Lajme

Cakolli: Dehari ka qasje bllokuese, duhet të zëvendësohet, sot u cenua e drejta e deputetëve për të votuar

Autori: Gazeta inFokus 12:14 | 01 July 2025

Pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit në seancën e 40-të, ka reaguar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), duke e cilësuar si veprim arbitrar mbylljen e seancës nga kryesuesi Avni Dehari.

Cakolli vlerëson se Dehari jo vetëm që ka shkelur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por ka cenuar drejtpërdrejt të drejtën kushtetuese të deputetëve për të votuar, shkruan Gazeta Infokus.

“Sot, për të dytën herë pas aktgjykimit, kryesuesi Avni Dehari sërish e mbylli seancën në mënyrë arbitrare. Kjo është jo vetëm shkelje e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe cenim i të drejtës kushtetuese të deputetëve për të votuar,” ka deklaruar Cakolli.

-Advertisement-

Ai ka kritikuar edhe mënyrën si po interpretohet mungesa e votimit të fshehtë në Kuvend, duke theksuar se kjo nuk përbën dështim të seancës.

“Refuzimi për të kaluar në votim të fshehtë – ndonëse mocionet procedurale nuk lejohen fare – nuk mund të interpretohet njëanshëm si dështim i seancës. Përkundrazi, në mungesë të ndryshimit të procedurës, seanca duhet të vazhdojë me votim të hapur, siç është standardi,” theksoi ai.

Sipas tij, qasja e Deharit po e bllokon qëllimisht procesin parlamentar dhe për këtë arsye, bazuar në Rregulloren e Kuvendit, duhet të zëvendësohet.

“Me një qasje të tillë bllokuese, tashmë kryesuesi efektivisht po refuzon ta drejtojë seancën. E një situatë e tillë është e sanksionuar qartë me nenin 9 (2) të Rregullores së Kuvendit, që përcakton se kur kryesuesi refuzon ta drejtojë seancën, ai duhet të zëvendësohet nga deputetë të tjerë, sipas kriterit të moshës,” përfundoi Cakolli.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera