Fokus

Çfarë do të ndodhë me mësuesen që u largua nga puna për shkak të shamisë? Flet kryetari i Komunës e drejtori i shkollës

Autori: Gazeta inFokus 14:56 | 06 September 2022

Pas 30 viteve punë në shkollën “Flamuri i Arbërit”, në Suharekë, mësuesja Remzie Lezi u përjashtua të premten nga puna për shkak se kishte vendosur mbulohet e të mbajë shaminë.

Drejtori i shkollës, Liman Bytyçi, ka deklaruar se ky vendim është dhe do të vazhdojë të jetë në fuqi.

Ai për Gazetën Infokus ka thënë se vendimi është i bazuar në kodin e veshjes të cilin sipas tij e rregullon Këshilli Drejtues i Shkollës i cili ka marrë edhe vendimin për përjashtim të mësueses. Po ashtu Bytyçi ka thënë se vendimi i tyre është plotësisht në përputhshmëri me ligjin duke u thirrur përsëri në udhëzimin administrativ të vitit 2016.

-Advertisement-

Gazeta Infokus sot gjatë ditës publikoi deklaratën e parë të mësueses për mediat, e cila për Gazetën Infokus konfirmoi se sot ka shkuar në shkollë, mirëpo drejtori i shkollës i ka thënë përsëri se nuk mundet të qëndrojë aty për shkak të uniformës fetare.

E këtë e ka pranuar edhe vetë drejtori, Bytyçi.

“Po është e vërtet ajo çka i kam thënë. Vendimi është ende në fuqi dhe gjithçka është konform rregullave, Këshilli Drejtues i shkollës ka vendos dhe derisa të shfuqizohet ky vendim që është në fuqi që ndalon uniformën fetare atëherë në këtë rast edhe në kundërshtim me kodin e veshjes të shkollës. Këshilli Drejtues i Shkollës është kundër kësaj dhe asnjë lëshim nuk është bërë kur është marrë ky vendim”, ka thënë ai për Infokus.

Ai ka thënë se veshja e mësueses apo siç e quan ai uniforma fetare është në kundërshtim edhe me kodin e veshjes të shkollës, kod i cili po ashtu është bërë nga Këshilli Drejtues që kanë marrë edhe vendimin për largimin e mësueses.

Ai madje nuk heziton të përmend edhe një shembull banal e që e ndërlidhë me rastin e mësueses së mbuluar.

“Kodi i veshjes të cilin e rregullon është Këshilli Drejtues, kodi i veshjes edhe përmes udhëzimit administrativ ku defenitivisht shkruan se me uniformë fetare është e ndaluar të punosh e të vish në shkollë sepse i teket dikujt edhe me brekë të shkurta me arrdhë, a me lon unë në shkollë atë?!”, ka thënë drejtori i shkollës.

I pyetur se për këtë vendim a është konsultuar apo jo me Drejtorinë e Arsimit në komunë, ai ka thënë se i ka informuar për vendimin pasi largimit të mësueses, pra pasi vendimi ka qenë në fuqi.

Ani pse nuk ka marrë ende një përgjigje nga Drejtoria e Arsimit kjo se ka penguar Këshillin Drejtues të Shkollës që të largojë nga puna mësueses Remzie Lezi.

“Unë e kam dërguar njoftimin edhe në Drejtorinë e Arsimit në Komunë krejt e kanë këtë vendim. Nuk është që është pajtuar por është njoftuar. Po është njoftuar pasi është marrë vendimi. Vendimi bazohet në konsulta dhe është mbështet vetëm në rregulloren e punës.  Ende nuk kam ndonjë përgjigje nga Drejtoria e Arsimit në Komunë”, përfundon drejtori i shkollës.

Nga ana tjetër në një deklaratë për Gazetën Infokus, mësuesja ka thënë se ka 30 vite që punon në këtë shkollë dhe problemet kanë nisur vetëm pasi ajo ka vendosur të mbulohet apo të vendosë shaminë pas datës 25 qershor.

Remzie Lezi deklaron se edhe nesër e pasnesër do të vazhdojë të shkojë në vendin e punës derisa për fatin e saj të ketë një vendim nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Suharekës.

“Unë kam vendos e vu shaminë me datën 25 qershor, dhe pas 30 viteve punë në shkollën “Flamuri i Arberit’. Këtu për herë të parë kanë filluar problemet se kurrë nuk kam pasur asnjë gjysmë telashi me askënd. Pra problemi është tek shamia”, ka deklaruar Lezi.

Derisa ka thënë se nuk pajtohet me deklaratat e drejtorit të shkollës, sepse vendimi për të larguar atë nga puna është i pavlefshëm.

“Nuk pajtohem me asnjë deklaratë të tij, sepse ajo deklaratë e tij dhe shkresa që është publikuar në media është e pavlefshme. Unë kam plotësisht të drejtë derisa të sillet një vendim nga Drejtoria e Arsimit”, ka deklaruar Lezi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremi ka thënë për Gazetën Infokus se është duke u marrë me çështjen dhe janë duke u konsultuar me juristët e komunës dhe se deri në fund të kësaj jave do të merret një vendim, por natyrisht sipas një vendim që është në përputhje me ligjin dhe kushtetutën e vendit.

“Dje e kam filluar orarin në mëngjes, jam duke u marrë me këtë rast, kam kërkuar raport nga drejtori, jemi në konsultime, jemi duke biseduar edhe me juristët e komunës, në fund siç edhe kam thënë i zbatoj ligjet dhe kushtetutën e vendit. Deri në fund të javës besoj kjo çështje do të mbyllet. Kam qenë jashtë vendit e kam marrë tash përsipër dhe brenda javës mbyllet ky kapitull duke zbatuar kushtetutën dhe ligjet që janë në fuqi”, ka konfirmuar kryetari i komunës Bali Muharremaj për Gazetën Infokus.

Kryetari Muharremaj, ka reaguar edhe ditën kur u publikua në media ky vendim, duke thënë se Këshilli i Prindërve nuk ka të drejtë të marrë dhe as të largojë nga puna asnjë mësimdhënës.

Kujtojmë që ky vendim për largimin nga puna të mësueses është marrë të premten e javës së kaluar përmes një dokumenti i cili thirrej në udhëzimi administrativ të vitit 2016.

Derisa pati reagime të shumta për këtë rast, pasi vendimi u publikua në rrjetet sociale e në media nga avokati, Muhamet Mujaj.

Mësueses, Remzie Lezi i është ofruar edhe ti paguhet paga, nga një mërgimtar derisa të zgjidhet çështja për kthimin e saj në vendin e punës./Gazeta Infokus/

Ekskluzive: Flet për herë të parë mësuesja që u përjashtua nga shkolla për shkak të shamisë, provon edhe një herë të kthehet në mësim

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera