Fokus

Çdo ditë nga tri gra dhunohen në Kosovë

Autori: Agnesa Çitaku 20:27 | 26 November 2018

Për nëntë muaj të këtij viti në Kosovë u rrahën afër 1 mijë gra ose saktësisht 921 gra. Që i bie se çdo ditë, tri deri katër gra raportojnë për dhunë në familje.

Kështu kanë bërë të ditur Policia e Kosovës për Gazetën inFokus.

“Në periudhën e këtij viti janar –shtator janë raportuar 1,129 raste të dhunës në familje, që ka ngritje të raportimit nga vitet paraprake. Nga rastet e raportuara për dhunë në familje nga këto viktima femra janë 921”, thuhet në përgjigjet e PK-së.

E nga ato, mbi 200 raste ishin raportuar si sulm fizik.

“Disa nga rastet kur viktimat kanë pësuar dhunë fizike janë kategorizuar si sulm fizik kanë qenë: 242 raste, lëndim i lehtë trupor: 485 raste dhe lëndim i rëndë trupor: 18 raste”, thonë në Policinë e Kosovës.
Ndërsa rajoni me numrin më të madh të rasteve të dhunës në familje është Prishtina.
“Raste të raportuar në polici ka me së shumti në Rajonin e Prishtinës, ndoshta edhe pse ky rajon ka edhe me shumë popullatë”, thonë nga PK.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, ka thënë për Gazetën inFokus se këto shifra janë shqetësuese.

“Rrjeti i Grupit Të Grave të Kosovës i ka konsideruar si shumë shqetësuese këto shifra dhe për këtë arsye që nga themelimi jonë e jemi pas fokus luftimin e dhunës në baza gjinore me fokus dhunës në familje që rasteve më të shpeshta i ushtrohet vajzave dhe grave dhe normal që ky numër është shumë shqetësues”, ka thënë Berisha.
Ajo ka shtuar gjithashtu se ka viktima që nuk e raportojnë dhunën.

“Çdo vit ne i kemi rreth 1mijë e 200 raste të dhunës në familje të raportuara tek institucionet dhe kjo tregon që dhunën në familje është një dukuri shumë e shprehur veçanërisht nëse e marrim parasysh që një numër i madh i grave dhe burrave ende nuk e kanë marrë guxim ta raportojnë dhunën dhe ky mund të jetë edhe më i madh”, ka shtuar ajo.

Në vitin 2015 rrjeti i Grupit të Grave ka bërë hulumtimin e dhunës në familje që tregon se mbi 68% e grave në Kosovë janë deklaruar se kanë përjetuar dhunën në familje.

“Të gjitha këto shifra janë mjaftë shqetësuese dhe na bëjnë që ne të mos ndalemi dhe të punojmë në parandalimin dhe në mbrojtjen, rehabilitim dhe integrim të viktimave të dhunës në familje”, ka thënë Berisha.

Ndërsa arsyet që qojnë tek dhuna, sipas saj janë varfëria, gjendja e rëndë ekonomike, papunësia, përdorimi i alkoolit dhe i drogës.

Sipas Berishës Institucionet duhet të bëjnë më shumë në parandalimin e rasteve të tilla.

“Viteve të fundit kanë ndodhur disa ndryshime pozitive ne nuk mund të ankohemi, sepse e kemi ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje tash është fut edhe në kodin penal, bëhet aktivitete të ndryshme por gjithmonë duhet të kemi edhe më shumë marrë parasysh që është një dukuri kaq e shprehur”, ka përfunduar ajo.

Por Kosova nuk është vendi i vetëm që ballafaqohet me dukurinë e dhunës dhe vrasjen e grave.

Sipas të dhënave të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për krimin dhe drogën çdo ditë në botë vriten 137 gra. Në të shumtën e rasteve vdekjen u vjen nga partneri apo një i afërm i familjes.

Në të dhënat e njëjta thuhet se gjatë vitit 2017 në tërë botën u vranë 87 mijë gra dhe vajza ndërsa 30 mijë humbën jetën nga partneri ndërsa 20 mijë nga ndonjë familjar tjetër.

Edhe këto të dhëna tregojnë se një pjesë e madhe e grave nuk raportojnë dhunën.

“Më shumë se një e treta e vrasjeve të qëllimshme u kryen nga partnerët aktualë ose ish-partnerët, ndërkaq besohet se rreth 137 gra vriten çdo ditë në botë nga anëtarët e familjes. Përderisa shumica e viktimave të vrasjeve të qëllimshme janë meshkuj dhe vrasjet kryhen nga të panjohurit, gratë kanë më shumë gjasa që të vriten nga duart e dikujt që ato e njohin”, thuhet në këtë raport./Gazeta inFokus/

Të tjera