Lajme

Bytyçi: Trajnimet e mësimdhënësve do t’i bëj Fakulteti i Edukimit

Autori: Gazeta inFokus 12:11 | 06 March 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, kanë marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Bashkimi Evropian, me temën “Cilësia e arsimit në Kosovë”.

Ministri Bytyqi, me këtë rast, ka folur për reformat që po bëhen në të gjitha nivelet e arsimit, në mënyrë që fëmijëve dhe të rinjve t’iu ofrohet edukim dhe arsim cilësor.

Ministri përmendi trajnimet e mësimdhënësve, dhe theksoi se tashmë bashkë me partnerët, është marrë vendim që kjo çështje e rëndësishme t’i besohet Fakultetit të Edukimit.

-Advertisement-

Bytyqi përmendi përgatitjet që po bëhen për të ofruar edukim parashkollor për sa më shumë fëmijë. Në këtë drejtim, ai tha se MASHT është në fazën finale të hartimit të kurrikulës për edukimin e hershëm, ndërsa përmendi si sfidë gjendjen jo të mirë të infrastrukturës.

Ndër të tjera, ministri foli edhe për ndryshimet që po planifikohen të bëhen në qeverisjen e shkollave, përmes Udhëzimit Administrativ, me të cilin rolin kyç për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave do ta kenë prindërit.

Ai theksoi se hapat që janë marrë që Agjencia e Kosovës për Akreditim të ketë një rol shumë të rëndësishëm për të siguruar cilësi në arsimin e lartë janë shumë të rëndësishëm.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova theksoi se arsimi cilësor është krucial për zhvillimin e vendit.

Ajo përmendi investimet që janë bërë nga ana e Bashkimit Evropian, ndërsa ka theksoi se edhe pse ka lëvizje pozitive në arsim, ka nevojë për reforma për të përmirësuar gjendjen.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera