Fokus

Çfarë po ndodhë me 500-shet, qytetarët nuk mund ta përdorin pa u identifikuar

Autori: L.A 15:47 | 25 August 2021

Me kartëmonedhat prej 500 eurosh nuk mund të bëni transaksione sikur deri tani.

Në markete e pika tjera të shitjes ka filluar identifikimi i personave që tregtojnë me kartëmonedha prej 500 eurosh.

Disa qytetarë për Gazetën Infokus kanë treguar se në disa markete nuk po ua pranojnë 500 euro ose kërkojnë nga ta të mbushin një formular ku duhet të bashkëngjitin edhe kopjen e letërnjoftimit të tyre.

-Advertisement-

Në Bankën Qendrore të Kosovës nuk janë në dijeni për këtë procedurë të ndërmarrë nga subjektet afariste.

Por arsye se pse mund të ndodh kjo japin rrezikun që bartë dëmi tek tregtarët në rast falsifikimi të kësaj kartmonedhe.

“Nuk kemi informacione për dukurinë e mospranimit apo identifikimit nga ana e subjekteve tregtare të personit që përdor kartëmonedhën në vlerë prej 500€ gjatë transaksionit, por me siguri kjo bëhet për shkak të riskut dhe dëmit shumë të madh që mund të bartë subjekti tregtar një kartëmonedhë në vlerë prej 500€ nëse një e tillë me pastaj identifikohet si e falsifikuar”, ka thënë zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës Kushtrim Ahmeti për Gazetën Infokus.

E rastet e falsifikimit të këtyre kartëmonedhave nuk janë të rralla.

Gjatë të mërkurës policia ka raportuar një rast ku një person ka deponuar në një bankë një kartëmonedhë 500 euro të falsifikuar.

Në raportin e policisë bëhet e ditur se rasti është duke u hetuar dhe është informuar edhe prokurori.

Gjithashtu, Banka Qendrore Evropiane që nga janari ka filluar që të mos prodhojë dhe lëshojë në qarkullim kartëmonedhën 500 euro.

Por pavarësisht kësaj kjo kartëmonedhë do të vazhdojë të mbetet në treg dhe do të këmbehet pa ndonjë telashe.

Kushtrim Ahmeti nga BQK ka bërë të ditur se kartëmonedha prej 500 euro do të ruajë vlerën e saj dhe mund të shpenzohet ose deponohet në bankë pa ndonjë telashe.

“Ju njoftoj se më 4 maj 2016 Banka Qendrore Evropiane vendosi që të ndërpresë prodhimin dhe lëshimin në qarkullim të kartëmonedhës në vlerë prej 500€, dhe si rrjedhojë duke filluar nga data 27 janar 2019, 17 nga 19 bankat qendrore kombëtare të eurozonës nuk do të lëshonin më në qarkullim kartëmonedhën në vlerë prej 500€. Kartëmonedhat ekzistuese në vlerë prej 500€ do të vazhdojnë të mbeten tender ligjor dhe mund të përdoren si mjet pagese, dhe gjithmonë do të ruajnë vlerën e saj që do të thotë mund ta shpenzoni ose ruani atë apo ta depononi në bankë”, ka thënë Ahmeti për Gazetën Infokus.

Gjithashtu, bankat komerciale, zyrat e këmbimit dhe palët e tjera komerciale, vazhdojnë ta pranojnë dhe ta ri qarkullojnë kartëmonedhën ekzistuese në vlerë prej 500 eurove. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera