Lajme

Çfarë thonë vjehrri dhe burri që e rrahën nusen për dy euro?

Autori: Gazeta inFokus 16:06 | 09 November 2018

Të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Z.Xh dhe djali i tij, M.Xh, janë deklaruar të pafajshëm, të premten, në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Babë e bir akuzohen se pas një mosmarrëveshjeje për shkak se Z.Xh i kishin humbur dy euro, ai së bashku me djalin e tij, M.Xh, i kishin shkaktuar lëndime trupore nuses, tani të dëmtuarës V.B.Xh.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Sahit Tmava, Z.Xh ka deklaruar se kjo çështje kishte marrë fund njëherë në gjykatë dhe se thirrja gjyqësore për ta po paraqet shqetësim.

-Advertisement-

Gjykatësi i rastit Mentor Hajraj, i njoftoi të akuzuarit se gjykata, për të siguruar të dëmtuarën nga lëndimi eventual në të ardhmen kishte lëshuar urdhër mbrojtje në departament civil, por se tani janë duke u ndjekur penalisht për veprën e kryer.

Përderisa i akuzuari i dytë, M. Xh që në kohën e kryerjes së veprës ishte bashkëshort i të dëmtuarës, në seancën e të premtes, ka deklaruar se me të dëmtuarën nuk kishte asgjë të keqe dhe se ishin pajtuar.Pas deklarimit të pafajësisë nga të akuzuarit, gjykata i ka njoftuar ata se në afat prej 30 ditësh mund ta kundërshtojnë aktakuzën apo të paraqesin kërkesë për hudhjen e saj.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 12 tetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Z.Xh dhe M. Xh, duke i ngarkuar me kryerjen e veprës “lëndim i lehtë trupor”.

Sipas aktit akuzues, më 24 korrik 2018, rreth orës 18:30, në fshatin Makermal, Komuna e Skenderajt, të njëjtit i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarës, V.B. Xh.Duke u bazuar në aktakuzë, pas një grindje paraprake me të dëmtuarën, pasi që i pandehuri i parë kishte humbur një shumë të parave, kishte filluar ta godas të dëmtuarën dhe ta shtrëngojë për fyti me duar.

Më pas, siç thuhet në aktin akuzues, e ka goditur me grushte dhe me këmbë.Gjithnjë duke u bazuar në aktakuzë, edhe i pandehuri i dytë e ka goditur nëpër kokë dhe trup, me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore në kokë, buzën e epërme, nën syrin e majtë, në buzë, në qafë, në të dy krahët si dhe hermatom në ashtin e hundës.Këto lëndime, sipas aktakuzës, janë shkaktuar nga mjeti i fortë mekanik dhe janë të karakterit të përkohshëm për shëndetin.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 parag.3 në lidhje me parag.1 të KPRK-ës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Presidenti i UNI z. Alejtin Berisha, folës mbi temën “Women’s Role in Artificial Intelligence Development” në DOKUTECH, edicioni i 11-të
-Advertisement-

Të tjera