Lajme

Bytyqi: Shikohet mundësia për ridizajnim të universiteteve publike

Autori: Gazeta inFokus 10:14 | 03 January 2018

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se do të shikohet mundësia e ri-dizajnimit të universiteteve publike. Sipas tij, universitetet në fjalë, përveç atij të Prishtinës, mund të shndërrohen në fakultete të profilizuara me nevojat e rajoneve ku ndodhen. Ministri Bytyqi theksoi se komisioni i formuar për të vlerësuar gjendjen e universiteteve publike, do të dalë me një raport, i cili do të tregojë qëndrueshmërinë e tyre.

Ngritja e përgjegjësisë dhe e cilësisë është e nevojshme edhe në nivelin e arsimit të lartë, ka thënë ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, për Radio Kosovën, duke shtuar se në këtë kuadër, do të shikohet mundësia për një ri-dizajnim të universiteteve publike. Ai tha se ekziston një dallim mes universiteteve publike për nga mënyra e menaxhimit dhe cilësisë. Për këtë arsye, ministri tha se kjo situatë duhet të ndryshohet.

“Kjo ka qenë arsyeja që ne të kemi një grup punues, një komision, që të vlerësojë gjendjen e këtyre universiteteve. Ajo çka ne kemi thënë është se universitetet publike nuk mund të jenë nën Universitetin e Prishtinës. Pra, nga ana e cilësisë dhe menaxhimit, minimumi duhet të jenë në nivel të barabartë me UP-në”, tha Bytyqi.

-Advertisement-

Ministri Bytyqi, tha se grupi punues është në përfundim të raportit dhe më pas do të shihet se cila është qëndrueshmëria e universiteteve publike, përveç Universitetit të Prishtinës.

“Ne jemi të interesuar që nëse këto universitete publike nuk kanë qëndrueshmëri të cilësisë së arsimit, t’i kthejmë në dy universitete publike, pra të kalohet në kampuse të universiteteve qendrore. Konsideroj që do të jetë e mjaftueshme që Kosova t’i ketë dy universitete publike. Normalisht, që kjo do një përkrahje politike. Këto kampuse ose këto fakultete, do të shndërrohen në fakultete, aktualisht universitetet që janë në disa qytete të Kosovës”, thotë Bytyqi.

Ministri Bytyqi tha se shndërrimi i universiteteve publike në fakultete, do të bëhet edhe duke i profilizuar ato me nevojat e tregut të punës në rajonin ku ato ndodhen.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera