Rajoni dhe Bota

Çfarë do të thotë të jesh i infektuar me COVID-19: Pacientët tregojnë histori vuajtjesh, shprese dhe dëshpërimi

Autori: Gazeta inFokus 22:45 | 01 April 2020

Këto ditë flitet dhe shkruhet shumë për shenjat paralajmëruese, simptomat dhe rreziqet e coronavirusit.

Por çfarë do të thotë të jesh i infektuar me COVID-19?

Disa të prekur tregojnë historitë e tyre, gjendjen mjekësore të përditshme, mendimet dhe vëzhgimet e tyre me korrespondenten e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti në këtë pjesë të një serie ku përshkruhet përvoja e të qenit i infektuar me coronavirus.

-Advertisement-

‘Po marr ilaçin që e quaj përzierja Trump’

Carlos Gavidia

Mosha: 53 vjeç

Profesioni: Sipërmarrës në pension

Vendbanimi: Jupiter, Florida

Pa probleme shëndetësore kronike

Pas ditëve sëmurë rëndë, Carlos Gavidia e mat kohën ndryshe tani.

“22 orë pa temperaturë, falë zotit”, thotë babai i dy fëmijëve.

Simptoma të tjera të COVID-19 vazhdojnë, por pa temperaturë të lartë dhe ai ndjehet i gjallëruar.

“Ende kam shumë dhimbje mbrapa kokës, një dhimbje therëse. Kam pak dhimbje stomaku. Por po ju them se pa temperaturë, nuk kam më duket më sikur po vdes”, thotë ai.

Gavidia beson se ai, e shoqja, i biri dhe e bija mund ta kenë marrë virusin, gjatë pushimeve për ski në Aspen të Kolorados. Ata kanë ndejur në izolim në shtëpinë e tyre në Jupiter të Floridës. Carlos e kaloi më rëndë se të gjithë të tjerët sëmundjen. Gruaja e tij, Laura gjithë kohës i ka ndërruar çarçafët e larë në djersë dhe është kujdesur që t’i zbusë dhimbjet e migrenës.

Eksperimentime me ilaçet

Shumica e pacientëve e marrin veten vetë nga COVID-19. Gavidia ia njeh meritën një kombinimi ilaçesh për përmirësimin e tij të menjëhershëm, pas dy javësh vuajtjesh: hidroksiklorokinë, një ilaç kundër malaries dhe lupusit, dhe Azithromicinë, një antibiotik i zakonshëm.

Nuk ishte e lehtë ta gjeje hidroksiklorokinën, pasi pak farmaci e kishin.

Gavidia, një ish-ekzekutiv shërbimesh financiare, dërgoi një pilot privat për të marrë disa doza nga një mik i tij në Ohajo që e përdor ilaçin për qëllim tjetër.

“I dërgova një mesazh pilotit tim. Më duhej që të shkonte në Canton të Ohajos që të merrte disa ilaçe. Ai u përgjigj në orën 5:00 dhe në orën 7:00 ishte nisur. Shkoi, e mori dhe ma solli”, tha ai.

Veprimi i guximshëm i Gavidias, i parapriu njoftimit të Agjencisë amerikane të Ushqimit dhe Barnave, që autorizonte hidroksiklorokinën si një kurë në raste urgjente për COVID-19.

Mbi një javë më herët, presidenti Donald Trump foli për efikasitetin e këtyre ilaçeve, para se çdo agjenci të kishte folur për sigurinë e tyre për pacientët me coronavirus.

Por Gavidia beson se ai që ai e quan me shaka si “kombinimi Trump” mund t’i ketë shpëtuar jetën, ose të paktën ia reduktoi periudhën e vuajtjes.

Pas rënies së temperaturës, ndihmë për të tjerët

Pasi i ra temperatura, Gavidia dërgoi pilotin e tij në Merilend, për t’ia çuar pjesën e mbetur të ilaçeve një miku të vet, i cili gjithashtu kishte rezultuar pozitiv me COVID-19.

Gavidia, që tani po rimëkëmbet, e di që gjaku i tij ka informacion të çmuar që mund të shpëtojë jetën e pacientëve të tjerë me COVID-19.

Zack Armstrong

Mosha: 29 vjeç

Profesioni: Menaxher rekrutues

Vendbanimi: Arlington, Virginia

Pa probleme kronike shëndetësore

Francis Wilson

Mosha: 27 vjeç

Vendbanimi: Arlington, VA

Profesioni: Nëpunëse në firmë ligjore, studente

Pa probleme kronike shëndetësore

‘Jam ende gjallë?’

Zack Armstrong mezi merrte frymë mes kollitjeve. Ishte dita më e keqe që po kalonte që kur ai dhe tre persona të tjerë ishin të izoluar në një apartament, pasi një shok i dhomës ishte çuar me urgjencë në spital dhe ishte diagnostikuar me COVID-19. Por gjendja e tij shpirtërore u përmirësua kur dëgjoi lajmin se pas 10 ditësh në spital, shoku i tij i dhomës Francis Wilson, kishte dalë nga koma dhe pak nga pak nuk do ta përdorte më ventilatorin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera