Lajme

​Çeku: Peci ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për sportin e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 11:38 | 12 May 2022

Figura e legjendës së boksit kosovarë Xhevdet Peci është vlerësuar lartë për kontributin e dhënë në kohët e vështira të popullit të Kosovës përmes sukseseve të tij të mëdha në sport në ish-Jugosllavi.

Në nderim të jetës dhe veprës së tij, personalitete të njohura nga skena politike dhe sportive e vendit kanë bërë homazhe pranë trupit të pajetë të Xhevdet Pecit në Pallatin e Rinisë dhe Sportit.

Ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit Hajrullah Çeku tha se Peci ishte njëra nga figurat qendrore të sportit të Kosovës dhe se ika e tij nga kjo jetë është një humbje e madhe për vendin tonë.

-Advertisement-

“Ka qenë një nga figurat qendrore të sportit në Kosovë më kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm me suksesin e tij sportiv por edhe me kontributin më pastaj në zhvillimin e sportit të boksit në Kosovë . Është një humbje e madhe për familjen e tij të gjakut, për familjen e tij sportive dhe për të gjithë popullin tonë. Suksesi dhe kontributi i tij do të jehojnë përherë “, tha Çeku.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se lufta që Peci e bënte përmes boksit ishte më shumë se sportive. Sipas tij, ajo ishte edhe luftë për liri dhe rezistencë dhe se kujtimi për të do të jetë i paharrueshëm.

“Në kohën kur Jugosllavia pushtuese me diskriminim e me shtypje e katandiste Kosovën të fundit, Xhevdet Peci me boksin e tij prej kampioni gjithmonë na nxirrte të parët. Ai i përkiste plejadës së artë të boksierëve të cilët gjithmonë e nxirrnin kampion klubin Prishtina dhe për këtë do të kujtohet e nderohet gjithmonë. Në atë kohë, të gjithë ne që i përkisnim atyre gjeneratave e të cilët sot i kemi mbi 20 vjet, kemi qenë fare të vogël. Por mua më kujtohet kur i shikoja të mëdhenjtë se sa forcë merrnin prej tyre, atëherë nuk e kuptoja si fëmijë se nga buronte ajo forcë, por sot e kuptojë shumë më mirë. Pra ka qenë më shumë se sport, më shumë se boks, ka qenë luftë për liri dhe rezistencë. Do të jetë i paharrueshëm për kontributin që e ka dhënë për sportin, për boksin tonë.”, tha Konjufca.

Si pjesë shumë të rëndësishme të historisë së sportit të Kosovës, kontributin e Xhevdet Pecit e ka vlerësuar edhe Ministri i Ministrisë së Bujqësisë Faton Peci, i cili ishte edhe kushëriri i tij. Ai ka kujtuar edhe kohën kur Peci bëri bujë me goditjen që ia bëri gjyqtarit serb i cili, sipas Pecit, ishte sinonim i diskriminimit ndaj popullit shqiptarë të Kosovës.

“Xhevdet Peci jo vetëm si sportist por edhe si kushëri i imi është shquar për disa tipare që vështirë janë të zëvendësueshme. E para, personaliteti dhe figura e tij në sport ka marrë përmasa tjera shkak se si sportit me tipare njerëzore dhe edhe të sportistit që e ka jetësuar në jetën e tij të përditshme ka bërë pjesën e historisë në kohën kur populli ynë diskriminohej në të ashtuquajturën ish-Jugosllavi dhe boksi i tij i hekurt ka shkuar edhe përtej aspektit sportiv për shkak se thjeshtë e ka goditur njërin nga referët që ka qenë sinonim i diskriminimit të popullit shqiptarë të Kosovës”, tha Peci.

Kurse kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi deklaroi se humbja e një boksieri legjendar si Xhevdet Peci është është humbje e madhe për të gjithë Kosovën.

“NJë ditë shumë e vështirë për sportin e Kosovës. Kemi humbur një sportist që na ka bërë krenar gjithë shqiptarinë, një kampion pesë herë i ish-Jugosllavisë, një anëtar i Komitetit Olimpik të Kosovën në periudhën më të vështirë . Sot dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Peci sepse e ka humbur një njëri jo vetëm familja Peci por ka humbur e gjithë Kosova”

Xhevdet Peci vdiq më 9 maj në moshën 67 vjeçare. Varrimi i tij do të bëhet sot në ora 16:30 në fshatin Zhahë të Komunës së Mitrovicës./kp/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera