Lajme

Çfarë fshihet pas udhëtimit të Saimir Tahirit në Gjermani?!

Autori: Gazeta inFokus 10:52 | 19 November 2017

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, e ka shtyrë me një ditë kthimin e tij nga Gjermania.

Familjarë të tij thanë dje për gazetën “Panorama” se ai do të kthehet nesër(sot), ditën e dielë.

Dy ditë më parë, deputeti Tahiri kishte pohuar për “Panoramën” se kishte udhëtuar drejt Gjermanisë përmes aeroportit të Rinasit për arsye familjare dhe se do të kthehej të shtunën (dje) në mbrëmje.

-Advertisement-

Avokati i ish-ministrit, i cili është person nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, u shpreh se nuk ishte në dijeni të këtij udhëtimi. Por, nga ana tjetër, shtoi se lëvizjet e tij brenda dhe jashtë Shqipërisë nuk përbëjnë asnjë detyrim për ta vënë në dijeni Prokurorinë, pasi ai është një njeri i lirë.

për më tepër, Gjykata nuk ka vendosur asnjë masë shtrënguese ndaj tij, bllokim pasaporte apo pengim për t’u larguar jashtë vendit. I vetmi vendim gjykate ishte kontrolli i banesës së tij në kuadër të hetimit për çështjen “Habilaj”, vendim që u ekzekutua nga Prokuroria.

VENDIMI

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ia kufizoi lëvizjen jashtë shtetit ish-ministrit të Brendshëm, edhe pse këtë e kishte si një nga pikat e kërkesës së saj drejtuar Parlamentit. Shumica parlamentare, në vendimin e saj e ka pranuar këtë kërkesë të Prokurorisë, me përjashtim të dhënies së autorizimit për arrestimin e Tahirit. Vendimi i Kuvendit i miratuar me votat e Partisë Socialiste, i firmosur nga kryetari i tij, Gramoz Ruçi i jep të drejtë Prokurorisë edhe për moslejimin e Tahirit të dalë jashtë shtetit.

“Vendosi pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë për: Dhënien e autorizimit për kontrollin personal dhe të banesës për deputetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Saimir Tahiri. Dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, ndalimin dhe detyrimin për të qëndruar në një vend të caktuar, si masë shtrënguese të heqjes së lirisë në kuptim të shkronjave “a”, “b” dhe “c”, të nenit 232, të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në vendimin e Kuvendit.

Udhëtimi jashtë Shqipërisë i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri vjen pas një heshtjeje të gjatë publike e mungesës së dy ditëve më parë në Parlament, ku emri i tij u risoll në vëmendje gjatë diskutimeve.

Burime nga organi i akuzës thanë se për prokurorët e çështjes, ka qenë shumë e nevojshme marrja e autorizimit për “arrest ne burg”, pasi rrezikoheshin provat. Sipas prokurorisë, duke qenë i lirë, Tahiri ka mundësi të ndikojë për provat dhe dëshmitarët.
t

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera