Sport

Challandes: Ne kemi një ëndërr, ndaj Çekisë duhet ndeshje e “çmendur”

Autori: Gazeta inFokus 09:09 | 07 September 2019

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes doli sot në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Republikën Çeke, të vlefshme për eliminatoret e Euro 2020-ës. Ai theksoi se nuk mund të klonojë futbollistët që mungojnë, pro duhet të gjejë zgjidhje në funksion të lojës kolektive.

A i keni zgjidhur dilemat për zëvendësuesit e futbollistëve që mungojnë?

E thashë që në fillim të javës, që nuk dua të flas shumë rreth mungesave, pasi ata futbollistë nuk janë këtu. Unë duhet të jem i qetë dhe të bëj zgjidhjet e duhura. Nuk mund të klonoj Zenelin, Rashicën apo Shalën, por kemi lojtarë të tjerë, me cilësi të tjera, ndaj duhet të gjejmë zgjedhjet e duhura. Megjithatë nuk duhet të mendojmë për zgjidhje individuale, por të gjejmë zgjidhje kolektive. Nuk mund të mendoj për zëvendësime një për një, por për cilësitë që i përshtaten më shumë lojës së grupit.

-Advertisement-

Sa janë të përgatitur psikologjikisht lojtarët për këtë takim, duke parë edhe mungesat e shumta?

Shpresoj që skuadra të jetë gati për këtë ndeshje, pasi është një shans të luash këtë takim. Kam folur shumë këtë javë rreth mentalitetit dhe psikologjisë, pasi janë dy aspekte shumë të rëndësishme në këtë kohë. Mentaliteti është shumë i rëndësishëm, po aq sa zgjedhjet taktike. Duhet të miksojmë të gjithë cilësitë, pra të jemi “të çmendur” dhe të tregojmë pasion e dëshirë për të fituar. Luajmë në shtëpi, përballë një publiku të zjarrtë dhe duhet të tregojmë anën tonë më të mirë. Ne kemi përpara një ëndërr, jo një synim apo objektiv. Çekia ka 6 pikë dhe ne 5, pra ende mund të ëndërrojmë, por për këtë duhet të bëjmë një ndeshje të jashtëzakonshme.

Cili është ndryshimi mes kundërshtarëve me të cilët kemi luajtur dhe Çekisë që do ta takojmë nesër?

Për dallimin, mjafton të shohim rezultatet. Çekia fitoi 3-0 ndaj Malit të Zi dhe 2-1 ndaj Bullgarisë, por në një ndeshje ku pati shumë raste shënimi. Ka një ekip shumë të mirë, ku ndërthuren eksperienca dhe të rinjtë e talentuar. Kanë lojtarë që luajnë në liga të forta europiane, por edhe në Çeki, ku Slavia Prague luan në grupet e Champions League. Nuk mund të luajmë një lojë normale kundër kësaj skuadre.

Elbasan Rrashani shënon gjithmonë kur niset nga stoli. A ka ardhur koha të luajë nga fillimi, apo më mirë një xholi që vjen nga stoli?
Unë nuk tregoj dot listën e futbollistëve që do të luajnë nga fillimi, por Rrashani është në gjendje shumë të mirë dhe ka shënuar e asistuar edhe në ekipin e tij në Norvegji. Unë nesër do të luaj shumë nëpër krah dhe Rrashani i njeh mirë të dy krahët. Natyrisht që do ta marr parasysh edhe atë, por është një kandidat shumë i mirë për të luajtur nga fillimi nesër, por edhe ndeshjet e ardhshme.

Përmendët një ndeshje “të çmendur”, a do të thotë kjo që do të shohim në fushë Zhegrovën e Berishën?

Me lojë “të çmendur” unë nuk mendoj vetëm për këta lojtarë, por mendoj për presingun e lartë. Në një ndeshje normale, me presingun e lartë detyrat ndahen mes lojtarëve, ku gjithsecili ka kundërshtarin e vet, ndaj të cilit duhet të ushtrojë presion. Në një ndeshje “të çmendur” nuk ka detyra taktike, por vetëm presion ndaj çdo kundërshtari dhe nga ana e të gjithë lojtarëve. Sepse presioni total nuk është vetëm mbrojtje e mirë, por edhe përgatitja për të shënuar gol. Kjo është për mua një ndeshje e çmendur. Zhegrova, Berisha apo kushdo, është njësoj për mua. Rëndësi ka mentaliteti me të cilin duhet të zbresin lojtarët në fushën e lojës. Këtë ndeshje të madhe duhet të bëjmë edhe me ndihmën e publikut në shkalët e stadiumit, që mund të shndërrohet në një forcë të madhe për ne.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera