Lajme

Çfarë ndodh nëse arrestohet Trumpi?

Autori: Gazeta inFokus 08:40 | 21 March 2023

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, pretendon se do të arrestohet të martën për disa akuza që lidhen me një hetim për një pagesë 130.000 dollarëshe ndaj yllit të pornografisë, Stormy Daniels, më 2016.

Nëse arrestohet, atëherë ai do të bëhet ish-presidenti i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që përballet me akuza penale.

Për çfarë mund të akuzohet Trump?

-Advertisement-

Më 2016, ylli i filmave pornografikë, Stormy Daniel i ka kontaktuar disa media, duke u ofruar shitjen e materialeve të një afere, që ajo ka supozuar se e ka pasur me Trumpin, më 2006.

Ekipi i Trumpit është angazhuar në këtë rast dhe avokati i tij, Michael Cohen, e ka paguar 130.000 dollarë Danielsin që të heshtë.

Diçka e tillë është e paligjshme.

Megjithatë, kur Trump e ka rimbursuar Cohenin, në regjistrat zyrtarë thuhet se pagesa është kryer nën arsyetimet për angazhime ligjore.

Prokurorët kanë thënë se kjo vërteton që Trump i ka falsifikuar dokumentet biznesore dhe kjo përbën kundërvajtje – vepër penale – në Nju Jork.

Prokurorët ka mundësi që të supozojnë se diçka e tillë shkel edhe ligjin zgjedhor, sepse tentimet e tij për të fshehur pagesën e kryer për Danielsin, janë motivuar nga dëshira që votuesit të mos e marrin vesh aferën.

Fshehja e një krimi, duke falsifikuar dokumentet, në Shtetet e Bashkuara trajtohet si shkallë më e lartë krimi, sesa shkeljet tjera.

Edhe avokatët e ndjekjes penale e pranojnë se ky rast nuk është aspak i qartë.

Ekzistojnë pak shembuj për një gjykim të tillë, dhe tentimet në të kaluarën për të akuzuar politikanët që kanë tejkaluar linjën mes financave të fushatës dhe shpenzimeve personale, kanë përfunduar me dështime.

“Do të jetë e vështirë”, ka thënë Catherine Christian, ish-prokurore për financa në qytetin e Nju Jorkut.

A do të mund të akuzohet Trump?

Vendimi nëse do të ketë padi varet prej Prokurorit të qarkut të Nju Jorkut, Alvin Bragg.

Ai e ka krijuar një juri të madhe për të hetuar nëse ka mjaftueshëm të dhëna për ndjekje penale dhe ai është i vetmi që e di nëse – apo kur – do të ketë padi.

Javën e kaluar, avokatët e Trumpit kanë thënë se ish-presidentit i është ofruar mundësia e paraqitjes para një jurie të madhe, çka është shenjë se hetimet janë afër fundit.

Avokatët e ish-presidentit kanë hedhur poshtë sugjerimet se ata, apo vetë Trump, kanë njohuri për një padi në ardhje, duke thënë se komentet e Trumpit për arrestimin e mundshëm të së martës bazohen vetëm në raportimet e mediave.

Megjithatë, ekzistojnë edhe shenja tjera se juria e madhe është afër përfundimit të punimeve.

Të dy, Michael Cohen dhe ish-këshilltari i tij ligjor, Robert Costello – tani kritik i ashpër i tij – pritet të dëshmojnë për këtë rast.

Costello do të mund të prezantohet nga ekipi mbrojtës i Trumpit, në tentim e sipër për të diskredituar dëshminë e Cohenit.

Çfarë ndodh nëse Trump arrestohet?
Nëse ai akuzohet, avokatët e Trumpit kanë thënë se arrestimi i ish-presidentit do të realizohet sipas procedurave standarde.

Kjo nënkupton se ai do të udhëtojë nga shtëpia e tij në Mar-a-Lago në Florida për t’u paraqitur para gjykatës në qytetin e Nju Jorkut, dhe t’iu nënshtrohet procedurave, siç është dhënia e shenjave të gishtave dhe shkrepja e fotografive të të akuzuarve.

Duke marrë parasysh natyrën historike të një veprimi të tillë, dhe shqetësimet për sigurinë, mënyra si mund të ndodhin këto zhvillime është e paqartë – dhe mund të jetë subjekt i negociatave në mes të Zyrës së Prokurorit dhe ekipit të Trumpit.

Kur të vendoset për rastin dhe të caktohet gjyqtari, detajet tjera janë më lehtë të menaxhueshme, sikurse koha e gjykimit dhe kufizimet e mundshme në udhëtim, apo kërkesat për lirim me kusht të të pandehurit.

Dënimi eventual për kundërvajtje mund të rezultojë me gjobë.

Nëse Trump dënohet për shkelje të rëndë, ai mund të dënohet me katër vjet burgim, ndonëse disa ekspertë ligjorë parashikojnë se gjoba është më e mundshme, dhe se vënia e ish-presidentit mbrapa grilave është opsion me pak gjasa.

A do të ketë protesta?
Pas deklaratës së tij në rrjetet sociale se do të paditet të martën, Trump ka bërë thirrje të vazhdueshme ndaj mbështetësve të tij për protesta masive.

“Ne nuk mund të lejojmë më diçka kësisoj. Ata po vrasin shtetin tonë teksa ne ulemi dhe vështrojmë”.

Gjuha e përdorur vë në pah retorikën e ashpër të tij para sulmeve ndaj Kongresit amerikan më 2021.

Prandaj edhe janë rritur shqetësimet për përsëritje të dhunës.

Bragg është në kontakt të ngushtë me policinë e Nju Jorkut dhe autoritetet e sigurisë, sipas një letre që ka rrjedhur te mediat amerikane.

“Ne nuk do të tolerojmë përpjekjet për të frikësuar zyrën tonë apo që të kërcënohet sektori për sundim të ligjit në Nju Jork”, ka shkruar ai.

“Partnerët tanë për sundim të ligjit do të sigurojnë që çfarëdo kërcënimi specifik apo kredibil ndaj zyrës sonë, do të hetohet dhe do të garantohet mbrojtje”.

Prapëseprapë, tani ka pak të dhëna që mund të organizohen protesta të mëdha, sikurse ato të 6 janarit të vitit 2021 në ndërtesën e Kongresit.

A mund të garojë Trump për president?
Padia eventuale, apo edhe dënimi penal, nuk do t’ia ndalonin Trumpit garën, nëse synon ta vazhdojë atë.

Trump ka dhënë shenja se nuk e ka ndërmend të ndalet, pavarësisht se çfarë ndodh.

Në fakt, në ligjet amerikane nuk ekziston asnjë nen që ia parandalon një kandidati – që dënohet për një krim – garën apo edhe mandatin e presidentit – qoftë edhe nëse ai është në burg.

Megjithatë, arrestimi eventual i Trumpit do ta komplikonte fushatën e tij presidenciale.

Ndonëse kjo situatë mund të nxisë disa mbështetës të tij republikanë që të marshojnë, arrestimi mund të shpërqendrojë dukshëm fushatën e tij.

Një zhvillim i këtillë, po ashtu, mund të thellojë edhe më shumë ndasitë në sistemin politik amerikan.

Konservatorët besojnë se ish-presidenti është duke u trajtuar në një nivel tjetër të drejtësisë, derisa liberalët e shohin këtë si çështje të mbajtjes përgjegjës edhe të atyre që mbajnë, apo kanë mbajtur, pozitat më të larta në pushtet./ REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera