilësi të mirëfilltë të jetës parlamentare, sepse si i tillë ishte i dirixhuar nga pushteti jugosllav ku nuk lejohej debat i mirëfilltë parlamentar. 

Ndërsa, nëse krahasojmë cilësinë e përbërjes së legjislaturës së parë të Kuvendit të Kosovës prej pasluftës deri më sot, vërehet qartë rënia e cilësisë në mënyrë të vazhdueshme. Kjo nuk vërehet vetëm te ndërrimi i individëve, por edhe te performanca e individëve të njëjtë ndër vite. Siç duket ende nuk është e qartë se të qenurit deputet është më shumë se sa fisnike, sepse je zëri i qytetarit, jo për të fyer, sharë e degraduar, jo për të hedhur gaz apo për të bërë gjëra të pahijshme, por aty je për të diskutuar me argumente dhe për të ofruar zgjidhjet më të mira për qytetarët. Siç duket spektri politik ende e sheh deputetin si numër, pra vetëm sa për të çuar dorën kur nuk duhet çuar, për të heshtur kur nuk duhet heshtur ose për të folur atë që s’duhet folur, e rrallëherë për të bërë atë që është vërtet parlamentare dhe në interes të qytetarit. 

Me formimin e institucioneve gjatë administrimit nga UNMIK-u qe formuar dhe Kuvendi, përmes të cilit pati filluar jeta parlamentare në Kosovë. Ishte kjo kohë kur ende mbretëronte ideali për të krijuar shtet dhe institucione të besueshme me kapacitetet e nevojshme, për të ri-filluar jetën parlamentare dhe për të përçuar dhe përfshirë zërin qytetar në vendim-marrjen politike. Si rezultat i idealit që kishim për të formuar shtet, cilësia e legjislaturës së parë ishte më e larta që kemi pasur deri më sot. Por, cilësia në vend që të shkonte duke u rritur, ajo fatkeqësisht ka shkuar duke rënë. Do të ishte e paimagjinueshme për një shqiptar idealist të viteve 80-ta, t’i thuhej se në Kuvendin e Kosovës së çliruar nga Serbia do të hidheshin vezë, gaz lotsjellës, do të kishte bërryla, do të kishte sharje, fyrje nga më të rëndat, dhe për më tepër që do të kishte inkompetencë e injorancë të theksuar, do të mbroheshin me çdo çmim grupet e interesit, të cilave as që iu bën për punën e Kuvendit. E ky degradim është bërë konstante e punës së Kuvendit. 

Duhet theksuar se degradimi nuk vjen vetëm nga mosleximi i rrjedhshëm i fjalimeve, për të cilat është folur dhe po flitet me shumë të drejtë sepse fundja kuvendi është i të gjithëve, por edhe nga përmbajtja dekadente e diskutimeve që është edhe më e rëndë se çdo gjë tjetër. Degradimi vjen edhe nga diskutimet/sjelljet e ulëta, të cilat nuk i kanë hije jo vetëm Kuvendit, por as edhe një institucioni të vetëm publik. Kuvendi, përpos anës legjislative, të cilën do të duhej ta kryente, ai në të njëjtën kohë do të duhej të luante edhe rolin emancipativ për qytetarët e një vendi. Në fakt, rolin emancipativ do të duhej ta luanin të gjitha institucionet pa përjashtim. 

Cilësia e diskutimit në Kuvend është aq shpesh e huqur, sa që janë të panumërta seancat ku diskutimet bëhen vetëm mbi baza personale duke fyer njëri tjetrin e duke mos u marrë me temën e rendit të ditës. E të gjitha këto bëhen kur mungon brumi dhe etika profesionale. Në mungesë të brumit dhe etikës profesionale, fyerjet dhe të marrurit me njëri tjetrin mbi baza personale po duket të jenë shumë më të lehta se aspekti profesional ku duhet lexuar e analizuar shumë për të hyrë në seancë sa më i përgatitur. E kur kjo bëhet trend kuvendor, siç në fakt edhe është bërë për fat të keq, atëherë aty as që mund të flitet për karakter emancipativ të Kuvendit. 

Njëri ndër faktorët që ka ndikuar jashtëzekonisht shumë në rënie të cilësisë është mosmbështetja e forcave profesionale dhe progresiste brenda partive politike. Aq shumë investohet nga partitë politike për të dekurajuar forcat profesionale dhe progresiste, sa që kjo praktikisht ka mbyllur dyert për këto forca, sado që në publik flitet për të kundërtën. Kjo mbyllje e derës nga partitë politike për profesionistë nga jashtë dhe eliminim politik nga brenda, i ka kthyer partitë politike në hambarë të promovimit të injorancës. Shumë më e ashpër është ‘lufta’ politike brenda partive sesa mes partive edhe atë pa kursyer asnjë mjet për elimimin apo linçim politik. Duke qenë kështu, nuk është për t’u çuditur kur sheh anomali e amaterizëm parlamentar, të cilin në asnjë mënyrë nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës. 

Një faktor tjetër që ka ndikuar edhe më shumë në rënien e cilësisë së jetës parlamentare në Kosovë është depërtimi i kapitalit financiar në proceset elektorale politike dhe brenda partive politike. Nënshtrimi i politikës para grupeve të ngushta financiare ka bërë që shumë anëtarë të një partie politike të jenë në të njëjtën kohë edhe strukturë financiare, e cila shfrytëzon këtë resor për të pushtuar hapësirën publike, për të kontrolluar mediat dhe deri diku edhe shoqërinë civile. 

Kjo ka bërë që sot të jetë e pamundur të bëhen deputet për ata që nuk janë pjesë e strukturave financiare të instaluara brenda spektrit politik, pra me një fjalë nuk mund të bëhesh deputet nëse s’ke para. Kjo mënyrë e të bërit parlamentarizëm e ka degraduar në ekstrem jetën parlamentare, sa që pjesa më e madhe e deputetëve vetëm një gjë dinë e ajo është kur duhet ngritur dorën “për” ose “kundër” për tema, prapa të cilave qëndrojnë grupe të forta financiare e jo interesi qytetar. Këto struktura financiare brenda partive politike numrat në parlament i shohin vetëm si mundësi për të shtyrë përpara rend-dita që promovojnë rritjen ose konservimin e kapitalit financiar. E syri profesionist përbën pengesë të madhe për  rend-ditën e këtyre strukturave. Kjo më nuk është kurrfarë sekreti. 

Si rezultat i kësaj strukture financiare brenda partive politike dhe mediave, jeta publike është e aq e dirixhuar nga këto struktura, sa që është shumë e vështirë, nëse e pamundur, të futen në tregun e partive politike individë profesionistë që nuk janë pjesë e këtyre strukturave financiare. Pra, parlamenti shfrytëzohet vetëm për të konservuar kapitalin financiar përmes këtyre organizimeve financiare, të cilat sigurisht që mbjellin dëshpërim te qytetarët. 

Ndërkohë që, dëshpërimi te qytetarët bëhet aq i madh sa që shumë njerëz humbin shpresën e të jetuarit dhe vepruarit në Kosovë. Duhet ta themi hapur, se performanca e dobët e Kuvendit të Kosovës ka qenë dhe është duke mbjellur pakënaqësi konstante te qytetarët në përgjithësi dhe te të rinjët në veçanti. Si rezultat i kësaj gjendjeje pothuaj të pashpresë në Kuvend nuk e sheh pothuaj asnjë njeri që është i kënaqur me atë çfarë flitet në të. Dhe kjo po vazhdon me të njëjtin ritëm. 

Në situata normale, të diskutuarit në Kuvend do të duhej përqendruar në tema programatike që prekin përditshmërinë, gama e përmbajtjes së fjalimit/diskutimit do të duhej të ishte e gjerë, analitike e krahasuese dhe mbi këto premisa të ofroheshin zgjidhjet në përputhje me rrethanat socio-ekonomike e politike të vendit, në përputhje me trendet zhvillimore dhe orientimet shtetërore drejt BE-së. 

Shikoni deputetët gjermanë, anglezë ose francezë, ose ata në Kuvendin Evropian, se çfarë game cilësore diskutimi kanë, sa në trend me zhvillimet vendore e globale janë, sa të pjekur, stabil dhe të qëndrueshëm janë, sa të shtyrë në moshë janë për të ofruar profesionalizëm e përvoja të dëshmuara, sa fort e godasin problemin jo për t’i bërë qejfin dikujt, por sepse duhet, se për atë janë të thirrur e paguhen, sa rrjedhshëm lexojnë e flasin, sepse e kanë me pasion atë punë, e jo si te ne që dikush as vet se di pse ulet në Kuvend. Nuk bëhesh deputet në Kosovë pse je i bindur vetë, pse ke përvojë profesionale dhe institucionale, por pse dikush vendos se ti duhet të bëhesh deputet i dirixhuar pa marrë parasysh se a i ke kapacitetet e nevojshme profesionale dhe a je i denjë për atë punë apo jo. 

E tëra kjo vjen nga mungesa e një qasjeje programatike e spektrit politik në Kosovë se si do të duhej ndërtuar, zhvilluar e promovuar resurset e nevojshme partiake. E qasje programatike nënkupton promovimi i brumit profesional, promovimi i njerëzve në përputhje me kapacitetet që kanë, absorbime profesionistësh të dëshmuar, promovimi i hapur dhe i sinqertë i njerëzve që ia vlejnë për sofër të parë, të dytë e kështu me radhë. E sofra e parë është Kuvendi, sepse aty ke hapësirën dhe obligimin për të ngritur për diskutim dhe për të mbrojtur nevojat e qytetarëve e jo për të heshtur apo fjetur gjatë tërë legjislaturës. Fundja, Kuvendi është arena e ballafaqimit të ideve, e për t’u ballafaquar duhet folur e jo heshtur. 

Njeriu duhet të ketë dinjitet, nëse do të ketë. Kuvendi dhe asnjë institucion nuk është për të paditurin, sepse je zëri i qytetarit që të ka votuar për t’ia rritur atij mirëqenien dhe për t’i dhënë shpresë. E keni vërejtur në Kuvend kur flet ndonjë i ditur – edhe pse rrallë – të gjithë hapin sytë duke e pranuar në ndërdije e duke thënë vetë më vete: “për besë na kënaqi, lum ky për vete, pse u bëra unë depute kur lidhje s’paskam me këtë punë”. Injoranca prodhon injorancë, nëse spektri politik nuk vetëdijësohet nevojën e ngritjeje të cilësisë, atëherë Kuvendi do të vazhdojë të shikohet nga qytetarët më shumë si arenë humori se sa si legjislativ dhe si balancë e pushtetit. 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera