Lajme

Cakaj: Platformë të përbashkët me Kosovën për dialogun me Serbinë

Autori: Gazeta inFokus 08:22 | 30 October 2019

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj thotë se deklaratat e presidentit francez kanë pasaktësi.

I ftuar në një intervistë televizive, Cakaj u shpreh se “unë nuk pajtohem fare dhe këtë po e them hapur sepse e kam thënë edhe në një intervistë tjetër, e ka thënë edhe kryeministri tashmë, është se deklarata e presidentit Macron mbart disa pasaktësi. Për shkak se një moment ai thotë se më duket e çuditshme sesi ne mund të liberalizojmë vizat me një vend që ende nuk ka filluar negociatat. Këtu kemi të bëjmë më dy procese krejtësisht të ndryshme objektivisht për shkak se procesi i liberalizimit të vizave është një proces krejtësisht tjetër prej çeljes së negociatave për anëtarësim”.

Më tej, gjatë fjalës së tij, ministri vuri në dukje se edhe Kosova po paguan për shkak të dinamikave të brendshme të vendeve anëtare, pasi qytetarëve kosovarë po u mohohet mundësia e të lëvizurit lirshëm.

-Advertisement-

“Nga viti 2014 e deri në momentin që ne po zhvillojmë këtë intervistë sesa 100 milionë qytetarë nga mbarë bota hyjnë pa asnjë vizë në hapësirën e Bashkimit Evropian dhe këtu një çmim më të madh se Shqipëria, këtu po paguan Republika e Kosovës për shkak se është një vend që ka fituar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe për shkak të dinamikave të brendshme të vendeve anëtare ajo po deprivohet nga mundësia për të lëvizur lirshëm”, tha ndër të tjera Cakaj.

Ministri foli po ashtu edhe për taksën e rrugës së Kombit për të cilën tha se kjo e fundit ka ardhur si pasojë e nevojës për të përmirësuar infrastrukturën e kësaj rruge.

“Taksa e rrugës ka ardhur si nevojë për përmirësimin e infrastrukturës të asaj rruge. Ekzistojnë të gjitha vlerësimet e ekspertëve të mirë bazuara pse ajo është vendosur. Por, taksa e rrugës nuk mund të interpretohet si ndarja e kombit. Nëse ne e zhvendosim një doganë të Kosovës në Portin e Durrësit kjo nuk konsiderohet si zgjerim i bashkëpunimit apo ju e keni mendjen vetëm të kritikoni siç është taksa e rrugës”, -u shpreh ai.

Cakaj tha se sfida mes dy vendeve është thellimi i bashkëpunimit veçanërisht atë ekonomik.

Ministri tha se Shqipëria ka tre qëndrime kryesore lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. “E para që Kosova duhet ta përcaktojë platformën e saj politika dhe natyrisht Shqipëria do ta mbështesë pa kushte. E dyta që Shqipëria konsideron që njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është e domosdoshme për një marrëveshje të qëndrueshme. E treta ne konsiderojmë se një marrëveshje e tillë natyrisht që duhet të bëhet në bekimin e SHBA dhe BE”, theksoi ai.

“Republika e Shqipërisë nuk mund të ketë qëndrim për dialogun Kosovë-Serbi duke anashkaluar Kosovën. Është e rëndësishme që me qeverinë e re të Kosovës të krijojmë po ashtu një platformë të përbashkët lidhur me dialogun karshi Serbisë”, përfundoi Cakaj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera