Lajme

CIA dinte çdo gjë për Enverin

Autori: Gazeta inFokus 10:00 | 17 August 2017

Shërbimi Informativ Amerikan ka pasur detaje të sakta se si funksiononte Sigurimi i Shtetit në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente të vitit 1952 tregohen detaje mbi infiltrimet e agjentëve shqiptarë.

Sipas dokumentit, spiunët ndodheshin në çdo organizatë, dikaster e ndërmarrje. Ata ishin sytë e veshët e partisë dhe kushdo që identifikohej si jo i rregullt, arrestohej. Po ashtu tregohet se kush mund të bëhej pjesë. Një tjetër detaj është se tregohen përçarjet që lindën brenda Partisë Komuniste.

Siguria dhe kontrollet në Shqipëri, qershor 1952

-Advertisement-

Policia dhe agjentët e sigurimit

Në Lezhë ka rreth 30 policë dhe agjentë të Sigurimit, që drejtohen nga Qamil Daçi nga Shkodra. Roja civile e Lezhës ka rreth 14 burra. Në zonën e Lezhës ka stacione policie në zonat e Dajç, Kallmet, Shëngjin e Krioneri.

Çdo organizatë bazë ka agjentë të sigurimit që formojnë policinë sekrete të partisë. Këta agjentë infiltrohen në organizata të ndryshme të punëtorëve, me detyra si ruajtja e mbikëqyrjes së anëtarëve të kolektivit apo anëtarëve të Partisë së Punës.

Ata mbikëqyrin gjithashtu organizatat dhe vetë forcat e sigurisë së regjimit për elemente diversive. Gjatë takimeve të partisë, këta elementë janë iniciatorë të kritikave të ashpra ndaj elementëve që shkelin vijën e Partisë Komuniste dhe çdo i dyshuar prej tyre raportohet te Sigurimi. Agjentët e Sigurimit mund të jenë drejtues të organizatës bazë ose dhe anëtarë të thjeshtë partie. Ashtu si në pjesën jugore të Shqipërisë, edhe në kufirin verior ka një zonë të ndaluar me thellësi rreth 1500 metra.

Kampet e përqendrimit

Në Shkodër u dërguan katër të burgosur, tre për krime politike dhe një për krime të tjera. Rreth 200 persona po mbahen aty për shkelje politike dhe rreth 400 për krime të zakonshme. Në Burrel gjendet kampi i atyre që vuajnë dënime politike të gjata. Gjatë qëndrimit të burgosurit janë të detyruar të punojnë në minierat e kromit pranë Burrelit.

Në Lezhë ka burgje për të ndjekurit për krime politike dhe ato ordinere, por pas gjyqeve të dënuarit dërgohen në burgun e Shkodrës për të vuajtur dënimin. Në pjesën veriore të Fierit, në kazermat e vjetra italiane janë futur familjet e të arratisurve. Një informator tha se e kishte parë kampin në gusht 1950 teksa kalonte aty pranë me një mjet ushtarak.

Një tjetër kamp përqendrimi është vendosur në Lushnje, në kazermat e vjetra italiane në perëndim të qytetit. Informatori ynë ka parë atje rreth 250 të burgosur kur kaloi me mjetin ushtarak. Rreth 30 nga të burgosurit ishin burra të vjetër, ndërsa pjesa tjetër ishin gra. Të gjithë po ktheheshin nga puna e detyruar.

Gjatë të njëjtit udhëtim në një rrugë në Jug të Kavajës, informatori ynë pa të arratisur ose familjarë të tyre që po ktheheshin nga puna e detyruar.

Rreth 200 burra të vjetër dhe gra të të gjitha moshave, po shoqëroheshin nga gjashtë policë. Informatori nuk e dinte se ku ndodhej kampi i tyre. Nga veshjet e të burgosurve, informatori gjykoi se ata vinin nga rajone të ndryshme të Shqipërisë, përfshi edhe jugun. Informatori dëgjoi nga një ushtar nga Kosova se kishte një kamp për të burgosurit politikë dhe në Kosovë.

Informatori beson se në Fier ka një kamp për refugjatët jugosllavë simpatizantë të Kominform. Në lidhje me këtë, informatori deklaroi se një nga të afërmi e tij, qytetar jugosllav, i larguar drejt Shqipërisë dhe tani ndodhet në Fier. Ky i afërm kishte kërkuar leje të jetonte me njerëzit e tij në fshatin e informatorit, por autoritetet nuk kishin pranuar.

Guerilët grekë

Informatori nuk ka dalluar lëvizje të guerrilëve grekë në Shqipëri. Ai e dinte se disa guerrilas kishin shprehur dëshirën të qëndronin në Shqipëri dhe të bëheshin qytetarë shqiptarë. Por gjithsesi numri i tyre ishte shumë i vogël. Qeveria i vendos ata në rajonet e Elbasanit dhe Fierit dhe u dha ngastra toke, kështu që ata shpërndahen dhe nuk janë të kufizuar vetëm në kamp.

Lejet dhe kartat e identitetit

Personat e autorizuar të mbajnë armë, kanë një leje që duhet ta mbajnë me vete. Ajo lëshohet nga dega e tyre lokale e Sigurimit. Për të udhëtuar kërkohet vetëm pasaporta civile.

Kur një person nuk është më anëtar i Partisë së Punës, tesera e partisë merret nga oficeri përgjegjës i organizatës bazë dhe i dorëzohet zyrës politike të punëtorëve të partisë, në zonën e tij. Çdo qytetar shqiptar duhet të ketë dokumentet e mëposhtme: Dokumentin e identifikimit, librezën e lirimit nga ushtria, pas kryerjes së shërbimit në forcat e armatosura. Dokumentin e partisë, nëse është anëtar partie, të lëshuar nga zyra politike e të rinjve.

Aktivitetet e misionit sovjetik të naftës (vitet 1950)

Mes disa misioneve sovjetike që operojnë në Shqipëri, më i madhi prej tyre jo-ushtarak është ai për naftën, që fillimisht ishte pjesë e misionit teknik nën drejtimin e profesor Tarkovin.

Në nëntor 1948, ministri sovjetik Çuvashin njoftoi qeverinë shqiptare se misionet e ardhshme të naftës dhe karburanteve do të kryheshin nga grupe të pavarura. Kreu i këtij misioni është inxhinieri Veselovod Kurakin, zyrtar i lartë i kompanisë Neftprom në Moskë.

I nisur fillimisht me nëntë veta, misioni nisi të rritej pas vitit 1949 duke arritur në 69 teknikë nga Bashkimi Sovjetik, Bullgari dhe zonat sovjetike të Gjermanisë dhe Austrisë. Nga kjo e fundit erdhën 17 specialistë me avion të veçantë. Misioni ka zyrat e tij në rrugën e Elbasanit dhe selinë kryesore në rrugën Skënderbeg. Ai ka gjithashtu zyra rajonale në Kuçovë, Durrës dhe Shkodër.

Degët e Durrësit dhe Kuçovës janë kryesisht të angazhuara për ngritjen e depozitave të naftës. Grupi i mbikqyrësve është i ndarë në dy grupe. I pari drejtohet nga Vasiutin dhe kryen vëzhgime në zonën Murriz-Salce në veriperëndim të puseve të Kuçovës, kurse i dyti i drejtuar nga Nikitenko ndodhet në Elbasan për hetimin e fushave të gazit natyror (të cilat llogariten me përmbajtje rreth 18 600 kalori për metër kub).

Nëse hetimet rezultojnë të frytshme dhe të lehtësisht të shfrytëzueshme, Elbasani do të bëhet qendra e Shqipërisë për prodhimin e gazit metan, ndërsa Shkodra, sipas misioneve, do të bëhet qendra e industrisë së karburanteve sintetik si qymyri. Në lidhje me këtë, planifikohet instalimi i impiantit sovjetik PLE-47, i përshtatur nga inxhinieri sovjetik Fleshnikov, sipas modelit të sistemit amerikan “Hydrokol”.

Sipas llogaritjeve sovjetike, 18 000 ton në vit vajgur sintetik mund të përftohen që në fazat e para të prodhimit. Negociatat janë ende në zhvillim dhe ende asnjë vendim final nuk është marrë nga palët.

Misioni sovjetik ka refuzuar planet shqiptare për krijimin e një porti të vajgurit në Vlorë, të lidhur me tubacione me puset e naftës në Kuçovë. Sipas opinionit të sovjetikëve, vajguri shqiptar nevojitet për konsum lokal, prandaj nuk është nevoja për ndërtimin e një porti të tillë në Vlorë, që mund të rezultonte shumë i ekspozuar dhe i kushtueshëm në rast të një sulmi të armikut.

Sovjetikët sugjerojnë se impiantet portuale për sasinë e naftës për eksport është më mirë të ndërtohen në Durrës, që është më pak i ekspozuar ndaj sulmeve dhe më pranë kryeqytetit, i cili gjithashtu është i mbrojtur mirë. Sovjetikët kanë sugjeruar gjithashtu ngritjen e sistemit të depozitave të naftës në Durrës, ndërtimi i të cilave tashmë ka nisur.

Depozitat do të ndërtohen pranë rrugëve kryesore dhe do të lidhen me hekurudhën Durrës-Kavajë, të cilat mbulohen nga kodrat e fshatit peshkatar të Arapaj (tridhjetë e pesë për qind e depozitave do të jenë nëntokësore). Gjatë vitit 1949 do të merret dhe vendimi për ndërtimin e dy rafinerive të naftës, për të cilat Shqipëria do të japë forcën punëtore, ndërsa BRSS do të japë materialet dhe personalin teknik.

Sipas raportimeve, qëllimi kryesor i aktivitetit të misionit të naftës dhe karburanteve është sigurimi i rezervave të karburantit për avionët sovjetikë dhe forcat detare sovjetike që veprojnë në ujërat shqiptare në rast lufte.

Megjithëse sjellja e popullatës shqiptare në qytete dhe porte është korrekte ndaj oficerëve sovjetikë, ajo nganjëherë është armiqësore në zonat rurale, në të cilat sovjetikët shoqërohen nga roje të armatosura gjatë vizitave të tyre. I gjithë personeli sovjetik merr furnizimet ushqimore me avionë të veçantë nga Bullgaria apo Rumania.

Përveç këtyre, nënte restorante private janë organizuar për shërbimin ndaj zyrtarëve sovjetikë në Tiranë, dhe nuk kanë lidhje me restorantin e madh në ambasadën sovjetike. Për arsye të shtimit të numrit të sovjetikëve edhe strehimi i tyre po bëhet problem për autoritetet shqiptare.

Shënim: Theksohet fakti se planet sovjetike për qendrën e prodhimit në Shkodër nuk kanë lidhje me projektet e mëparshme jugosllave për ndërtimin e një impianti të ngjashëm në Virpazer.

Rezistenca ndaj regjimit aktual

Pakënaqësia mes popullit shqiptar vazhdon të jetë e gjerë dhe në vitet e fundit ka pasur disa raste të rezistencës së hapur ndaj regjimit. Edhe vetë regjimi ka pranuar ekzistencën e elementëve “diversantë” dhe sulmeve ndaj ushtrisë dhe karvaneve civile të furnizimeve.

Incidenti më i rëndë i rezistencës ishte bomba në ambasadën sovjetike në shkurt 1951, por vrasjet lokale dhe sabotimet kanë qenë gjithashtu një sfidë për autoritetet komuniste. Deri tani regjimi i Hoxhës ka ditur të përballet me lëvizjet kundërshtare, duke zbatuar masa të shumta represive.

Për shembull, ministri Shehu ka krijuar disa batalione të veçanta ndjekjeje që operojnë në zonat malore kundër grupeve individuale të rezistencës. Refugjatët anti-komunistë kanë raportuar për ekzistencën e disa grupeve të rezistencës me emra si “Lidhja Kombëtare e Maleve”, “Liria”, “Skënderbeu”, “Thirrja”, por nuk ka informacion specifik mbi to.

Nuk duket se ka bashkëpunim mes grupeve të disidentëve megjithë dëshirën e tyre të përbashkët për largimin e regjimit të Hoxhës. Mes grupeve shqiptare në emigracion, më i rëndësishmi duket se është Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, me selinë evropiane në Romë, i cili përbëhet nga tre grupe: 1) Partia Demokratike Agrare/Balli Kombëtar të cilët kanë më shumë ndjekës në Jug të Shqipërisë, 2) Partia e Legalitetit (pro-Mbretit Zog) e cila është më e fortë në qendër të Shqipërisë, dhe 3) Lidhja e fshatarëve e katundarëve që mbështetet në veri të vendit dhe në provincat jugosllave ku jetojnë shqiptarë.

Të gjitha grupet kanë si qëllim krijimin e Shqipërisë së lirë e të pavarur, por kanë dallime mes njëri-tjetrit për llojin e qeverisë së re. Aktivitetet e Komitetit brenda Shqipërisë kanë qenë vetëm shpërndarje propagande dhe disa përpjekje subversive nga agjentët e tij. Operacioni i tyre më efektiv ka qenë lëshimi i fletëve të propagandës, që ka shkaktuar mjaft eksitim brenda vendit, dhe ka nxitur nota proteste ndaj zyrtarëve italianë apo dhe largim të njerëzve nga Shqipëria.

Rebelimet

Shumica e komunistëve duket se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me çdo organizatë që ka në plan përmbysjen e regjimit për arsye të zhgënjimit me qeverinë, besimit se BRSS nuk do të rrezikojë të futet në luftë për shkakun e Shqipërisë apo sepse besojnë se pushteti i Hoxhës do të bjerë së shpejti dhe presin t’i japin llogari qeverisë tjetër që do të vijë më pas.

Qeveria nuk i beson më as policisë dhe raportohet se më shumë se një e katërta e policisë janë në favor të revolucionit. Raportohet se nëntëdhjetë për qind e njerëzve janë gati të veprojnë kundër qeverisë, por kërkojnë siguri se nuk do të ketë lëshime territoriale ndaj Greqisë, Jugosllavisë e Italisë.

Popullata është konfuze prej sponsorizimeve të ndryshme që kanë grupet e huaja që hyjnë në vend fshehtësisht, prandaj besojnë se nëse këto grupe nuk bashkohen, vendit mund t’i shkaktohet më shumë dëm sesa favor. Qeveria ka bërë shumë propagandë gjatë kësaj kohe, duke akuzuar se Komiteti për Shqipërinë e Lirë punon për Greqinë dhe ka ndërmend t’i kthejë asaj Epirin e Veriut. Gjithashtu, ajo propagandon se grupet italiane do të kthejnë në vend influencën italiane dhe ato jugosllave do t’i japin rajonin e Kosovës Jugosllavisë.

Meqenëse anëtarët e arrestuar të grupeve të mëparshme të agjentëve kanë treguar te hetuesit për ata që i kanë ndihmuar brenda vendit, qytetarët kanë frikë të ndihmojnë grupet e ndryshme të agjentëve dhe i kanë raportuar ato te autoritetet. Grupet jugosllave nuk kanë influencën e pretenduar në zonat veriore dhe as ato të dërguara nga grekët nuk konsiderohen të favorizuar.

Përçarjet mes komunistëve

Partia Komuniste shqiptare si rezultat i debateve është e përçarë. Grupe të vogla partizanësh prej 15-20 vetësh janë vendosur në male. Ka terror dhe uri, asnjë nuk është i sigurt për jetën e tij. Ushtria e vendit përbëhet nga 25 mijë njerëz por qeveria nuk ka shumë besim te trupat e saj, prandaj gjatë zhvendosjeve nga një vendndodhje në tjetrën ushtarët nuk i kanë armët e mbushura.

Numri i specialistëve rusë në vend ka arritur në 1000. Siç shihet nga më sipër, Shqipëria drejtohet nga një klikë e vogël komunistësh që nuk ka lidhje me popullin e saj. Ky grup ka gjithashtu debate mes vetes. Pakënaqësia e popullit rritet dita-ditës. Sapo sinjali i revoltës të jepet, populli shqiptar do t’i japë fund komunistëve brenda disa ditëve. Tito nuk do të lëvizë sepse Shqipëria e Enver Hoxhës përfaqëson për të armikun kryesor. Duhet të supozojmë që Tito do të ndihmojë fshehtësisht largimin e regjimit të Hoxhës dhe kompanisë së tij.

Por kushtet e mëposhtme janë absolutisht të nevojshme: Greqia, nëse është e mundur, duhet të deklarojë solemnisht që njeh kufijtë e Shqipërisë së vitit 1913, domethënë ato përpara pushtimit italian të vitit 1939, duke hequr dorë nga pretendimet e saj për Epirin e Veriut (provincat pjellore të Korçës e Gjirokastrës, dhe të nisë një politikë të re miqësie me Shqipërinë e re demokratike.

Një deklaratë e tillë ka shumë rëndësi pasi populli shqiptar preferon më mirë të vuajë nën thundrën komuniste nga frika e pushtimit grek të jugut të vendit. Deklarata të njoftohet me radio dhe nga shtypi, duke inkurajuar popullin shqiptar të krijojë kushtet e nevojshme për revolucionin.

Kjo iniciativë duhet të kryhet nga forcat shqiptare jashtë vendit (në Itali, Greqi, Turqi, Egjipt e Siri) numri i të cilave të jetë 1500 deri në 2000 njerëz. Kontakti direkt duhet të vendoset me liderët e kualifikuar të rezistencës, brenda dhe jashtë vendit. Në çdo rajon të Shqipërisë ka njerëz që zotërojnë autoritetet absolut mbi provincat e tyre.

Armatimet, municionet dhe furnizimet e tjera do të sigurohen nga Aleatët. Pasojat e një grushti shteti të suksesshëm është: Goditje e rëndë ndaj imperializmit rus dhe një shembull i shkëlqyer për vende të tjera që vuajnë nën thundrën sovjetike; Fundi i luftës civile në Greqi; Kapja e bazës së rëndësishme në ishullin e Sazanit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera