Lajme

Centrali i Zaporizhjas fik të gjashtë reaktorët pas sulmeve në afërsi

Autori: Gazeta inFokus 13:50 | 06 September 2022

Të gjashtë reaktorët e centralit bërthamor të Zaporizhjës janë fikur pas granatimeve në afërsi, teksa agjencia e OKB-së për energji bërthamore pritet të publikojë një raport para Këshillit të Sigurimit lidhur me situatën e sigurisë në këtë uzinë.

Operatori i Zaporizhjës, Enerhoatom, tha një ditë më herët se reaktori numër 6 i centralit “u fik” për shkak të një zjarri të shkaktuar nga sulmet me artileri në rajon.

Enerhoatom tha se reaktori do të rikthehet në funksion kur të shuhet zjarri.

-Advertisement-

Të pesë reaktorët e tjerë u hoqën nga funksioni më herët.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, fajësoi trupat ruse për sulmet me artileri.

Por, të dyja palët vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për rreziqet që i kanosen centralit më të madh bërthamor në Evropë që është okupuar nga forcat ruse pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

“Sot, linja e fundit e transmisionit të energjisë, që është e lidhur me sistemin e energjisë së Ukrainës, u dëmtua për shkak të një granatimi tjetër rus”, tha Zelensky gjatë një adresimi në orët e vona të 5 shtatorit.

“Për shkak të provokimit rus, centrali i Zaporizhjës është një hap larg një fatkeqësie të rrezatimit”, tha presidenti ukrainas.

*Video nga arkivi: A po përsëritet Çernobili?

Zelensky shtoi se ky granatim i pretenduar rus në Zaporizhja, që ndodhi shumë afër kohës së publikimit të raportit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, tregon se Rusisë “nuk i intereson se çfarë vendos komuniteti ndërkombëtar”.

Më 5 shtator, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, akuzoi Rusinë për “sjellje të pamatur” sa i përket centralit të Zaporizhjas, teksa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të ketë shqetësime për ndonjë fatkeqësi bërthamore sikurse ai i Çernobilit.

Raporti i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore vjen pasi një mision i kësaj agjencie vizitoi javën e kaluar Zaporizhjën.

Kreu i kësaj agjencie tha se raporti do të prezantohet më 6 shtator pranë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Dy prej inspektorëve të OKB-së do të vazhdojnë të mbesin në Zaporizhja, ndërsa pjesa tjerët janë larguar që atje pasi kanë vlerësuar dëmet në këtë central.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera