Lajme

Çfarë po ndodhë në LDK, a e ka ftuar Abdixhiku kryesinë pas ftesës për koalicion nga Kurti

Autori: Gazeta inFokus 12:09 | 06 May 2025

Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se është duke mbajtur një takim të Kryesisë, në kohën kur në opinion po qarkullon letra e tretë publike e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, drejtuar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me kërkesën për një koalicion të përbashkët qeverisës.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala, në një prononcim të shkurtër për media është shprehur: “Flasim pas takimit”, duke mos komentuar më shumë për zhvillimet aktuale.

Takimi i Kryesisë po mbahet në selinë qendrore të partisë, ndërsa pritet që pas përfundimit të tij të ketë një deklarim zyrtar lidhur me qëndrimin e LDK-së ndaj ofertës së Kurtit.

-Advertisement-

Në letrën e tij, Kurti ka theksuar gatishmërinë për marrëveshje politike me LDK-në, duke përmendur edhe historikun e bashkëpunimeve të mëhershme të kësaj partie me subjekte të ndryshme, përfshirë Vetëvendosjen në vitin 2020. Sipas Kurtit, koalicioni me LDK-në është i preferuar nga shumica e votuesve të të dyja partive dhe duhet të ndodhë tash, pa e shtyrë vendin në zgjedhje të reja.

Pritet që pas përfundimit të takimit të Kryesisë, LDK të dalë me qëndrim të qartë për ofertën e Vetëvendosjes./GazetaInfokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera