Lajme

Çeku: Serbia po i shkel marrëveshjet

Autori: Gazeta inFokus 17:18 | 10 July 2022

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se Serbia po i shkel marrëveshjet.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ai tha se 1247 artefakte nga Kosova po mbahen ilegalisht në Beograd.

“1247 artefakte të koleksionit të muzeut publik janë marrë nga Muzeu Kombëtar i Kosovës gjatë kohës së luftës (1998-99) nga Akademia serbe e Shkencave. Kjo ishte pjesë e projektit gjenocidal të Serbisë kundër historisë/identitetit të shqiptarëve, krahas shkatërrimit të mbi 1 mijë objekteve të trashëgimisë”, shkroi Çeku.

-Advertisement-

Ai u shpreh se artefaktet janë marrë për ekspozim të përkohshëm.

“Pothuajse 24 vjet më pas, koleksioni ende mbahet padrejtësisht dhe ilegalisht në muzetë e Beogradit. Sipas marrëveshjes origjinale (Libri i Kthimit), artefaktet janë marrë për ekspozim të përkohshëm, por ende nuk janë kthyer në Muzeun Kombëtar të Kosovës, atij të cili i takojnë”, shkroi ai.

Ai shtoi se Serbia po shkel haptazi marrëveshjen origjinale të vitit 1998/99

“Serbia po shkel haptazi marrëveshjen origjinale të vitit 1998/99 të nënshkruar ndërmjet institucioneve përkatëse të Kosovës dhe Serbisë. Konventa e vitit 1970 e UNESCO-s për kthimin e pasurisë kulturore në vendin e origjinës dhe dokumenti i Ahtisaarit që përcakton një afat kohor për kthimin e koleksionit”, ka shkruar tutje Çeku.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera