Lajme

Çeku takohet me Korenicën, bisedojnë për ta bërë Rahovecin me stadium

Autori: Gazeta inFokus 16:35 | 08 December 2022

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se gjatë takimit me deputetin Visar Korenica, kanë biseduar për ta bërë Rahovecin me stadium të ri të futbollit.

Çeku theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për jetësimin e këtij projekti, me rëndësi për sportin dhe gjithë banorët e Rahovecit.

“Sot me deputetin e Kuvendit të Kosovës Visar Korenica biseduam për angazhimin tonë të përbashkët për ta bërë Rahovecin me stadium të ri futbolli. Siç e kemi thënë disa herë deri tani, Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për jetësimin e këtij projekti me rëndësi kapitale për sportin, rininë dhe gjithë banorët e Rahovecit”, ka theksuar Çeku.

-Advertisement-

“Në vizitën që e kam pasur në shtator të këtij viti në Komunën e Rahovecit, nga Kryetari Smajl Latifi kam kërkuar të përcaktojë një lokacion të përshtatshëm dhe konsensual për stadiumin e qytetit, në konsultim dhe dakordim me komunitetin e sportit, Kuvendin e Komunës, profesionistët përkatës dhe grupet përkatëse të interesit”.

“Kryetari Latifi është zotuar se do t’i zhvillojë këto konsultime dhe do të sigurojë konsensus për lokacionin, në mënyrë që Ministria e Sportit t’i nisë procedurat për stadiumin. Deri sot, nuk kam pranuar asnjë njoftim zyrtar nga Kryetari për këtë çështje”.

“Dua të përsëris zotimin tonë. Në momentin që sigurohet lokacioni i përshtatshëm dhe konsensual, dhe i njëjti votohet në Kuvendin e Komunës, ne do ta nisim menjëherë procedurën për hartimin e projektit të stadiumit të qytetit. Gjithashtu, zotohemi se do të sigurojmë gjithë buxhetin e nevojshëm për ndërtimin e tërësishëm të stadiumit”.

Rahoveci në përgjithësi, e sportistët dhe futbollistët në veçanti meritojnë infrastrukturë të denjë. Secili duhet ta përmbushë pjesën e vet të përgjegjësisë institucionale. Nuk kemi kohë për të humbur.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera