Çfarë rekomandime e konkluzione dha Venediku për Byronë e konfiskimit të pasurisë
Autori: Gazeta inFokus 12:15 | 23 December 2022
Drafti i parë i Projektligjit për themelimin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme kishte marrë një mal me vërejtje nga Komisioni i Venecias. Kjo e kishte bërë të nevojshme që Qeveria si sponzorisuese e projektligjit të bashkëpunonte edhe me partnere të tjerë në vend, përfshirë edhe organizatat e huaja për të përmirësuar vërejtjet e Venecias, sipas të cilave vërejtje Projektligji fillestar s’ishte në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Megjithatë pas përfshirjes në procesin e ndryshimit të projektligjit fillestar të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë si Zyra e BE-së, Këshilli i Evropës, OSBE-ja, UNDP dhe organizatave të tjera, vlerësimi nga Komisioni i Venecias është pozitiv meqë janë bërë përmirësime të dukshme në draftin e dytë si rezultat i vërejtjeve të herës së parë.
Një gjë të tillë e ka vlerësuar edhe vetë Komisioni i Venecias.
“Bazuar në informacionet që janë dhënë nga autoritetet, procesi i amandamentimit të Draft-Ligjit ka përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile si dhe partner ndërkombëtarë siç janë Zyra e BE-së në Kosovë, Këshilli i Evropës, OSBE-ja, UNDP dhe organizata të tjera. Komisioni i Venecias mirëpret gjithpërfshirjen dhe transparencën në procesin e rishikimit të Draft-Ligjit”, thuhet në opinionin vazhdues të Komisionit.
Megjithatë janë dhënë përsëri disa rekomandime.
Tek pjesa e opinionit të Venecias ku flitet për përkufizimin e qartë të interesave të përgjithshme dhe publike, thuhet se definicionet në Draft-Ligjin e amandamentuar janë rishikuar në thelb.
Siç shkruhet në opinionin e Venecias, sipas Draftit të ri, Ligji zbatohet për pasuritë e personave zyrtarë dhe të palëve të treta, duke e braktisur kështu trajtimi e veçantë të anëtarëve të familjes dhe personave të ekspozuar politikisht, raporton Express.
Përveç kësaj, në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të themelohet Divizioni i ri për Konfiskimin Civil.
“Paqartësitë për përcaktimin e barrës së provës mbi bilancin e gjasave janë zbardhur. Projektligji parashikon se standardi i provës është “kur gjykata bazuar në prova, beson se diçka ka më shumë gjasa të ndodhë, ose të ketë ndodhur sesa e kundërta”, thuhet në opinionin e Venecias.
Tutje thuhet se “ Verifikimi i pasurisë përkufizohet si “vlerësimi i shumës së pasurisë në raport me të ardhurat e ligjshme” dhe pasuritë e pajustifikuara përcaktohen në përputhje me këtë”.
Ndërkohë për Nenin 3.1 pika 10 , Venecia ka dhënë rekomandim se mund të rishikohet. Sipas Venecias nuk mjafton që pasuria të mos jetë në përputhje me të ardhurat e ligjshme por edhe të plotësohet kriteri që “origjina nuk vërtetohet e ligjshme”.
“Hartuesit mund të konsiderojnë ndryshimin e dispozitës e cila do të përcaktonte se “pasuri të pajustifikuara” janë ato që “s’janë në përputhje me të ardhurat e ligjshme dhe origjina e të cilave nuk provohet e ligjshme”, thuhet në pikën 12 të opinionit të Komisionit të Venecias.
Komisioni i Venecias ka vlerësuar si hap pozitiv ndryshimin që është bërë në Draft-Ligji për Komisionin Mbikëqyrës të Byrosë. Sipas draftit të parë, ai Komision përbëhej nga të zgjedhur të Kuvendit e që sipas Vencias përbënte rrezik për politizimin e Byrosë.
Venecia e sheh si zgjidhje të përshtatshme që anëtar të Komitetit për Mbikëqyrjen e Byrosë do të jenë anëtar nga Auditori i Përgjithshëm, një gjyqtarë i Gjykatës Supreme që emërohet nga Kryetari i Gjykatës Supreme, zëvendësi i avokatit të Popullit i emëruar nga Avokati i Popullit dhe Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare.
“Sipas mendimit të Komisionit të Venecias, organi i ri i propozuar në projektligj ofron një garanci më të mirë për pavarësinë pasi të gjithë anëtarët e Komisionit vijnë nga jashtë sferës politike. Duke qenë se Auditori i Përgjithshëm është gjithashtu anëtar, kjo i përgjigjet vërejtjes së Komisionit të Venecias se Auditori i Përgjithshëm duhet të përfshihet në kontrollin e buxhetit të Byrosë”, konstaton Venecia në opinion.
Si hap tjetër drejt përforcimit të pavarësisë së Byrosë, Venecia vlerëson që është përgjegjësia që i jepet Komisionit Mbikëqyrës për propozimin e emërimit dhe të shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Byrosë, dhe gjithashtu përgjegjësia për të vlerësuar punën e tij apo të saj dhe miratimin e akteve nënligjore.
Kur flitet për zgjedhjen e drejtorit të Byrosë, Venecia konstaton se do të ishte edhe gjetja e një mekanizmi anti-bllokadë, nëse ai nuk arrin të zgjidhet në Kuvendin e Kosovës. Këtu përmendet zgjedhja e parë e Komitetit Mbikëqyrës, nëse nuk arrihet pragu.
Komisioni i Venecias ka vlerësuar pozitivisht edhe përmirësimin e procedurës së përzgjedhjet së Drejtorit të Përgjithshëm. Siç thuhet në opinion, Drejtori është figura dominuese në të gjithë procesin dhe potencojnë se zgjatja e mandatit nga pesë në shtatë vjet pa të drejtë rizgjedhje dhe ndalimi për të ushtruar funksion tjetër publik janë hapa shumë pozitivë.
“Kjo vlen edhe për përcaktimin e arsyeve të përfundimit të mandatit të Drejtorit të Përgjithshëm. Tani ato janë më specifike dhe ka më shumë masa mbrojtëse kundër abuzimit”, thuhet në Opinionin e Venecias.
“Prandaj, Komisioni i Venecias është i mendimit se ndryshimet zbatojnë plotësisht rekomandimet e opinionit të tij të mëparshëm. Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe roli i tij në përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm, ndër të tjera, është një përmirësim i dukshëm në krahasim me draftin e mëparshëm”, potencohet tutje në Opinionin e dytë.
Venecia gjithashtu në opinion thekson se sa i përket kapaciteteve të Byrosë janë ndjekur rekomandimet e dhëna, meqë tashmë Byroja ka të paktën katër dikastere, Departamentin Ligjor, Departamentin e Analizës së Riskut, Departamenti i Verifikimit dhe Forenzikës dhe Departamenti për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme.
“Në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, u trajtuan të gjitha komentet thelbësore në lidhje me organizimin e Byrosë: së pari sigurimi i garancive të forta për pavarësinë e Byrosë dhe së dyti sigurimi i Byrosë me një numër të mjaftueshëm personeli të specializuar dhe me kompetenca adekuate”,thekson Opinioni.
Tek përcaktimi i parakushteve për fillimin e procedurës, Komisioni i Vencias ka dhënë rekomandim që në trajtimin e mëtejshëm të Projektligjit të trajtohet çështja e pragut të besueshmërisë së provave.
“A duhet që dëshmitë të krijojnë probabilitetin që pasuria të jetë e pajustifikuar apo mjafton ndonjë test si dyshimi i arsyeshëm. Kjo çështje duhet të shqyrtohet më tej gjatë përgatitjes së versionit përfundimtar të Projektligjit”, potencon Opinioni.
Venecia e ka vlerësuar si pozitiv ndryshimin që është bërë rreth procedurës së ofrimit të informacioneve nga institucionet e ndryshme financiare në Kosovë si Banka Qendrore, Agjencia Kundër Korrupsionit, Dogana, Njësia e Inteligjencës Financiare. Pra informacionet do të jepen vetëm pas një vendimi të gjykatës, por jo deri në atë masë që do të cenohej siguria kombëtare apo të drejtat kushtetuese të njeriut ose që do të ndikonte në hetim penal.
Komisioni i Venecias ka vlerësuar gjithashtu se është rregulluar në mënyrë të kënaqshme edhe çështja e dispozitave lidhur me barrën e provës te konfiskimi civil.
Sipas Projektligjit të ri tashmë është specifikuar se është “standart i provës kur gjykata, bazuar në prova, veson se diçka ka më shumë gjasa të ndodh apo të ketë ndodhur se sa jo”. Në Projektligjin e ri gjithashtu thuhet se Byroja duhet të paraqesë provat përpara gjykatës dhe të provojë se pronësia nuk mund të justifikohet derisa palës i është dhënë e drejta që pastaj mund të provojë të kundërtën në seancë.
“Në këndvështrimin e Komisionit të Venecias çështja e barrës së provës është rregulluar në mënyrë të kënaqshme në versionin e ri të Projektligjit. Pasiguria në dyfishimin e formulave është hequr dhe tani ekziston një përkufizim mjaft i qartë i bilancit të probabiliteteve”, thekson Opinioni.
Tek garancitë dhe të drejtat e njeriut, Komisioni i Venecias ka konstatuar se ende nuk është e qartë nëse ekziston ndonjë mekanizëm për t’u siguruar që deklaratat e bëra apo dokumentet e ofruara detyrimisht nga pala në procedurë civile nuk mund të përdoren kundër tij ose saj në një procedurë penale.
“ Megjithatë, kjo mund të rrjedhë nga ligjet e tjera në fuqi. Kjo duhet sqaruar”, thuhet në Opinion.
Tek pjesa e Konkluzioneve, Komisioni i Venecias ka konstatuar se “Projektligji i ndryshuar N°08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurive të Pajustifikuara paraqet një përmirësim të konsiderueshëm në krahasim me tekstin e mëparshëm. Shumica e problemeve më serioze të identifikuara në opinionin e qershorit të Komisionit të Venecias janë adresuar”.
Megjithatë, Komisioni i Venecias ka rekomanduar që institucionet e Kosovës të marrin në konsideratë çështjet e mëposhtme gjatë përgatitjes së versionit përfundimtar të Projektligjit:
a. të parashikohet në tekst se “pasuri të pajustifikuara” janë ato që “nuk janë në përputhje me të ardhurat e ligjshme dhe origjina e të cilave nuk provohet si e ligjshme”;
b. të sqarohet nëse “institucionet apo ndërmarrjet publike” përfshijnë edhe institucionet dhe ndërmarrjet e huaja apo vetëm kosovare;
c. të parashikojë një mekanizëm kundër bllokimit për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Byrosë;
d. të vendosë një standard provash për të justifikuar fillimin e procedurës;
e. të qartësojë mekanizmin që garanton që deklaratat e bëra dhe dokumentet e dhëna detyrimisht nga pala në procedurë civile nuk mund të përdoren kundër tyre në procedurë penale;
f. konsideroni shtimin e një dispozite që do të mbulonte situatat kur procedimet nga Byroja rezultojnë të pabazuara, duke parashikuar një mundësi për të shkurtuar çështjet duke tërhequr çështjen./
Të tjera
-
Bislimi bën thirrje të festohet me zemër, jo me ạrmë
Edhe këtë vit Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e duhura për festat e fund...
-
Zogaj: Kosova duhet të krenohet me mbarëvajtjen dhe mekanizmat e zgjedhjeve
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka lavdëru...
-
Deri në gjysmë ore pritje, kjo është gjendja në pikat kufitare me Kosovë
Mërgimtarët ia kanë mësyer Kosovës për pushime. Në hyrje bashkatdhetarët p...
-
Gucati për Kurtin: E kom ditë që ky njeri s’vjen me na vizitu kurrë, Bislimit nuk ia dhashë dorën
Hysni Gucati, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, ka...
-
Kurti: Me Hovenierin, marrëdhënia me ShBA-në ka arritur në nivele të reja
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin...
-
FSK nga 16 dhjetori me staf të ri kuzhinierësh, thotë ministri i Mbrojtjes
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se nga data 16 dhjetor ka f...
-
Drenasi, kampione në Grantin e Performancës Komunale, për herë të gjashtë radhazi
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se komuna që udhëhe...
-
Festat e fundvitit, trafik kilometrik në aksin rrugor Tiranë-Elbasan
Festat e fundvitit kanë sjellë trafik kilometrik në aksin rrugor Tiranë-Elbas...
-
Problemet me mungesën e energjisë elektrike, nesër banorët e fshatit Bardhosh organizojnë protestë
Shumë vende në Kosovë ditëve të fundit po përballen me mungesë të energjisë e...
-
Prokuroria nis hetimet ndaj tre personave për ryfshet, sekuestrohen 25 mijë euro
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj tre personave për keq...
-
Qeveria nesër e mban mbledhjen, por edhe pritjen e fundvitit me përfaqësues të medieve
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nesër do të mbajë mbledhjen e radhës. ...
-
Pesë gazetarë të Gazës u vrạnë nga një sụlm izraelit që synonte një grup të armatosur
Një kanal televiziv palestinez thotë se pesë nga gazetarët e tij janë vrarë n...