Lajme

Çfarë janë kriptovalutat, për të cilat Kosova po bën ligj?

Autori: Gazeta inFokus 11:47 | 10 October 2021

Kosova pritet që së shpejti të bëhet me një ligj të ri, i cili do të përcaktojë rregullat e përdorimit të kriptovalutave, apo parave digjitale, brenda territorit të saj.

Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të taksimit, projektligji synon edhe të sigurojë pajtueshmëri të industrisë me ligjet vendëse dhe ato ndërkombëtare.

Komisioni për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës po angazhohet që, përmes këtij projektligji, të adresojë edhe çështjen e keqpërdorimit të energjisë elektrike për pasurim me kriptovaluta në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, ku qytetarët nuk paguajnë për rrymën që e shfrytëzojnë.

-Advertisement-

Sipas ligjvënësve që po punojnë në hartimin e rregullave për industrinë e kriptovalutave, projektligji pritet të miratohet para fundit të vitit 2021. Ai tashmë ka kaluar fazën e parë të hartimit, ndërsa për nismën ligjore do të zhvillohet edhe dëgjim publik.

Më poshtë ju shpjegojmë se çfarë saktësisht është kriptovaluta dhe si funksionon ajo, se çfarë është “blockchain”, se si verifikohen transaksionet e kriptovalutave, se si mund të bëhet një persron minator kriptovalute, por edhe se si mund t’i përdorni kriptovalutat, dhe se si dhe a duhet të investoni në kriptovaluta.

Çfarë saktësisht është kriptovaluta?

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir). Mund të keni dëgjuar tashmë për versionet më të popullarizuara, Bitcoin dhe Ethereum, por ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore.

Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to, ashtu sikurse në pasuri të tjera, siç janë aksionet apo metalet e çmueshme. Përderisa kriptovaluta është një lloj i ri dhe interesant i pasurisë, blerja e saj mund të jetë e rrezikshme, pasi duhet të bëni hulumtime të konsiderueshme për ta kuptuar mënyrën se si funksionon secili sistem.

Si funksionon kriptovaluta?

Kriptovaluta është mjet shkëmbimi, i cili është digjital, i koduar dhe i decentralizuar. Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute. Këto detyra janë të shpërndara gjerësisht mes përdoruesve të një kriptovalute, nëpërmjet internetit. Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.

Nakamoto e përshkroi projektin si “një sistem elektronik pagesash, i bazuar në dëshmi kriptografike, në vend të besimit”.

Kjo dëshmi kriptografike vjen në formë të transaksioneve, të cilat verifikohen dhe regjistrohen në formën e një programi, të quajtur “blockchain”.

Çfarë është “Blockchain”?

“Blockchain” është një libër i hapur, i shpërndarë, i cili regjistron transaksionet me shifra. Në praktikë, është disi si një libër shitblerjeje, që është i shpërndarë nëpër kompjuterë të pafundmë nëpër botë. Transaksionet regjistrohen në “blloqe”, të cilat lidhen me njëra-tjetrën nëpërmjet një “zinxhiri” të transaksioneve të mëparshme të kriptovalutës, shkruan Forbes.

“Imagjinojeni një libër, ku e regjistroni çdo shpenzim paraje çdo ditë. Secila faqe është e ngjashme me një bllok, ndërsa i tërë libri, një grup faqesh, përbën një ‘blockchain’” – Buchi Okoro – shef ekzekutiv dhe bashkëthemelues i këmbimores afrikane të kriptovalutës, Quidax.

Me “blockchain”, secili person që përdor një kriptovalutë e ka kopjen e vet të këtij libri, për të krijuar një regjistër të unifikuar transaksionesh. Programi regjistron çdo transaksion të ri sapo ai ndodh, dhe çdo kopje e “blockchain”-it përditësohet njëkohësisht me informata të reja, duke i mbajtur të gjithë regjistrat identikë dhe të saktë.

Për të parandaluar mashtrimet, secili transaksion verifikohet, duke përdorur njërën prej dy metodave kryesore të sanksionimit: dëshminë e punës apo dëshminë e pronësisë.

Dallimi mes dëshmisë së punës dhe dëshmisë së pronësisë

Dëshmia e punës dhe dëshmia e pronësisë janë dy teknika të ndryshme të sanksionimit, që përdoren për të verifikuar transaksionet, para se ato të shtohen në “blockchain”, dhe që i shpërblejnë verifikuesit me më shumë kriptovaluta. Zakonisht, kriptovalutat e përdorin ose dëshminë e punës, ose dëshminë e pronësisë, për të verifikuar transaksionet.

Dëshmia e punës: “Dëshmia e punës është metodë e verifikimit të transaksioneve në ‘blockchain’, ku një algoritëm paraqet një problem matematikor, të cilin kompjuterët garojnë për ta zgjidhur”, thotë Simon Oxenham, menaxher i mediave sociale në Xcoins.com.

Secili nga kompjuterët pjesëmarrës, të cilëve shpesh i referohen si “minatorë”, zgjidh një detyrë matematikore, e cila ndihmon për verifikimin e një grupi transaksionesh – të cilit i referohen si bllok – dhe më pas e shton atë në regjistrin “blockchain”. I pari kompjuter që e zgjidh detyrën shpërblehet për përpjekjen me një shumë të vogël kriptovalute.

Kjo garë për të zgjidhur detyrat për “blockchain” mund të bëjë që të harxhohet shumë fuqi kompjuterike dhe energji elektrike. Në praktikë, kjo do të thotë se minatorët mezi dalin në fitim me kripton që marrin për verifikimin e transaksioneve, pas llogaritjes së kostos së energjisë dhe të resurseve kompjuterike.

Dëshmia e pronësisë: Për të reduktuar harxhimin e energjisë së nevojshme për kontrollimin e transaksioneve, disa kriptovaluta përdorin metodën e verifikimit nëpërmjet dëshmisë së pronësisë. Me këtë dëshmi pronësie, numri i transaksioneve që çdo person mund të verifikojë është i kufizuar me shumën e kriptovalutës që ata janë të gatshëm ta bllokojnë përkohësisht në një kasafortë të përbashkët, për të pasur mundësinë të marrin pjesë në këtë proces. “Është pothuajse si një hipotekë bankare”, thotë Okoro. Secili person që fut kripto në kasafortë ka të drejtë të verifikojë transaksione, por gjasat që të zgjidhen për këtë detyrë rriten me shumën që dorëzohet.

“Për shkak se dëshmia e pronësisë heq zgjidhjen e detyrës që harxhon energji, është shumë më efikase sesa dëshmia e punës, dhe mundëson kohë më të shpejtë të verifikimit apo konfirmimit të transaksioneve”, – Anton Altement – shef ekzekutiv i Osom Finance.

Nëse pronari (nganjëherë quhet verifikues) zgjidhet për të konfirmuar një grup të ri transaksionesh, ai do të shpërbëhet me kriptovalutë, që mund të arrijë shumën e përgjithshme të tarifave të transaksionit nga blloku i transaksioneve. Për të parandaluar mashtrimet, nëse një person zgjidhet dhe verifikon transaksione të pavlefshme, ai humb një pjesë të parave që ka dorëzuar.

Roli i konsensusit në kripto

Edhe dëshmia e pronësisë, edhe dëshmia e punës, mbështeten në mekanizma konsensusi për të verifikuar transaksionet. Kjo nënkupton që përderisa secila shfrytëzon përdorues individualë për të verifikuar transaksionet, secili transaksion i verifikuar duhet të kontrollohet dhe të aprovohet nga shumica e mbajtësve të librave të shitblerjes.

Për shembull, një pirat kompjuterik (apo haker) nuk mund ta ndryshojë librin e “blockchain”-it, përveç nëse arrin ta verifikojë versionin e tij mashtrues nga të paktën 51 për qind të mbajtësve të librit. Resurset e nevojshme për ta bërë një gjë të tillë i bëjnë minimale gjasat për mashtrim.

Si mund të bëhesh minator kriptovalute?

Nëpërmjet minierave lëshohen njësi të reja të kriptovalutës në botë, kryesisht në shkëmbim të verifikimit të transaksioneve

Përderisa në teori është e mundshme që një person i rëndomtë të bëhet minator kriptovalutash, kjo është gjithnjë e më vështirë në sistemet e dëshmisë së punës, si Bitcoin.

“Teksa rrjeti i Bitcoin-it po rritet, ai po bëhet më i ndërlikuar, dhe nevojiten procesorë më të fuqishëm. Konsumatori mesatar arrinte ta bënte këtë, por tani është thjesht shumë e shtrenjtë. Të duhet të garosh me aq shumë njerëz që i kanë përsosur pajisjet dhe teknologjinë e tyre”, Spencer Montgomery – themelues i Uinta Crypto Consulting.

Dhe, mos harroni: Kriptovalutat me sistem të dëshmisë së punës harxhojnë shumë energji. Llogaritet se 0.21 për qind e elektricitetit të mbarë botës harxhohet për të fuqizuar minierat e Bitcoin-it. Zvicra përdor një sasi të tillë energjie brenda vitit. Llogaritet se minatorët e Bitcoin-it harxhojnë 60 deri në 80 për qind të fitimeve nga puna si minatorë, për të mbuluar kostot e rrymës. Përderisa s’është e lehtë që një person i thjeshtë të fitojë kripto duke punuar si minator në një sistem të dëshmisë së punës, modeli i dëshmisë së pronësisë kërkon më pak resurse të fuqishme kompjuterike, teksa verifikuesit zgjidhen rastësisht, bazuar në shumën që dorëzojnë. Megjithatë, ky sistem kërkon që tashmë të keni në pronësi kriptovaluta, në mënyrë që të mund të merrni pjesë. (Nëse nuk keni kripto, s’keni asgjë për të dorëzuar).

Si mund t’i përdorni kriptovalutat?

Ju mund t’i përdorni kriptovalutat për të bërë blerje, por kjo formë pagese ende nuk gjen pranim të gjerë. Vetëm pak tregtarë ‘online’ pranojnë Bitcoin, kriptoja është larg normëzimit. Kjo, megjithatë, mund të ndryshojë në të ardhmen.

Gjiganti i pagesave, PayPal, së voni ka njoftuar krijimin e një shërbimi të ri, i cili do t’i mundësojë klientëve të blejnë, të mbajnë dhe të shesin kriptovaluta, nga llogaritë e tyre në PayPal. “Kjo është e jashtëzakonshme”, thotë Montgomery. “Nëse PayPal do të konsiderohej bankë, ajo do të ishte banka e 21-të më e madhe në botë, dhe ajo po i jep qasje të gjithë përdoruesve të saj. Ata do ta bëjnë të lehtë për njerëzit që të dërgojnë kripto”.

Derisa kriptoja të pranohet më gjerësisht, kufizimet aktuale mund të kapërcehen disi, nëpërmjet shkëmbimit të kriptovalutës me “gift card” (kartë dhuratë). Në eGifter, për shembull, mund të përdorni Bitcoin për të blerë kartë dhuratë për shfrytëzim në Dunkin Donuts, Target, Apple, e disa tregtarë dhe restorante të tjera. Ju gjithashtu mund të transferoni kriptovaluta në një kartë debiti, për të bërë pagesa. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të nxirrni një kartë BitPay, e cila është kartë debiti që i shndërron kriptovalutat në dollarë për blerje, por për porositjen e kartës dhe për përdorimin e saj për tërheqje nga bankomatët aplikohen tarifa.

Ju gjithashtu mund të përdorni kriptovalutat si opsion alternativ të investimit, përveç aksioneve dhe bonove.

“Kriptoja më e njohur, Bitcoin, është valutë e sigurt, e decentralizuar, e cila është bërë pasuri e vlefshme, si ari. Disa njerëz i referohen asaj si ‘ari digjital”, – David Zeiler, ekspert kriptovalutash dhe redaktor i uebsajtit të lajmeve nga ekonomia dhe financat, Money Morning.

Si t’i përdorni kriptovalutat për blerje të sigurta?

Kriptovalutat mund të blihen në rrjete pa ndërmjetësues dhe në këmbimore kriptovalutash, si Coinbase dhe Bitfinex. Por, shikojini mirë tarifat, pasi disa prej këmbimoreve ndalin shuma shumë të larta për blerje të vogla me kriptovaluta. Coinbase, për shembull, ndal një tarifë prej 0.5 për qind të blerjes, dhe një tarifë fikse prej 0.99 deri në 2.99 dollarë amerikanë, varësisht nga madhësia e transaksionit.

Së voni, aplikacioni për investime, Robinhood, ka filluar të ofrojë mundësinë e blerjes së disa prej kriptovalutave, përfshirë Bitcoin, Ethereum dhe Dogecoin, pa tarifat e shumë prej këmbimoreve të njohura. “Dikur ishte mjaft e vështirë, por tani është relativisht e lehtë, edhe për fillestarët me kriptovaluta”, thotë Zeiler. “Një këmbimore si Coinbase i shërben njerëzve të thjeshtë. Është shumë e lehtë të krijosh një llogari aty dhe ta lidhësh atë me një llogari bankare”.

Por, mos harroni se blerja e kriptovalutave të ndryshme është disi sikur blerja e aksioneve individuale. Meqë do t’i investoni krejt paratë në një mjet të vetëm, rrezikoni më shumë sesa nëse e shpërndani atë në disa qindra apo mijëra pjesë.

Nëse dëshironi inkuadrim në tregun e kriptovalutave, mund të investoni në aksione individuale të kompanive të kriptovalutave. Por, “nëse dëshironi përfshirje me më pak rrezik, mund të investoni në kompani të mëdha, të cilat po e pranojnë teknologjinë ‘blockchain’, si IBM, Bank of America dhe Microsoft”, thotë Zeiler.

A duhet të investoni në kriptovaluta?

Ekspertët kanë mendime të ndryshme rreth të investuarit në kriptovaluta. Meqenëse kriptovaluta është investim tejet spekulues, me potencial për lëkundje të mëdha çmimesh, disa këshilltarë financiarë nuk u rekomandojnë njerëzve aspak që të investojnë.

Për shembull, përderisa Bitcoin-it gati iu dyfishua vlera gjatë vitit të kaluar, duke arritur një çmim prej mbi 18 mijë dollarësh në nëntorin e vitit 2020, ai gjithashtu në mënyrë drastike humbi vlerë në të njëjtin vit, kur ra nën 5 mijë dollarë. Por, edhe nivelet e fundit të larta të Bitcoin-it janë më të ulëta se çmimi i tij më i lartë ndonjëherë, i arritur më 2017, prej rreth 20 mijë dollarësh. Pra, kriptovalutat, për dallim prej valutave më të zakonshme, mund të jenë shumë të rrezikshme dhe mund të pësojnë ndryshime të shpeshta të vlerës.

Për këtë arsye, Peter Palion, planifikues i certifikuar financiar në Nju-Jork, mendon se është më mirë që të vazhdohet me valuta që mbështeten nga qeveritë, siç është dollari amerikan.

“Nëse keni dollarë amerikanë në rezervat e parave të gatshme, e dini se mund ta paguani kredinë, mund ta paguani faturën e rrymës. Kur i shikon 12 muajt e fundit, Bitcoin duket praktikisht si EKG-ja ime e fundit, ndërsa indeksi i dollarit amerikan është pak a shumë një vijë e njëtrajtshme. Një gjë së cilës i bie vlera për 50 për qind nuk është e përshtatshme për asgjë tjetër, përveç për spekulime”.

Pavarësisht kësaj, klientëve që janë veçanërisht të interesuar në kriptovaluta, planifikuesi i certifikuar financiar, Ian Hervey, u ndihmon t’i investojnë disa para në to.

“Pesha në portofolin e një klienti duhet të jetë mjaftueshëm e madhe për të qenë e vlefshme, që të mos rrënohet plani i tij afatgjatë, nëse investimi bie në zero”.

Sa i përket shumës që duhet të investohet, Harvey bisedon me investuesit për përqindjen e portofolit të tyre që ata janë të gatshëm ta humbin, nëse investimi shkon huq. “Mund të jetë 1 deri në 5 për qind, mund të jetë edhe 10 për qind”, thotë ai. “Krejt varet nga ajo se sa para kanë ata tani, dhe se sa rrezikojnë ata të humbin”./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera