Nuk ka kaluar propozimi që të shqyrtohet me procedura të përshpejtuara projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike COVID-19.

Kjo ka bërë që për disa minuta të krijohet një tollovi në sallën e Kuvendit. Nga pamjet nuk shihet se çfarë ka ndodhur ndërkohë që kryetarja e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar një pauzë.

Pas dy herë votime, nuk ka kaluar propozimi që të hyjë në rend dite shqyrtimi i projektligjit për rimëkëmbje ekonomike COVID-19. Votimi i parë kishte vetëm 57 vota ndërsa i dyti vetëm 60, të pamjaftueshme për kalimin e propozimit.

-Advertisement-

Me kërkesë të deputetit, Shkelzen Hajdini, u votua për shmangien e procedurave për shqyrtimin e ligjit për rimëkëmbje ekonomike COVID-19.

“Të plotësohet rendi i ditës, për shqyrtimin e ligjit për rimëkëmbjen ekonomike COVID-19, të bhet me procedurë të përshpejtuar. Të jetë si pikë e parë e rendit të ditës, të shqyrtohet projektligji për rimëkëmbjen ekonomike”, tha ai.

Por, me këtë propozim të Hajdinit nuk u pajtua deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati.

“Në lidhje me propozimin që të votohen të dy leximet, është kërkesë e paarsyshme që të kalohen të dy leximet brenda ditës”, tha Hekuran Murati.

Ndërsa, grupet e tjera parlamentare u pajtuan. Por, përsëri propozimi nuk kaloi sepse në votim morën pjesë vetëm 57 deputetë, jo mjaftueshëm.

Pas kësaj, Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, kërkoi që të hidhet ne votim edhe njëherë propozimi, por, edhe herën e dytë nuk kaloi pasi ishin vetëm 60 vota për.