Lajme

Çfarë është rrjeti 5G dhe pse Amerika e ka të rëndësishme që Kosova të rreshtohet krah saj?

Autori: Gazeta inFokus 18:33 | 26 October 2020

Përhapja e 5G në të gjithë botën mund të jetë jetë pika e re determinuese e gjeopolitikës globale. SHBA-ja është e vëmendshme për këtë, kështu që e ka rreshtuar edhe Kosovën përkrah saj.

Kosova përbën gjithashtu hapësirën ku do të shtrihet gjenerata e pestë e teknologjisë së rrjeteve celulare pa tela, që njihet si 5G. Në pritje të kësaj, kryeministri Avdullah Hoti më 4 shtator ia ka dhënë një zotim presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Zotimi përfshihet në marrëveshjen për normalizimin ekonomik, të nënshkruar me mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington.

Në mesin e shumë çështjeve për të cilat Kosova në Shtëpinë e Bardhë u zotua se do t’i zbatojë, është edhe ajo e ndalimit të përdorimit të pajisjeve 5G në rrjetet e komunikimit, të shpërndara nga shitësit kinezë.

-Advertisement-

Pika e nëntë e marrëveshjes së nënshkruar me Serbinë thotë: “Të dyja palët do ta ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G në rrjetet e tyre të komunikimit celular, e cila shpërndahet nga një shitës i paverifikuar. Në rast se pajisjet e tilla janë tashmë të pranishme, të dyja palët zotohen për largimin e tyre dhe për përpjekje tjera në ndërmjetësim për ta bërë këtë në kohën e duhur”.

Rreziku dhe rëndësia që e sheh SHBA-ja në ndalimin e përdorimit të pajisjeve kineze në rrjetin 5G

SHBA i sheh kompanitë kineze që ofrojnë shërbime për rrjetin 5G si kërcënim për ekonominë dhe sigurinë kombëtare, ndërkohë që përhapja e rrjeteve celulare të gjeneratës së pestë në të gjithë botën ka të ngjarë të jetë dilema më përcaktuese gjeopolitike e këtij viti.

Infrastruktura e re e nevojshme për t’i mbështetur rrjetet 5G mund t’i nënshtrojë shume shtete ndaj kërcënimeve mbi sigurinë e tyre kombëtare. Një shqetësim i madh i SHBA-së është që pajisjet mund të instalohen nga kompani që mund të kontrollohen ose të ndikohen nga Kina. Disa nga prodhuesit kryesorë të pajisjeve të telekomit në botë, duke përfshirë Huawei dhe ZTE, janë kompani kineze me struktura të paqarta pronësie dhe lidhje të ngushta me qeverinë autoritare të Partisë Komuniste të Kinës. SHBA beson se vetëm kërcënimi i thjeshtë i këtij aktiviteti do ta pajisë Kinën me leva gjeopolitike në çdo kohë.

Shitësit kinezë të telekomunikimit detyrohen me ligj që t’u shërbejnë interesave të qeverisë kineze dhe shërbimeve të saj të inteligjencës. Nëse Huawei ose prodhues të tjerë të pajisjeve kineze ndërtojnë infrastrukturën themelore të një vendi për 5G, atëherë qeveria kineze do të kishte mundësinë të ushtronte kontroll mbi ato rrjete.

Kjo ishte edhe arsyeja pse presidenti amerikan, Donald Trump më 15 maj nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ndalon kompanitë amerikane të përdorin pajisje ose shërbime telekomunikuese të ndonjë firme që paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

Diplomati kibernetik i Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Strayer, nuk sheh diferencim mes kompanive private kineze dhe qeverisë së shtetit aziatik.

“Në të vërtetë, nuk ka asnjë diferencim midis kompanive të sektorit privat dhe qeverisë në Kinë”, kishte thënë Strayer më herët në një intervistë për PBS NewsHour. Qeveria kineze “mund t’i detyrojë kompanitë të ndërmarrin veprime të ndryshme. Ato i nënshtrohen plotësisht drejtimit të Partisë Komuniste Kineze”.

Një shitës jo i besueshëm mund të skemojë të dhëna që udhëtojnë përmes rrjetit 5G të një vendi tjetër, për të degraduar shërbimet e varura nga të dhënat ose për të hyrë në informacione konfidenciale. Duke folur për kompanitë kineze, Strayer kishte thënë se ato “mund të urdhëroheshin të minojnë sigurinë e rrjetit – për të vjedhur informacione personale ose pronë intelektuale, për të kryer spiunazh, përçarur shërbime kritike ose për të kryer sulme kibernetike”.

Kjo është arsyeja pse Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, kohët e fundit nxiti edhe aleatët e BE-së të mos u besojnë firmave kineze.

Beteja për 5G është bërë terreni mbi të cilin po zhvillohet lufta e teknologjisë SHBA-Kinë. Tregu 5G (përfshirë instalimin dhe pajisjet e rrjetit) pritet të sjellë triliona dollarë të prodhimit ekonomik. Çdo kompani ose vend që kontrollon teknologjinë 5G, do të ketë një avantazh ndaj të tjerëve në hapësirën ​​ekonomike, teknologjike, por edhe politike në botë.

Ndërkohë Kina ka kërcënuar me hakmarrje industrinë gjermane të automjeteve nëse ata nuk ndalojnë përdorimin e pajisjeve Huawei në rrjetet 5G.

Inkuadrimi i 5G kryesisht si çështje e teknologjisë konsumatore funksionon në të mirë të Kinës. Pajisjet Huawei janë zakonisht më të lira se ingranazhet e prodhuara nga furnitorët e vendeve demokratike – firmat evropiane si Ericsson dhe Nokia, të cilat SHBA ka kërkuar të mbështeten si alternativë ndaj kompanisë kineze.

Për pjesën më të mirë të dy viteve të fundit, transportuesit pa tela në të dy anët e Atlantikut kanë prezantuar rrjetin 5G, që, siç premtojnë ata, do të ofrojë shpejtësi deri në 100 herë më të madhe se sa rrjetet aktuale. Futuristët e teknologjisë thonë se rrjetet e gjeneratës së pestë do të mbështesin një mori sensorësh të lidhur me internet, automjete, e pajisje të tjera që thuhet se do të kryejnë funksione ende të paimagjinuara.

Megjithëse shpeshherë më me ngadalësi, në Kosovë ka pesë vjet që është i pranishëm rrjeti 4G.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera